MAP

2024.08.28 Prevost Sant'Agostino

“Ipeshkvi është bari i afërt me popullin, jo menaxher”

Po ribotojmë intervistën me Imzot Robert Francis Prevost, nga drejtori editorial Andrea Tornielli, në maj 2023, menjëherë pas emërimit të tij si prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë: Për doktrinën kujton: “Shpesh jemi marrë me mësimdhënien e doktrinës, por rrezikojmë të harrojmë se detyra jonë e parë është të komunikojmë bukurinë dhe gëzimin e njohjes së Jezusit”. Për abuzimin: “Duhet të jemi transparentë dhe t’i shoqërojmë viktimat”

ANDREA TORNIELLI

Në moshën 67 vjeç përfundon “noviciatin” si prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë: Robert Francis Prevost, i lindur në Çikago (Shtetet e Bashkuara), fillimisht misionar e më pas ipeshkv i Çiklajos (Peru), është frati augustinian që Papa Françesku e zgjodhi për të pasuar Kardinalin Marc Ouellet. Në këtë intervistë me median e Vatikanit, përshkruan figurën e ipeshkvit për kohët në të cilat jetojmë.

Çfarë kuptimi ka për ju të kaloni nga ipeshkëv misionar në Amerikën Latine, në drejtimin e dikasterit që ndihmon Papën të zgjedhë ipeshkvijtë?

Më duket si të isha ende misionar. Thirrja ime, si ajo e çdo të krishteri, është të jem misionar, të shpall Ungjillin kudo që ndodhem. Sigurisht jeta ime ka ndryshuar shumë: kam mundësi t’i shërbej Atit të Shenjtë, t’i shërbej Kishës sot, këtu, nga Kuria Romake. Mision shumë i ndryshëm nga i mëparshmi, por edhe mundësi e re për të jetuar një përmasë të jetës sime, që gjithmonë ka qenë thjesht përgjigjja "po", kur të kërkojnë një shërbim. Me këtë frymë e përfundova misionin tim në Peru, pas tetë vjetësh e gjysmë si ipeshkëv dhe gati njëzet vjetësh si misionar, për të filluar një të ri, në Romë.

Dëgjoni një fragment nga intervista me Imzot Prevostin...

A mund të na përshkruani identikitin e ipeshkvit për Kishën e kohës sonë?

Para së gjithash, duhet të jesh “katolik”: ndonjëherë ipeshkvi rrezikon të përqendrohet vetëm në përmasën lokale. Ndërsa është mirë që të ketë një vizion shumë më të gjerë të Kishës dhe të realitetit, e edhe ta jetojë këtë universalitet të Kishës. Të kërkojë edhe aftësinë për t’i dëgjuar të tjerët dhe për të kërkuar këshilla, si edhe pjekuri psikologjike e shpirtërore. Një element themelor i identikitit është të jesh bari, i aftë të qëndrosh pranë anëtarëve të bashkësisë, duke nisur nga priftërinjtë për të cilët ipeshkvi është atë e vëlla. Duke e jetuar këtë afërsi me të gjithë, pa përjashtuar askënd. Papa Françesku ka folur për katër afërsitë: afërsia me Zotin, me vëllezërit ipeshkvij, me priftërinjtë dhe me të gjithë popullin e Zotit. Nuk duhet t’i dorëzohemi tundimit për të jetuar të izoluar, të veçuar në një pallat, të kënaqur nga një nivel i caktuar shoqëror a nga një nivel i caktuar brenda Kishës. E nuk duhet as të fshihemi pas një ideje autoriteti, që sot nuk ka pikë kuptimi. Autoriteti që kemi, është të shërbejmë, të shoqërojmë priftërinjtë, të jemi barinj e mësues. Shpesh jemi shqetësuar në mësimdhënien e doktrinës, e edhe në të jetuarit e fesë, por rrezikojmë të harrojmë se detyra jonë e parë është të mësojmë se çfarë do të thotë të njohësh Jezu Krishtin dhe të dëshmosh afërsinë tonë me Zotin. Kjo vjen e para: të komunikojmë bukurinë e besimit, bukurinë dhe gëzimin e njohjes së Jezusit. Do të thotë se ne vetë po e jetojmë dhe po e ndajmë së bashku këtë përvojë.

