MAP

2025.05.12 Udienza ai rappresentanti dei Media

Leoni XIV mban faqet papnore në X dhe në Instagram

Riaktivizohen profilet zyrtare në mediat sociale të Papës së zgjedhur më 8 maj. Në platformën X, faqja e tij është @Pontifex, ndërsa në Instagram është @Pontifex – MAP Leo XIV

R.SH. – Vatikan

Papa Leoni XIV, i cili ka qenë gjithnjë i pranishëm në rrjetet sociale, do të vijojë në të njëjtën linjë me paraardhësit e tij e sot, konfirmoi profilin e tij zyrtar në platofrmën X e në Instagram. Ishte Papa Benedikti XVI ai, që hapi për herë të parë, më 12 dhjetor 2012, faqen e tij @Pontifex në Twitter, e cila u trashëgua disa muaj më vonë nga Papa Françesku. Më pas, më 19 mars 2016, u shtua edhe profili zyrtar në Instagram, quajtur @Franciscus.

Faqja zyrtare në X

Leoni XIV do të përdorë faqen @Pontifex në platformën X, të njëjtën e Papës Françesku dhe të Papës Benedikti XVI. Postimet publikohen në 9 gjuhë, duke arritur në 52 milionë ndjekës (follower) e shkruhen në anglisht, spanjisht, portugalisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, polonisht, arabisht dhe latinisht. Tekstet e botuara gjatë viteve nga Papa Françesku do të arkivohen në një seksion të veçantë të faqes institucionale të internetit të Selisë së Shenjtë “vatican.va”.

Profili në Instagram

Në Instagram, profili i vetëm zyrtar i Atit të Shenjtë quhet @Pontifex – MAP Leo XIV, në vazhdimësi me atë të Papës Françesku, @Franciscus, përmbajtja e të cilit do të mbetet si arkiv përkujtimor “Ad Memoriam”.

Papa Françesku, mbi 50 mijë postime

Papa Françesku ishte mjaft i pranishëm në mediat sociale: rreth 50 mijë postime, të publikuara në @Pontifex dhe në @Franciscus. Pothuajse çdo ditë, kushdo dëshironte, mund të gjente mesazhe me karakter ungjillor, ose thirrje të shkurtra në favor të paqes, drejtësisë shoqërore, kujdesit për krijimin, të cilat ndiqeshin vazhdimisht, sidomos në periudhat më kritike. Në vitin 2020, gjatë pandemisë, për shembull, mesazhet e tij u panë 27 miliardë herë.

14 maj 2025, 14:14