MAP

2017.06.29 Santa Messa San Pietro e San Paolo, statua San Pietro

Emri i Atit të Shenjtë: "çertifikatë e lindjes" e Papës së ri

Pas zgjedhjes në fronin e Pjetrit, zëvendësimi i emrit të pagëzimit me atë të papës u bë, gjatë shekujve, zakon mijëvjeçar i rrënjosur thellë në historinë e Kishës, që lidhet me zanafillën e Krishterimit: ishte Jezusi ai që ia ndryshoi emrin apostullit Simon. E quajti Pjetër Papën e parë.

R.SH. / Vatikan

"Nëse unë nuk shkoj, sigurisht do të shkojë Gjoni XXIV." Me këto fjalë, më 4 shtator 2023, Papa Françesku iu përgjigj në konferencën për shtyp gjatë fluturimit të kthimit nga Mongolia, pyetjes së një gazetari në lidhje me mundësinë e shtegtimit apostolik në Vietnam. A do të jetë Gjoni, emri që do të zgjedhë Papa i ardhshëm? Fjalët e Françeskut ndoshta mund të vërtetohen nga faqja e afërt e historisë së Kishës, që do të hapet me Konklavin, por kjo nuk është e mundur të përcaktohet para zgjedhjeve: është vendim personal, që do të merret nga pasardhësi i ri i Pjetrit.

"Si dëshiron të quhesh"?

Zgjedhja e Papës është rruga kryesore në konklav. Dy pyetje, pas një votimi të vlefshëm, paraprijnë veshjen e parë të ipeshkvit të ri të Romës me rroba papnore: A e pranoni zgjedhjen e ipeshkvit të ri të Romës për herë të parë me rroba papnore? A e pranoni zgjedhjen kanonike të bërë si Summum PontificemQuo nomine vis vocari? (Si doni të quheni?).

Nëse zgjedhja pranohet, turma e besimtarëve do të dëgjojë protodiakonin duke shqiptuar në latinisht këto fjalë, që do të jehojnë në mbarë botën: "Nuntio vobis gaudium magnum: habemus papam! Eminentissimum et reverendissimum dominum ..., qui nomen sibi imposuit". “Ju kumtoj një gëzim të madh: kemi Papën! Më të shquarin e më të nderuarin Zotëri... i cili i ka zgjedhur dhe emrin...”.

Këto fjalë zakonisht shqiptohen nga lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit. Emri i Papës së ri mbetet fjala e parë e gdhendur në mendjet, e jo vetëm të krishterëve.

Emër i ri

Në formulën e kumtimit, të njohur me shprehjen “Habemus papam”, shqiptimi i fjalës nomen - një nga elementët themelorë, që e dallojnë identitetin e njeriut - është një çast vendimtar, i cili i paraprin  “lindjes”, zgjedhjes së një identiteti të ri. Është çasti në të cilin turma, e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, mbi të cilin duket tymi i bardhë, pret emrin e zgjedhur nga Papa i ri. Emri papnor shqiptohet, tradicionalisht, në njërën nga dy rasat e gramatikës latine, në gjinore ose kallëzore e, në të kaluarën, edhe në emërore, dhe ndoshta pasohet nga një mbiemër numëror rendor. Për shembull, nëse Papa i ri e quan veten Françesk, si paraardhësi i tij, në këtë rast emri i Papës së 267-të do të jetë ai i Françeskut II.

Emrat më të përdorur, e ata që nuk u zgjodhën kurrë

Tradita e ndryshimit të emrit pas zgjedhjes në fronin papnor në rrjedhë shekujsh u bë zakon. E u lidh edhe me zanafillën e historisë së Kishës. emri i Papës së parë është Pjetër. “Ti je Pjetri - shkëmbi - dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time” i tha Jezusi njërit prej apostujve të tij, i cili quhej Simon. Emri i pagëzimit zëvendësohet me atë papnor, për të nxjerrë në pah "një lindje të dytë" në të cilën thirret ipeshkvi i Romës, pas zgjedhjes. Ndër emrat më të përdorur nga Papët pas zgjedhjes janë Piu, Gregor, Gjoni, Benedikti, Inocenti, Leoni dhe Klementi. Lista e emrave të Papëve përfshin, ndër të tjera, edhe emrin e Jozefit, Jakobit, Andresë dhe Lukës. Asnjë Papë, deri më tani, nuk u quajt Pjetër, si Papa i parë.

