Leoni XIV: lërini mosmarrëveshjet pas, çrrënjoseni çdo dëshirë për pushtim
R.SH. / Vatikan
Paqe, drejtësi, vërtetësi.
Paqe, kuptuar jo vetëm si mungesë e luftës, por si “dhuratë aktive” që ndërtohet duke nisur nga zemra dhe nga gjuha dhe që synon t’i lërë pas “mosmarrëveshjet” e vjetra dhe të reja.
Drejtësi, sepse “Selia e Shenjtë nuk mund të mos e bëjë zërin e saj të dëgjohet përballë çekuilibrave dhe padrejtësive të shumta” që ekzistojnë në botë.
E vërtetë që na lejon të përballojmë “me më shumë energji” sfida të tilla si migrimi, përdorimi etik i inteligjencës artificiale, mbrojtja e Tokës.
Papa Leoni XIV priti Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë dhe - si në fjalimin e tij të parë nga Lozha e Bekimeve të Bazilikës së Shën Pjetrit - kujtoi udhëzimet e papnisë së tij, si dhe “shtyllat e veprimit misionar të Kishës e të punës së diplomacisë të Selisë së Shenjtë”.
Veprimi i diplomacisë papnore
Papa Prevost - i paraqitur me përshëndetjen e dekanit të trupit diplotmatik pranë Selisë së Shenjtë, George Poulides, ambasador i Republikës së Qipros - falënderon diplomatët për mesazhet e urimeve që i mori me rastin e zgjedhjes. Disa, kujton, kanë ardhur edhe nga vende me të cilat Selia e Shenjtë nuk ka marrëdhënie diplomatike: "Kjo është një shprehje domethënëse e respektit, i cili inkurajon thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella".
Papa Leoni XIV kujton, më pas, se veprimi i diplomacisë papnore “frymëzohet nga urgjenca baritore që e shtyn të mos kërkojë privilegje, por të shpeshojë misionin e saj ungjillor në shërbim të njerëzimit”.
Lufton çdo indiferencë dhe u bën vazhdimisht thirrje ndërgjegjeve, siç bëri pa u lodhur paraardhësi im i nderuar, gjithmonë i vëmendshëm ndaj britmës së të varfërve, të nevojtarëve dhe të braktisurve, si dhe ndaj sfidave që karakterizojnë kohën tonë, nga mbrojtja e krijimit, deri te inteligjenca artificiale.
Të kapërcehen kufijtë, për të takuar njerëz dhe kultura të ndryshme
“Prania juaj sot është dhuratë për mua. Më lejon të përtërij dëshirën e Kishës - dhe timen - për të shtrirë duart dhe për të përqafuar çdo popull dhe çdo njeri të kësaj toke, që e dëshiron të vërtetën dhe ka nevojë për drejtësinë e paqen!” - theksoi Papa Leoni, duke kujtuar përvojën e tij jetësore, ndërmjet Amerikës së Veriut, Amerikës së Jugut dhe Evropës, përfaqësuese e “aspiratës për të kaluar kufijtë e për të takuar njerëz dhe kultura të ndryshme”.
E duke kujtuar përsëri përvojën e tij të mëparshme si epror i përgjithshëm i Augustinianëve, e cila e shtyu të vizitonte vende të ndryshme gjatë gjithë jetës së tij, Papa siguron se “përmes punës së vazhdueshme dhe të duruar të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, ka ndërmend të konsolidojë njohuritë dhe dialogun me të pranishmit dhe me vendet e tyre”. E gjithë kjo “për të përforcuar në fe shumë vëllezër e motra të shpërndarë nëpër botë dhe për të ndërtuar ura të reja me të gjithë njerëzit vullnetmirë”.
Paqja, dhuratë aktive
Leoni XIV u ndalua, më pas, te shtylla e “paqes”, fjalë që shpesh konsiderohet “negative”, e kuptuar, pra, “si mungesë e thjeshtë e luftës dhe e konfliktit, meqenëse kundërvënia është pjesë e natyrës njerëzore e na shoqëron gjithmonë, duke na shtyrë shumë shpesh të jetojmë në “gjendje konflikti të vazhdueshme: në shtëpi, në punë, në shoqëri”.
Paqja, atëherë, duket si armëpushim i thjeshtë, çast pushimi ndërmjet një mosmarrëveshjeje dhe një tjetre, sepse, pavarësisht nga përpjekjet tona, tensionet janë gjithmonë të pranishme, si prushi që digjet nën hi, gati për t'u rindezur në çdo çast. Mjafton t’i fryjë dikush!
Në perspektivën e krishterë - e edhe në atë të përvojave të tjera fetare - “paqja është para së gjithash dhuratë”, “dhuratë aktive dhe tërheqëse, që e intereson dhe e angazhon secilin prej nesh, pavarësisht nga origjina jonë kulturore dhe përkatësia fetare, por që kërkon, para së gjithash, edhe punë me veten”.
“Paqja ndërtohet në zemër dhe fillon nga zemra, duke zhdukur krenarinë dhe pretendimet, e, sidomos, duke e mbajtur gojën, sepse mund të lëndosh dhe të vrasësh edhe me fjalë, e jo vetëm me armë”- theksoi Papa - për të zhdukur premisat e çdo konflikti dhe çdo dëshirë shkatërruese për pushtim”.