Sa rëndësi ka shërbimi i ipeshkvit për unitetin rreth Pasardhësit të Pjetrit, në një kohë kur polarizimi po rritet edhe në bashkësinë kishtare?

Tri fjalët që përdorim në punën e Sinodit - pjesëmarrje, bashkësi dhe mision – e japin përgjigjen. Ipeshkvi është i thirrur për këtë karizëm, për të jetuar frymën e bashkimit, për të nxitur unitetin në Kishë, unitetin me Papën. Kjo do të thotë të jesh katolik, sepse pa Pjetrin, ku është Kisha? Jezusi u lut për këtë në Darkën e Fundit: “Që të gjithë të jenë një”, dhe është ky unitet që dëshirojmë të shohim në Kishë. Sot shoqëria dhe kultura na largojnë nga ai vizion i Jezusit, dhe kjo na bën shumë dëm. Mungesa e unitetit është plagë që e vuan Kisha, plagë shumë e dhimbshme. Përçarjet dhe polemikat në Kishë nuk ndihmojnë askënd. Ne, ipeshkvijtë, në veçanti, duhet ta shpejtojmë këtë lëvizje drejt unitetit, drejt bashkësisë në Kishë.

Papa Françesku me imzot Prevostin
Papa Françesku me imzot Prevostin

A mund të përmirësohet procesi i emërimit të ipeshkvijve të rinj? Në Praedicate Evangelium lexojmë se edhe “anëtarët e popullit të Zotit” duhet të përfshihen. A po ndodh kjo?

Patëm një diskutim interesant ndërmjet anëtarëve të Dikasterit mbi këtë temë. Për njëfarë kohe u dëgjuan jo vetëm disa ipeshkvij a disa priftërinj,  por edhe anëtarë të tjerë të popullit të Zotit. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ipeshkvi thirret për t'i shërbyer një Kishe të caktuar. Pra, edhe dëgjimi i popullit të Zotit është i rëndësishëm. Nëse një kandidat nuk e njeh askush në gjirin e popullit të tij, është e vështirë - jo e pamundur, por e vështirë - që ai të bëhet vërtet bari i një bashkësie, i një Kishe lokale. Pra, është e rëndësishme që procesi të jetë pak më i gjërë, për të dëgjuar anëtarë të ndryshëm të bashkësisë. Kjo nuk do të thotë se Kisha lokale duhet të zgjedhë bariun e saj, sikur thirrja për t’u bërë ipeshkëv të ishte rezultat i një votimi demokratik, proces pothuajse “politik”. Nevojitet një këndvështrim shumë më i gjerë dhe nunciaturat apostolike ndihmojnë shumë në këtë drejtim. Unë besoj se pak nga pak duhet të hapemi më shumë, e t'i dëgjojmë pak më shumë edhe rregulltaret e laikët.

Një nga risitë që paraqiti Papa, ishte emërimi i tri grave ndërmjet anëtareve të dikasterit për ipeshkvijtë. Çfarë mund të thoni për kontributin e tyre?

Në disa raste kemi parë se këndvështrimi i tyre është pasurim. Dy janë rregulltare, një laike, e perspektiva e tyre shpesh përkon në mënyrë të përkryer me atë që thonë anëtarët e tjerë të dikasterit, ndërsa herë të tjera mendojnë një perspektivë tjetër dhe bëhet një kontribut i rëndësishëm në proces. Mendoj se emërimi i tyre është shumë më tepër sesa gjest i thjeshtë nga Papa, për të thënë se tani ka edhe gra këtu. Është një pjesëmarrje e vërtetë, reale dhe kuptimplote në takimet tona, kur diskutojmë dosjet e kandidatëve.

