MAP

Papa Leo XIV gjatë audiencës së sotme në Fondacionin Centesimus Annus Pro Pontifice, Qytet i Vatikanit, 17 maj 2025 Papa Leo XIV gjatë audiencës së sotme në Fondacionin Centesimus Annus Pro Pontifice, Qytet i Vatikanit, 17 maj 2025

Leoni XIV: të ndërtojmë urat e paqes, duke u dhënë fjalën të varfërve

Duke u takuar me anëtarët e Fondacionit Centesimus Annus Pro Pontifice, me rastin e konferencës vjetore ndërkombëtare, Papa rikujtoi rolin themelor të Doktrinës Sociale të Kishës, "mjet paqeje e dialogu për të ndërtuar ura vëllazërie universale". Ndjehet nevoja e përhapur për drejtësi, për atësi, amësi e përshpirtëri - nënvizoi - veçanërisht ndërmjet të rinjve dhe të braktisurve.

R.SH. / Vatikan

Në një kontekst të fortë polarizimash, në të cilin “ka pak dialog përreth nesh dhe mbizotërojnë britmat e jo rrallëherë, trillimet - domethënë fake news a lajmet e rreme dhe tezat irracionale të disa ngacmuesve”, roli i Doktrinës Sociale të Kishës është themelor, “mjet paqeje dhe dialogu për të ndërtuar ura vëllazërie universale”. Papa Leoni XIV e theksoi këtë në fjalimin drejtuar anëtarëve të Fondacionit Centesimus Annus Pro Pontifice,  pritur në Sallën Clementine të Pallatit Apostolik, në Vatikan, me rastin e konferencës së tyre vjetore ndërkombëtare. Shpjegoi kryesisht se duhet të rizbulojmë dhe të kultivojmë “mandatin për të edukuar në të menduarit kritik” dhe “në takimin e dëgjimin e të varfërve, thesar i Kishës dhe i njerëzimit, mbartës të pikëpamjeve të flakura, por të domosdoshme për ta parë botën me sytë e Zotit”. Të lindur dhe të rritur “larg qendrave të pushtetit”, janë vazhduesit dhe aktualizuesit e Doktrinës Sociale, “shprehje e periferive ekzistenciale në të cilat reziston dhe mbin gjithmonë shpresa. Ju këshilloj t’ua jepni fjalën të varfërve.”

Kërkesa për drejtësi, atësi, përshpirtëri

Papa ndalohet tek tema e zgjedhur për konferencën “Kapërcimi i polarizimeve dhe rindërtimi i qeverisjes globale: themelet etike” dhe e fton Fondacionin, në këtë kohë “trazirash të mëdha shoqërore”, të kontribuojë në zhvillimin e Doktrinës Shoqërore të Kishës “së bashku me popullin e Zotit”, duke i dëgjuar dhe duke dialoguar me të gjithë, duke zbatuar gjykimin e kërkuar nga Koncili e duke interpretuar “shenjat e kohërave” në dritën e Ungjillit.

Sot ekziston nevoja e përhapur për drejtësi, kërkesa për atësi dhe amësi, dëshira e thellë për përshpirtëri, veçanërisht ndërmjet të rinjve dhe të përjashtuarve nga jeta, të cilët nuk gjejnë gjithnjë kanalet e nevojshme për t'u shprehur. Ekziston një kërkesë në rritje për Doktrinën Shoqërore të Kishës, së cilës duhet t'i përgjigjemi.

"Polikriza" që duhet përballuar duke ndërtuar ura

Është themelore - përsërit Papa Leoni XIV duke cituar fjalët e tij të para shqiptuar atë mbrëmje, që u zgjodh - ta ndihmojmë njëri-tjetrin, “të ndërtojmë ura, me dialog, me takime, duke u bashkuar të gjithë, për të qenë një popull i vetëm, gjithmonë në paqe”. Është në kohë “polikrize” siç e përcaktoi Papa Françesku, “në të cilën mblidhen luftërat, ndryshimet klimatike, pabarazitë në rritje, migrimet e detyruara dhe të kundërshtuara, varfëria e stigmatizuar, inovacionet teknologjike shkatërruese, pasiguria e punës dhe e të drejtave”.

