Të bëhesh i vogël, në mënyrë që Jezusi të njihet
R.SH. / Vatikan
Andrea Tornielli
Ka fjalë që synojnë të tregojnë rrugën. Në homelinë e parë të Papës Leoni XIV, të prek para së gjithash fillimi, me rrëfimin e përsëritur të fesë së Pjetrit, me ato fjalë që ai deshi t’i përsëriste në fund të homelisë së Meshës të papatit edhe Gjon Pali I: "Ti je Krishti, Biri i Hyjit së gjallë”. Por ka edhe një shikim mbi Kishën e mbi mënyrën se si ushtrohet çdo shërbim në Kishë, që duket qartë në frazat përfundimtare. Është një citat nga Shën Injaci i Antiokisë, që çohej drejt martirizimit: "Atëherë do të jem vërtet një dishepull i Jezu Krishtit, kur bota nuk do ta shohë më trupin tim".
Ati i madh i Kishës kujtonte çastin kur shqyhej nga bishat, e megjithatë kjo shprehje është ndriçuese për çdo çast dhe çdo rrethanë të jetës së krishterë: “Fjalët e tij – tha Ipeshkvi i ri i Romës - në kuptimin më të përgjithshëm të kujtojnë një angazhim të pakthyeshëm për këdo që ushtron në Kishë një shërbesë autoriteti: të zhduket, në mënyrë që Krishti të mbetet; të bëhet i vogël, në mënyrë që Ai të njihet dhe të lumnohet. Të braktisë çdo spikatje, çdo besim në pushtet, në struktura, në para, në projekte marketingu fetar, për ta lëshuar plotësisht veten në duart e Atij, që i prin Kishës, pa të cilin - siç tha Ai Vetë – nuk mund të bëjmë asgjë. Për t’ia lëshuar veten veprimit të hirit të tij, i cili na paraprin gjithmonë.
Edhe në këtë këndvështrim të Papës së ri ekziston një vazhdimësi e rëndësishme me paraardhësin e tij, Françeskun, i cili e përmendte vazhdimisht mysterium lunae, figurën e hënës të përdorur nga Etërit e Kishës për të përshkruar Kishën e cila do të mashtrohej nëse do të mendonte se mund të shkëlqente me dritën e vet, ndërsa mund të reflektojë vetëm dritën e një Tjetri.
Në fillim të udhës së të tij, Papa i ri, misionar i lindur në SHBA, që jetoi në periferi të botës si bari “me erën e deleve”, duket se i bën jehonë fjalëve të Gjon Pagëzuesit për Jezusin: Ai duhet të rritet, unë të zvogëlohem. Çdo gjë në Kishë ekziston për mision, domethënë, që Ai të rritet. Të gjithë në Kishë - nga Papa - deri te i fundit i të pagëzuarve – duhet të bëhen të vegjël, në mënyrë që Jezusi të njihet, që ai të jetë protagonisti. Është pikërisht në këtë, shqetësimin augustinian të kërkimit të së vërtetës, të kërkimit të Zotit, që shndërrohet në shqetësimin e njohjes së Tij gjithnjë e më shumë dhe të daljes nga vetja për ta bërë të njohur të tjerëve, në mënyrë që dëshira për Zotin të rizgjohet tek të gjithë.
Zgjedhja e emrit Leon është mbresëlënëse, pasi e lidh atë drejtpërdrejt me traditën e madhe dhe shumë aktuale të Doktrinës Sociale të Kishës, me mbrojtjen e punëtorëve, me kërkesën për një sistem ekonomiko-financiar më të drejtë. Thjeshtësia e përshëndetjes së tij të parë është domethënëse, thirrja e paqes së Pashkëve, ajo paqe që nevojitet kaq shumë, dhe afërsia ndaj të gjithëve, që i bën jehonë “todos, todos, todos” të Françeskut. Vullneti për të vazhduar në rrugën sinodale është i habitshëm. Së fundmi, ajo që të bën përshtypje është se “Të falemi Mari” e thënë me popullin e Zotit, në ditën e lutjes drejtuar Zojës së Pompeit dhe thirrja e fundit e homelisë së tij të parë, hir i kërkuar “me ndihmën e ndërmjetësimit të dhembshur të Marisë, Nënës së Kishës”.
Dje, edhe një herë, patëm konfirmim për këtë: në çastin e extra omnes, në Kapelën Sikstine ndodhi diçka që nuk mund të shpjegohet plotësisht nga logjika dhe skemat njerëzore. Që 133 kardinalë nga çdo cep i tokës, shumë prej të cilëve pa u takuar kurrë më parë, të mbërrijnë brenda njëzet e katër orësh për të emëruar Ipeshkvin e Romës dhe Bariun e Kishës universale, është një shenjë e bukur uniteti. Shkopi i Pasardhësit të Pjetrit, i cili pak ditë më parë shkëlqeu në brishtësinë e Françeskut dhe në bekimin e tij të fundit të Pashkëve drejtuar popullit, tani i ka kaluar një ipeshkvi misionar të butë, bir i Shën Augustinit. Kisha është e gjallë sepse është i gjallë dhe i pranishëm Jezusi, që i prin duke u shërbyer nga dishepuj shumë të brishtë, të gatshëm të zhduken që Ai, dhe vetëm Ai, të mbetet.