MAP

2025.05.21 Un frame del video YouTube su Papa Leone XIV

I atribuohet Papës një mesazh i rremë për presidentin e Burkina Fasos

Gjendet në YouTube, një videomesazh prej rreth 36 minutash, në anglisht, i krijuar me Inteligjencë Artificiale, i cili i atribuon në mënyrë të rreme Leonit XIV fjalë për Ibrahim Traoré

R.SH. – Vatikan

“Për Shkëlqesinë e Tij, presidentin Ibrahim Traoré, president i kombit sovran të Burkina Fasos, bir i tokës afrikane, mbrojtës i popullit të tij, u shumofshin për Ju hiri dhe paqja përmes urtisë, guximit dhe të vërtetës…” Kështu fillon mesazhi i rremë (fake news) në gjuhën angleze, që i atribuohet Papës dhe është krijuar me Inteligjencë Artificiale. Një video prej rreth 36 minutash, i publikuar në YouTube nga “Pan African dreams” dhe i realizuar duke përdorur pamje nga audienca e Papës Leoni XIV me gazetarët, të hënën, më 12 maj. Është përdorur teknika “morphing”, e cila e transformon imazhin, duke bërë që lëvizja e buzëve të përshtatet me fjalët e falsifikuara me Inteligjencë Artificiale. Videoja e rreme titullohet “Papa Leoni XIV i përgjigjet Kapitenit Ibrahim Traoré - Një Mesazh i së Vërtetës, Drejtësisë dhe Pajtimit”.

 Ata që e shikojnë, shtyhen të besojnë se Papa i ri i drejton një fjalim të tërë publik presidentit të Burkina Fasos, Ibrahim Traoré, në përgjigje të një letre të tij. Në video, Leoni XIV thotë: “I kam lexuar fjalët tuaja jo një herë, por shumë herë, dhe çdo lexim ka qenë më i thellë se i mëparshmi, sepse në zërin tuaj kam dëgjuar jo vetëm zemërimin e një presidenti, por edhe britmën e drejtë të një kontinenti të plagosur prej kohësh nga tehu i dyfishtë i braktisjes dhe i shfrytëzimit”.

Videoja është një nga shumë mesazhe të rreme, denoncuar edhe nga më 15 maj e, megjithatë, u ripublikua në një version pak më të shkurtër dhe me cilësi më të ulët, gjithnjë në YouTube, nga “Nou se Legliz”. Shihet qartë që imazhi i Papës përsëritet dhe Leoni XIV kthen gjithnjë dy fletë të njëjta, gjatë gjithë kohëzgjatjes së mesazhit.

Duke pasur parasysh qarkullimin në mediat e ndryshme sociale të teksteve, që i atribuohen Papës së ri pa treguar burimin, vlen të kujtohet se të gjitha fjalimet, ndërhyrjet dhe tekstet e Leonit XIV mund të gjenden të plota në faqen e internetit . Ndërsa lajmet rreth veprimtarive dhe videomesazhet e tij mund të shihen në kohë reale në faqen e internetit të Vatican News, vaticannews.va, në gjuhë të ndryshme, si edhe në faqen e internetit të gazetës së përditshme të Vatikanit “L’Osservatore Romano”, .

21 maj 2025, 16:13