Kontributi i Doktrinës Sociale për shpresën dhe paqen

Leoni XIV kujton Papën Leoni XIII, i cili në një periudhë historike “transformimesh përçarëse” u përpoq të kontribuonte në paqe duke “nxitur dialogun shoqëror ndërmjet kapitalit dhe punës, teknologjive dhe inteligjencës njerëzore, kulturave të ndryshme politike e kombeve”. Mbi këto çështje, Doktrina Shoqërore e Kishës “është e thirrur të ofrojë çelësa interpretues, që e vënë shkencën dhe ndërgjegjen në dialog, duke dhënë kështu një kontribut themelor për dijen, shpresën dhe paqen”. Ta edukojmë veten, që të pranojmë se “më e rëndësishme nga problemet, ose përgjigjet për to, është mënyra se si i përballojmë, me kritere vlerësimi, parime etike e edhe me hapjen e zemrave për hirin e Zotit”.

Doktrina sociale dhe "kultura e takimit"

Në çështjet shoqërore, thekson Papa Leoni XIV, Doktrina Shoqërore e Kishës “nuk dëshiron të ngrejë lart flamurin e zotërimit të së vërtetës, as në analizën e problemeve dhe as në zgjidhjen e tyre”. E për ndërtimin e "kulturës së takimit" përmes dialogut dhe miqësisë shoqërore, duhet pranuar se "për ndjeshmërinë e shumë bashkëkohësve tanë fjala 'dialog' dhe fjala 'doktrinë' tingëllojnë të kundërta dhe të papajtueshme".

Ndoshta kur dëgjojmë fjalën "doktrinë", na vjen ndër mend përkufizimi klasik: një sërë idesh, që i përkasin një feje. E, me këtë përkufizim, ndihemi më pak të lirë për të reflektuar, për të diskutuar ose për të kërkuar rrugëzgjidhje të ndryshme.

Doktrina si rrugë e përbashkët drejt së vërtetës

Atëherë është urgjente të tregohet se ekziston një kuptim tjetër i shprehjes “doktrinë”, “pa të cilën edhe dialogu është bosh”: sinonimet e saj mund të jenë “shkencë”, “disiplinë” ose “njohuri”.

E kuptuar kështu, çdo doktrinë njihet si fryt i kërkimit dhe për rrjedhojë, i hipotezave, i thashethemeve, i përparimeve dhe dështimeve, përmes të cilave kërkon të transmetojë njohuri të besueshme, të rregullta dhe sistematike mbi një çështje të caktuar. Në këtë mënyrë, një doktrinë nuk është e barasvlefshme me një opinion, por me një rrugë të përbashkët, korale, e madje, shumëdisiplinore drejt së vërtetës.

Të dish si t’u afrohesh situatave dhe njerëzve

Për këtë arsye, Papa Leoni XIV e krahason doktrinën me indoktrinimin, i cili “është imoral, pengon gjykimin kritik” dhe mbyllet për reflektimet e reja “sepse refuzon lëvizjen, ndryshimin ose evolucionin e ideve, përballë problemeve të reja”.

Përkundrazi, doktrina, si reflektim serioz, i qetë dhe rigoroz, synon të na mësojë, para së gjithash, të dimë si t'u afrohemi situatave e madje, para kësaj, njerëzve. Për më tepër, na ndihmon në formulimin e gjykimit të kujdesshëm. Serioziteti, rigoroziteti dhe qetësia janë ato që duhet të mësojmë nga çdo doktrinë, përfshirë Doktrinën Sociale.

Revolucioni dixhital dhe edukimi i të menduarit kritik

Papa përfundon duke nënvizuar se “në kontekstin e revolucionit dixhital në vijim”, duhet rizbuluar mandati “për të edukuar në kuptimin kritik”, duke iu kundërvënë tundimeve të kundërta, “të cilat mund ta kapërcejnë edhe  korpin kishtar”. E t’u japësh zë të varfërve, do të thotë të njohësh rolin e realizuesve të Doktrinës Sociale të Kishës si “dëshmitarë të angazhimit shoqëror, lëvizjeve popullore dhe organizatave të ndryshme të punëtorëve katolikë”, të cilat janë shprehje “e periferive ekzistenciale, ku reziston e përherë mbin shpresa”.

17 maj 2025, 14:08