E parë në këtë këndvështrim, përsëriti rëndësinë e kontributit që fetë dhe dialogu ndërfetar mund të japin për të favorizuar kontekste paqeje. “Kjo kërkon natyrshëm respekt të plotë për lirinë fetare në çdo vend, pasi përvoja fetare është përmasë themelore e personit njerëzor, pa të cilën është e vështirë, nëse jo e pamundur, të arrihet pastrimi i zemrës, i nevojshëm për të ndërtuar marrëdhënie paqësore”. Duke u nisur nga kjo punë, është e mundur të “zhduken premisat e çdo konflikti dhe çdo dëshire shkatërruese për pushtim”, vijoi Papa Leoni.
Prandaj kërkoi “vullnet të sinqertë për dialog, të frymëzuar nga dëshira për takim, jo për përplasje” e, në të njëjtën kohë, për “frymëmarrje” më të gjerë në diplomacinë shumëpalëshe dhe institucionet ndërkombëtare “të cilat u dëshiruan dhe u konceptuan para së gjithash për të zgjidhur mosmarrëveshjet që mund të lindnin brenda bashkësisë ndërkombëtare”. Në këtë kuptim, Papa rikujtoi thirrjen e Françeskut në Mesazhin e tij të fundit Urbi et Orbi:
“Asnjë paqe nuk është e mundur pa çarmatim të vërtetë”.
Fjala e dytë, për të cilën reflektoi Papa, është drejtësia, si pasojë e natyrshme e paqes. “Ndjekja e paqes kërkon praktikimin e drejtësisë”, u kujtoi ambasadorëve. E, ashtu si në takimin e parë me kardinalët, shpjegon se e zgjodhi emrin papnor duke menduar për Leonin XIII, "Papa i enciklikës së parë të madhe shoqërore “Rerum novarum", e cila i dha shtytje angazhimit të Kishës për drejtësi ndërmjet popujve.
Në ndryshimin epokal që po jetojmë, Selia e Shenjtë nuk mund të mos e ngrejë zërin e të dëgjohet përballë çekuilibrave dhe padrejtësive të shumta që çojnë, ndër të tjera, në kushte pune të padenja dhe në shoqëri gjithnjë e më të fragmentuara e konfliktuale. E duhet të punojmë edhe për të ndrequr pabarazitë globale, si pasojë e të cilave, pasuria e tepruar dhe varfëria po krijojnë hendeqe të thella ndërmjet kontinenteve, vendeve dhe madje edhe brenda shoqërive të veçanta.
“Është detyrë e atyre që kanë përgjegjësi në qeveri të punojnë për të ndërtuar shoqëri civile të harmonishme dhe paqësore” - pohon gjithashtu Leoni XIV. Kjo, shton, “mund të bëhet para së gjithash duke investuar në familjen e themeluar mbi bashkimin e qëndrueshëm të një burri me një grua”. Në të njëjtën linjë, Papa Prevost bën thirrje për veprim kolektiv në mbrojtje “të dinjitetit të çdo personi, veçanërisht të më të brishtëve dhe të pambrojturve, nga të palindurit, tek të moshuarit, nga të sëmurët, tek të papunët, qofshin qytetarë a emigrantë”.
Në këtë kontekst gjejmë edhe historinë personale të Ipeshkvit të sapozgjedhur të Romës, "qytetar, pasardhës emigrantësh, vetë emigrant", siç e quan veten.
Secili prej nesh, gjatë jetës, mund të jetë i shëndetshëm a i sëmurë, i punësuar a i papunë, në atdhe a në tokë të huaj: megjithatë, dinjiteti ynë mbetet gjithmonë i njëjtë, ai i një krijese të dëshiruar dhe të dashur nga Zoti.
Së fundi del në pah edhe fjala e tretë: e vërteta. “Marrëdhënie vërtet paqësore nuk mund të krijohen as brenda bashkësisë ndërkombëtare, pa të vërtetën”, përfundon Papa Leoni. “Atje ku fjalët marrin kuptime të paqarta dhe dyvlerëshe dhe bota virtuale, me perceptimin e saj të ndryshuar të realitetit, mbizotëron pa kontroll, është e vështirë të ndërtohen marrëdhënie autentike, pasi mungojnë premisat objektive dhe reale të komunikimit”.
Nga ana e saj, “Kisha nuk mund të mos e tregojë të vërtetën për njeriun dhe për botën, duke përdorur, kur është e nevojshme, një gjuhë të pastër, e cila mund të shkaktojë disa keqkuptime fillestare”. Megjithatë, e vërteta “nuk ndahet kurrë nga bamirësia”, e cila “e ka gjithmonë në rrënjë shqetësimin për jetën dhe të mirën e çdo burri dhe çdo gruaje”. E vërteta nuk “na largon”, por na mundëson të ballafaqohemi “me më shumë energji” me sfidat e kësaj epoke, që kërkojnë bashkëpunimin e të gjithëve, “mbasi askush nuk mund të mendojë t’i përballojë ato i vetëm”.
Para se të përfundonte, Leoni XIV përmendi Jubileun aktual, kushtuar shpresës: një kohë, kujtoi, “kthese” e “ripërtëritjeje” për t’i “lënë pas mosmarrëveshjet” dhe për të “filluar një shtegtim të ri”, të frymëzuar nga shpresa për të “qenë në gjendje të ndërtojmë, duke punuar së bashku, secili sipas ndjeshmërive dhe përgjegjësive të veta, një botë ku çdo njeri mund të realizojë humanizmin e tij në vërtetësi, në drejtësi e paqe”.
Urim që Pasardhësi i Pjetrit e shtrin në të gjitha gjitha kontekstet e botës, duke nisur nga ato “më të vuajturat” si Ukraina dhe Toka e Shenjtë.