'Papal Foundation', 14 milionë dollarë për popullatat nevojtare, në më se 60 vende
R.SH. / Vatikan
'Papal Foundation', organizatë bamirëse amerikane që mbështet iniciativën e Papës ndër vendet në zhvillim, njoftoi se do të ndajë 10 milionë dollarë për projekte ndihme, identifikuar më parë nga Vatikani. 4 milionë dollarë shtesë do të ndahen për ndihmë urgjente humanitare përmes fondit të misionit. Mbështetja do të përfshijë furnizimin me ujë të pastër, rindërtimin e shkollave, restaurimin e Kishave, të seminareve dhe objekteve shëndetësore, pa harruar edhe kujdesin për priftërinjtë e moshuar. “Këto investime janë në zemër të misionit tonë për t’ua çuar dashurinë e Krishtit atyre që kanë më shumë nevojë”, tha Edward (Ward) Fitzgerald III, president i ri i 'Papal Foundation'. Kardinali Timothy Dolan, Kryeipeshkëv i Nju Jorkut, u emërua kryetar i Këshillit të Administratës.
Shtegtimi Jubilar
Si Kardinali Dolan, ashtu edhe Ward Fitzgerald III, po marrin pjesë aktualisht në një shtegtim në Romë lidhur me Vitin Jubile. Më shumë se 80 anëtarë të 'Papal Foundation', të njohur si Rojet e Shën Pjetrit, së bashku me të gjitha familjet e tyre, do t’i kalojnë Portat Shenjte të katër bazilikave papnore: të Bazilikës së Shën Pjetrit, të Shën Gjonit në Lateran, Shën Marisë së Madhe dhe Shën Palit Jashtë Mureve. “Ungjilli sipas Mateut na mëson: “Çdo gjë që bëtë për një nga më të vegjlit e këtyre vëllezërve dhe motrave të mia, e bëtë për mua’”- pohoi Kardinali Timothy Dolan. E shtoi se në një botë që ka pabarazi ekonomike në rritje, Kujdestarët e Shën Pjetrit e marrin seriozisht përgjegjësinë e tyre për t'u "shërbyer të varfërve dhe të ligshtëve me besim e dhembshuri". Këtë theksoi presidenti i sapozgjedhur i 'Papal Foundation' në një intervistë me mediat e Vatikanit, duke përsëritur se qëllimi i organizatës është t'i shërbejë Pasardhësit të Shën Pjetrit dhe ta mbështesë Kishën atje ku nevojat janë më të mëdha.
"Padyshim, papnia e Papës Françesku ka qenë kohë e veçantë për t'u shtrirë dorën të varfërve. Ai kishte një dashuri të madhe për të varfrit e edhe ne kemi kaluar shumë kohë vitet e fundit, nën udhëheqjen e Eustace Meta dhe Kardinalit Sean O'Malley, duke u shërbyer të varfërve në të gjithë botën" - kujtoi Ward Fitzgerald III. Mbledhja e fondeve të këtij viti është homazh për “zemrën e madhe dhe trashëgiminë e dashur të Papës Françesku. Administratorët e Shën Pjetrit nderohen që mbështesin vizionin e Atit të Shenjtë, duke iu përgjigjur nevojave urgjente të botës, nga fëmijët, jetimët dhe nënat në pritje - deri tek të moshuarit dhe njerëzit me aftësi të kufizuara. Çdo dhuratë pasqyron një impenjim lutës për t'u kujdesur për të prekshmit, për të forcuar Kishën dhe për ta ndarë shpresën e Ungjillit ndër kombet në rrugë zhvillimi”.
Mbështetje për arsimin
Përveç të gjitha ndihmave, 'Papal Foundation' u ka dhënë edhe 800,000 dollarë për bursa më shumë se 100 priftërinjve, rregulltarëve dhe seminaristëve. Kjo mbështetje u krijon atyre mundësinë të studiojnë në Romë, në kuadër të Programit të Bursave të Shën Gjon Palit II, nisur nga John dhe Carol Saeman dhe anëtarë të Fondacionit Papnor. "Para së gjithash, dua t'ju falënderoj sinqerisht për këtë mundësi studimi. Sot, studimi nuk është thjesht i nevojshëm, por është themelor, sepse sfidat e botës së sotme kërkojnë njerëz kompetentë që përgatiten për t'u dhënë përgjigje konkrete të tjerëve. Unë studiova katekizëm dhe baritori rinore e tani jam gati të përballem me njerëzit dhe t'u shërbej" - tha Motër Viviane Wela Mazalo, e cila po përfundon studimet në Fakultetin Papnor të Shkencave Arsimore të Ndihmës, në Romë. “Grupi që gjejmë në institucionet e ndryshme të arsimit të lartë, në Romë, dhe që po e arrijmë më të avancuar dhe me një doktoraturë në teologji dhe filozofi, është shumë krenar për faktin se rrënjët e tij janë thellë në mbështetjen e Fondacionit Papnor. Dhe ne e dimë se dashuria e tij për Kishën shumëfishohet nga të mirat që Thesarmbajtësit e Shën Pjetrit, anëtarë të 'Papal Foundation', ua japin atyre me bursat e studimit” - thekson kryetari Fitzgeral III.
Dashuria e Kishës në veprim
“Çdo ndihmë, çdo bursë dhe çdo akt mbështetjeje është shenjë e prekshme e dashurisë së Kishës në veprim”, thotë David Savage, drejtor ekzekutiv i 'Papal Foundation'. “Përmes këtij misioni të fesë së përbashkët, ne bashkojmë laikët, klerin dhe udhëheqjen e Kishës në shërbim të vizionit të Atit të Shenjtë për forcimin e Kishës globale dhe mbështetjen e anëtarëve të saj më të ligësht. Shpresojmë se katolikët e të gjitha dioqezave në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do ta kenë në konsideratë bashkimin në këtë mision”.