MAP

Gëzimi i augustinianëve për vizitën e Papës në Kurien e tyre të përgjithshme

Rregulltarët tregojnë për mediat e Vatikanit orët e kaluara më 13 maj me Papën Leoni XIV, i cili kremtoi meshën dhe drekoi me sivëllezërit e tij. Atë Pedicino: "Gati e patëm të vështirë ta trajtonim si Papë, sepse afërsia e tij, fakti që ndenji pranë nesh, na bëri ta ndienim ende si atë Roberti". Imzot Estrada Herrera: "Na nxiti të vazhdojmë të jemi augustinianë të mirë, ta bëjmë të njohur Shën Augustinin"

R.SH. – Vatikan

Një ditë si gjithë të tjerat ajo e djeshmja, 13 maj, por që u bë e jashtëzakonshme, sepse tek augustinianët shkoi për vizitë ai, që dikur quhej thjesht atë Roberti, por që tani, është Papa Leoni XIV. Edhe si i tillë nuk i harroi sivëllezërit, të cilët i takoi në Kurien e Përgjithshme Augustiniane, që ndodhet krejt afër Vatikanit. Mbërriti me makinë rreth mesditës, kryesoi meshën dhe ndenji për drekë. Gjithçka, siç bënte edhe para se të zgjidhej Papë. U largua pak para orës 15.00, i shoqëruar rrugës nga qindra besimtarë, që brohorisnin “Rroftë Papa!”, ndërsa ai vetë i përshëndeste me dorë nga dritarja e makinës.

Mesha dhe dreka, të gjithë së bashku

Surpriza e ditës së djeshme, e cila do të mbetet në analet e Kuries Augustiniane, pak minuta pas largimit të Papës, dukej ende në sytë e gëzuar të sivëllezërve. «Sot, eprori i përgjithshëm më ftoi për drekë e për një kremtim eukaristik - tregon i emocionuar atë Gabriele Pedicino, epror provincial i augustinianëve të Italisë. – Por, pa e ditur, gjetëm Atin e Shenjtë, sivëllanë tonë të mirë, që kryesoi meshën. E jetuam së bashku Eukaristinë, pastaj drekën dhe çastin e bukur të shkëmbimit të mendimeve, gjatë të cilit edhe Papa tregoi për emocionet e tij».

Sivëllai, që u bë Papë

Familjaritetit me të cilin sivëllezërit ishin mësuar ta trajtonin kardinalin Prevost, iu shtua respekti, që i takon Atit të Shenjtë, në një spirale të çuditshme emocionesh. «Më bëri shumë përshtypje - vazhdon augustiniani - familjariteti me të cilin u ulëm së bashku në tryezë. Gati e patëm të vështirë ta trajtonim si Papë, sepse afërsia e tij, fakti që ndenji pranë nesh, na bëri ta ndienim ende si atë Roberti".

Emocionet e kardinalit Robert Francis Prevost në çastin e zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit do të mbeten sekret, ruajtur me xhelozi në atë thesar ku hyjnë vetëm gjërat më intime, çelësat e të cilit i mbajnë vetëm sivëllezërit e tij. «Deri tani – vazhdon atë Pedicino - u kemi treguar gazetarëve për emocionet e augustinianëve, ndërsa tani dëgjuam pak edhe ato të Papës. Por, gjithçka na tha, për respekt, e ruajmë si dhuratë, që deshi t’ua jepte vetëm sivëllezërve, sepse vërtet ai është vëllai ynë, por tani është Papë».

Zoja-Ndihmë e të mjerëve

Gjatë homelisë së meshës, Papa komentoi liturgjinë e ditës, por edhe u zbuloi sivëllezërve se kush do të jetë pajtorja e papnisë së tij. «Ne augustinianët – nënvizon së fundi atë Pedicino - kremtojmë Zojën Ndihma të mjerëve, prandaj, iu referua sërish devocionit të tij për Shën Marinë, ndihmës së të cilës i besohet për  shërbesën e rëndësishme, që i është caktuar».

«Përjetuam vizitën e parë të Papës te vëllezërit e tij augustinianë - komenton, ende i habitur, imzot Lizardo Estrada Herrera, edhe ai rregulltar i familjes augustiniane, ndihmës ipeshkëv i Cuzcos, Peru. - Do të thosha se kaluam një çast normal të jetës në bashkësi, sepse ai gjithmonë vinte këtu për të ndenjur me këtë bashkësi: për të ngrënë drekë dhe, thjesht, për të jetuar në bashkësi. Vetëm se tani ai është Ati i Shenjtë".

Ashtu si paraardhësi i tij, Papa Françesku, edhe Papa i ri ka kërkuar lutje për të. «Papa Leoni XIV – thekson imzot Estrada Herrera - kërkoi lutjet tona, na falënderoi dhe na nxiti të vazhdojmë të jemi augustinianë të mirë, ta bëjmë të njohur Shën Agustinin. Jemi mirënjohës që e jetuam këtë çast gëzimi. U kënaqëm me të, ishte vërtet një emocion i veçantë».

14 maj 2025, 10:47