Rregullat e reja për luftën kundër shpërdorimeve e kanë thelluar përgjegjësinë e ipeshkvijve, të thirrur për të vepruar menjëherë dhe për t'u përgjigjur për çdo vonesë e çdo lëshim. Si e jeton ipeshkvi këtë detyrë?

Jemi në rrugë të mbarë edhe për këtë. Ka vende ku është bërë punë e mirë për vite me radhë e edhe rregullat po vihen në praktikë. Në të njëjtën kohë, besoj se ka ende shumë për të mësuar. Unë flas për urgjencën dhe përgjegjësinë e shoqërimit të viktimave. Një nga vështirësitë që lind shpesh është se ipeshkvi duhet të jetë pranë priftërinjve të tij e, siç e kam thënë tashmë, duhet të jetë edhe pranë viktimave. Disa këshillojnë që ipeshkvi të mos i presë viktimat drejtpërdrejt, por ne nuk mund t’i mbyllim zemrat tona, dyert e Kishës, për njerëzit që kanë vuajtur nga shpërdorimi! Përgjegjësia e ipeshkvit është e madhe, ndaj mendoj se duhet të bëjmë ende përpjekje të konsiderueshme për t'iu përgjigjur kësaj situate që po shkakton kaq shumë dhimbje në Kishë. Do të duhet kohë, e po përpiqemi të bashkëpunojmë me ministritë e tjera. Unë besoj se është pjesë e misionit të dikasterit tonë t’i shoqërojë ipeshkvijtë që nuk kanë përgatitjen e nevojshme për t'u marrë me këtë çështje. Është urgjente dhe e nevojshme të jemi më të përgjegjshëm, e edhe më të ndjeshëm në lidhje me këtë.

Ligjet janë tani. Është më e vështirë të ndryshosh mendësinë tënde...

Sigurisht, ka shumë ndryshime ndërmjet një kulture dhe një tjetre lidhur me mënyrën se si reagon dikush në këto situata. Në disa vende, tabuja e të folurit për këtë temë është thyer tashmë, ndërsa ka vende të tjera ku viktimat, ose familjet e viktimave, nuk do të donin kurrë të flisnin për abuzimin që pësuan. Në çdo rast, heshtja nuk është përgjigje. Heshtja nuk është zgjidhje. Ne duhet të jemi transparentë dhe të sinqertë, t'i shoqërojmë dhe t'i ndihmojmë viktimat, sepse përndryshe plagët e tyre nuk shërohen kurrë. Ka një përgjegjësi të madhe në këtë drejtim, për të gjithë ne.

Kisha është e përfshirë në rrugën që do të çojë në Sinodin mbi sinodalitetin. Cili është roli i ipeshkvit?

Ekziston një mundësi e shkëlqyer në këtë përtëritje të vazhdueshme të Kishës, që Papa Françesku na fton ta vijojmë. Nga njëra anë, ka ipeshkvij që e shprehin hapur frikën e tyre, mbasi nuk e kuptojnë se ku po shkon Kisha. Ndoshta atyre u pëlqen më shumë siguria e përgjigjeve, që përdoreshin në të kaluarën. Besoj vërtet se Shpirti Shenjt është shumë i pranishëm në Kishë, në këtë kohë, dhe po na nxit drejt përtëritjes. Për këtë arsye jemi të thirrur për përgjegjësinë e madhe të të jetuarit të atij, që unë e quaj qëndrim i ri. Nuk është thjesht proces, nuk është thjesht ndryshim i mënyrave të disa gjërave, as organizim i më shumë takimeve përpara se të merret një vendim. Është shumë më tepër. Por është edhe ajo që ndoshta shkakton disa vështirësi, sepse në fund të fundit duhet të jemi në gjendje ta dëgjojmë para së gjithash Shpirtin Shenjt, të dëgjojmë atë, që  po i kërkon Kishës.

E si arrihet kjo?

