Izrael, Herzog nënshkruan librin e ngushëllimeve për Papa Françeskun
R.SH. / Vatikan
Sot paradite, në orën 10:00, Presidenti izraelit Isaac Herzog shkoi te delegacioni apostolik në Jerusalem, ku, i pritur nga Nunci Apostolik në Izrael e Qipro dhe Delegat Apostolik në Jerusalem dhe Palestinë, Imzot Adolfo Tito Yllana, nënshkroi librin e ngushëllimeve për vdekjen e Papa Françeskut.
Tregimi i nuncit apostolik
Pas nënshkrimit, nunci apostolik tha për media të Vatikanit se Presidenti Herzog "më shpjegoi se do të kishte dashur të shkonte personalisht në funeralin e Papa Françeskut, por për shkak të kufizimeve logjistike që lidhen me festimin e Yom HaShoah, ai nuk mundi ta bënte këte". Së fundi, Imzot Tito Yllana deshi të lexonte atë që Herzog shkroi në fund të mesazhit të tij të ngushëllimit: «T’është dëftuar se çfarë është e mirë dhe çfarë kërkon Zoti prej teje: të zbatosh drejtësinë, të duash mirësinë, të jetosh kujdesshëm me Hyjin tuaj». Një citat nga profeti Mikea, kapitulli 6, vargu 8. Këtu, përfundon nunci apostolik, Presidenti Herzog "ka nderuar popullin e këtij kombi dhe shprehur ndjenjat personale dhe të komunitetit, duke u bashkuar me atë që ne ndiejmë për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut".
Mesazhi i Herzogut
Kështu, Herzog deshi t’u kujtonte diplomatëve të Vatikanit admirimin e tij për humanitetin dhe përulësinë e thellë të Papës së ndjerë, së bashku me keqardhjen e tij që nuk pati mundësi ta takonte gjatë vizitës së tij të fundit në Itali. Një afërsi që u konfirmua më 22 prill të kaluar, kur një ditë pas vdekjes së Papës, presidenti izraelit shkroi një mesazh drejtuar të gjithë botës së krishterë dhe në veçanti të krishterëve të Tokës së Shenjtë. "Shpresoj sinqerisht," shkroi personaliteti më i lartë institucional izraelit, "që lutjet e tij për paqe në të gjithë Lindjen e Mesme, dhe në veçanti për kthimin e të gjithë pengjeve që mbahen ende në Gaza, të marrin së shpejti një përgjigje pozitive".
Herzog shprehu më pas ngushëllimet e tij të sinqerta "për humbjen e një ati të madh shpirtëror, Shenjtërinë e Tij Papa Françeskun", i cili ishte "njeri me fe të thellë dhe dhembshuri të pakufishme, që ia kushtoi jetën ndihmës së të varfërve dhe thirrjes për paqe në një botë të trazuar. Ai me të drejtë i dha rëndësi të madhe forcimit të lidhjeve me botën hebraike dhe promovimit të dialogut ndërfetar si një rrugë që çon drejt një mirëkuptimi dhe respekti më të madh të ndërsjellë".