MAP

Papa Leoni XIV e ipeshkvijtë e COMECE-së Papa Leoni XIV e ipeshkvijtë e COMECE-së

Ipeshkvijtë e BE-së te Papa: “riarmatimi nuk duhet të rëndojë mbi më të brishtët”

Leoni XIV priti sot paradite ipeshkvijtë e COMECE-së (Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian). Me një qëndrim mikpritës dhe gatishmëri për të dëgjuar, siç nënvizuan prelatët në konferencën e mëpasme për shtyp, Ati i Shenjtë diskutoi me ta problemet kryesore të kontinentit të vjetër, nga riarmatimi te paqja e drejtë, nga emigracioni te prirjet populiste

R.SH. - Vatikan

"Papa reagoi menjëherë, duke shprehur shqetësim e tij të madh se riarmatimi mund të ketë pasoja, që sjellin reduktimin e impenjimeve shoqërore në favor të grupeve më të brishta të shoqërisë dhe zhvendosjen e kapitalit drejt financimit të armatimit”. Kështu deklaroi kryetari i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE), imzot Mariano Crociata, në një konferencë për shtyp në Vatikan, në fund të audiencës me Papën Leoni XIV. Fakti që Ati i Shenjtë i priti ipeshkvijtë e BE-së në një nga audiencat e tij të para "është shenjë e konsideratës dhe e vëmendjes së madhe për Bashkimin Evropian", pohoi prelati. Ipeshkvijtë diskutuan me të "çështjet më urgjente dhe Papa na dëgjoi – nënvizoi imzot Crociata. - Në qendër të shqetësimeve të tij, lufta me konfliktin dhe sulmin rus në Ukrainë, si edhe kërkimi i një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme".

"Nuk hymë në hollësi mbi ndërmjetësimin e mundshëm të Selisë së Shenjtë", deklaroi ndërkaq, imzot Antoine Herouard, zëvendëspresident i Comece-së. "Nënvizuam rëndësinë e punës për një paqe të drejtë, e cila duhet të gjejë ekuilibrin e duhur ndërmjet paqes dhe drejtësisë. Pastaj, u fol për çështjen e pasojave ekonomike dhe shoqërore të kësaj situate. Nëse vendet evropiane do të jepnin më shumë fonde për të përforcuar armatimet, kjo nuk duhet t’i kundërvihet ndihmës për njerëzit më të brishtë, si brenda Bashkimit Evropian, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, përsa i përket ndihmës për vendet më të varfra".

Në emër të vendeve lindore të Bashkimit Evropian, ipeshkvi lituanez Rimantas Norvila ngriti zërin për të shprehur shqetësimin e atyre popujve, që ndiejnë drejtpërdrejt pasojat e luftës në Ukrainë. “Duke parë drejt së ardhmes – nënvizoi ai - ende nuk shihen zgjidhje në horizont. Bashkimi Evropian lindi si projekt paqeje pas Luftës II Botërore. E, ndalimi i kësaj lufte sot është objektiv kryesor dhe parësor i të gjithë Bashkimit". Me Papën Leoni XIV, ipeshkvijtë evropianë folën edhe për praninë e "forcave populiste, që shkojnë kundër vijës së BE-së" dhe për çështjen e migracionit, duke pasur parasysh rënien demografike në Evropë dhe nevojën që kontinenti ka dhe do të ketë për migrantët. Ata shprehën shqetësimin e tyre të madh edhe për fenomenin e çregjistrimit të të pagëzuarve nga regjistrat e kishave. Në këtë drejtim, ipeshkvijtë e BE-së kërkojnë "norma, që respektojnë lirinë fetare dhe të drejtën e detyrën e prindërve për të rritur dhe për të edukuar fëmijët e tyre, ashtu si dëshirojnë. Papa dëgjoi, duke dëshmuar prirjen jo aq për të dhënë përgjigje, por duke mbajtur një qëndrim mikpritës e të gatshëm për të dëgjuar".

23 maj 2025, 14:38