Duhet të jemi në gjendje ta dëgjojmë njëri-tjetrin, të pranojmë se nuk bëhet fjalë për të diskutuar një axhendë politike apo thjesht për t'u përpjekur të promovojmë çështje që më interesojnë mua, a të tjerëve. Ndonjëherë duket se gjithçka reduktohet në dëshirën për të votuar dhe më pas në realizimin e asaj për të cilën u votua. Përkundrazi, është diçka shumë më e thellë, shumë më e ndryshme: ne duhet të mësojmë ta dëgjojmë vërtet Shpirtin Shenjt dhe frymën e kërkimit të së vërtetës, që jeton në Kishë. Duke kaluar nga një përvojë, ku autoriteti flet dhe gjithçka bëhet, në një përvojë tjetër të Kishës,  e cila i vlerëson karizmat, dhuratat dhe shërbesat që ekzistojnë në të. Shërbesa ipeshkvnore kryen një shërbim të rëndësishëm, por të gjitha këto duhet t’i vëmë në shërbim të Kishës në këtë frymë sinodale, që do të thotë thjesht të ecim së bashku, të gjithë ne, dhe të kërkojmë së bashku atë që Zoti na kërkon, në kohën tonë.

Sa ndikojnë problemet ekonomike në jetën e ipeshkvijve?

Duhet gjithashtu që ipeshkvi të jetë administrator i mirë ose, të paktën, të jetë në gjendje të gjejë një administrator të mirë për ta ndihmuar. Papa na kujtoi se dëshiron një Kishë të varfër, e për të varfrit. Ka raste në të cilat strukturat dhe infrastrukturat e së kaluarës nuk janë më të dobishme dhe është e vështirë t'i mirëmbash. Në të njëjtën kohë, edhe në vendet ku kam punuar, Kisha është përgjegjëse për institucionet arsimore dhe shëndetësore që ofrojnë shërbime themelore për njerëzit, sepse shumë herë Shteti nuk është në gjendje t'i garantojë ato. Personalisht, nuk jam i mendimit se Kisha duhet të shesë gjithçka dhe “vetëm” të predikojë Ungjillin në rrugë. Megjithatë, kjo është një përgjegjësi shumë e madhe, nuk ka një përgjigje të vetme. Ndihma vëllazërore ndërmjet Kishave lokale duhet të jetë shumë më e shpeshtë. Përballë nevojës për të mbajtur gjallë strukturat e shërbimit me të ardhurat, të cilat nuk janë më ato, që ishin dikur, ipeshkvi duhet të jetë shumë praktik. Murgeshat e mbyllura në kuvend thonë gjithmonë: “Duhet të kemi besim, t’ia besojmë gjithçka Provanisë Hyjnore, mbasi do të gjendet një mënyrë për t’iu përgjigjur”. E rëndësishme është të mos e harrojmë kurrë përmasën shpirtërore të thirrjes sonë. Përndryshe rrezikon të bëhesh menaxher dhe të mendosh si  menaxher. Ndonjëherë edhe ndodh kështu…

Si Ju duken marrëdhëniet e ipeshkvit me mediat shoqërore?

Mediat shoqërore mund të jenë mjet i rëndësishëm për të komunikuar mesazhin e Ungjillit tek mijëra njerëz. Duhet të përgatitemi për t'i përdorur sa më mirë. Druhem se kjo përgatitje ndonjëherë edhe ka munguar. Në të njëjtën kohë, bota e sotme, në ndryshim të vazhdueshëm, paraqet situata ku na duhet të mendojmë disa herë para se të flasim ose para se të shkruajmë një mesazh në Twitter, për t'u përgjigjur apo edhe thjesht për të bërë pyetje në një formë publike, nën sytë e të gjithëve. Ndonjëherë ekziston rreziku i nxitjes së përçarjeve dhe polemikave. Ekziston një përgjegjësi e madhe në përdorimin e saktë të rrjeteve sociale dhe të komunikimit, sepse është mundësi, por edhe rrezik. E kjo mund ta dëmtojë bashkësinë e Kishës. Për këtë arsye, duhet të jeni shumë të kujdesshëm kur t’i përdorni këto mjete.

09 maj 2025, 14:30