Emrat e Shenjtorëve dhe të Apostujve

Emri papnor lidhet, në shumë raste, me ato të shenjtorëve e të apostujve. Pali VI, për shembull, e motivoi këtë zgjedhje me fjalët e mëposhtme: "Pali - tha Papa Montini gjatë homelisë së tij më 30 qershor 1963 - është Apostulli që e deshi në kulm Krishtin, që dëshiroi dhe u përpoq në kulm t'ua çonte Ungjillin e Krishtit të gjithë njerëzve, që e ofroi në kulm gjithë jetën e tij për dashurinë e Krishtit". Papnia është zinxhir, varg emrash. "Doja ta quaja veten Benedikti XVI – pati thënë Papa Joseph Ratzinger në audiencën e përgjithshme të 27 prillit 2005 - për t'u rilidhur idealisht me Papën e nderuar Benedikti XV, i cili udhëhoqi Kishën në një periudhë të trazuar për shkak të Luftës I Botërore... Emri Benedikt gjithashtu kujton figurën e jashtëzakonshme të 'Patriarkut të madh të monakizmit perëndimor', Shën Benediktit të Norcias".

Papa Bergoglio zgjodhi një emër, që nuk u përdor kurrë nga paraardhësit të tij. Në audiencën me përfaqësuesit e medias, më 16 mars 2013, Papa Françesku e shpjegoi zgjedhjen e tij me këto fjalë: "Emri më erdhi në zemër: Françesku i Asizit". Për mua ai është njeriu i varfërisë, njeriu i paqes, njeriu që e do dhe e mbron krijimin”.

Motivime afektive

Zgjedhja e emrit lidhet edhe me arsye emocionale. “Fjalor i Ioannes. Emri ynë është i ëmbël, emri ynë është patris Nostri... Do të quhem Gjon. Ky emër - shpjegoi Gjoni XXIII në fjalimin e 28 tetorit 1958 me të cilin pranoi mandatin e Pjetrit – është i ëmbël për ne, sepse është emri i atit tonë, është i butë për ne, sepse është titullari i famullisë së përulur në të cilën morëm pagëzimin: është emri solemn i katedraleve të panumërta, të përhapura në mbarë botën dhe, para së gjithash, i Bazilikës më të shenjtë Laterane”.

Emri i dyfishtë

Emri lidhet gjithashtu me disa zgjedhje të pazakonta: në historinë dy mijëvjeçare të Kishës, ishte Papa Gjon Pali I që zgjodhi, për herë të parë, një emër të dyfishtë. “Nuk kam as sapientia cordis të Papës Gjoni, as përgatitjen dhe kulturën e Papës Pali” - deklaroi ai gjatë Engjëllit të Tënzot më 27 gusht 1978, “por unë jam në vendin e tyre, duhet të përpiqem t’i shërbej Kishës”.

Disa Papë zgjodhën emrin e paraardhësit të tyre. Si Gjon Pali II, që trashëgoi atë të Papës Luciani. “Papa i ri”, shpjegoi Papa Wojtila në audiencën e përgjithshme të 22 gushtit 1979, «zgjodhi dy emra: Gjon e Pal. E mbaj mend mirë atë çast, kur në Kapelën Sikstine shprehu vullnetin e tij: Dua të kem emrat e Gjonit e të Palit. Ky vendim kishte një elokuencë bindëse. Personalisht, më dukej një vendim karizmatik».

Emri i Papës së 267-të

Në këto ditë që i paraprijnë fillimit të Konklavit, mund të formulohen vetëm hipoteza rreth emrit të Papës së 267-të në historinë e Kishës. Me sa duket do të jetë ajo e njërit prej paraardhësve të tij, ndoshta ajo e një Shenjtori. Mund të jetë një emër që është përdorur shumë herë në historinë dymijëvjeçare të Kishës. Mund të jetë edhe një emër që nuk është zgjedhur kurrë deri më sot.

Sigurisht, çka ipeshkvi i ri i Romës do të zgjedhë, do të jetë emri i vikarit të ri të Krishtit, i cili do të përfshihet në një sërë emrash, mësimesh dhe shërbesash. Papa, siç kujtohet në Kushtetutën Dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, është "burimi dhe themeli i përhershëm dhe i dukshëm i unitetit si të ipeshkvijve, ashtu edhe i shumicës së besimtarëve". Edhe nëpërmjet emrit të Papës mund të lexohet dhe të ndjehet universaliteti i Kishës, i përhapur në të gjithë Tokën dhe i bashkuar me pasardhësin e Pjetrit. Emri i Papës së ri, i lidhur ngusht me mësimet e tij, do të jetë busull, që do t’i prijë popullit në rrugën e Zotit, në këto çaste kaq të ndërlikuara të historisë.

05 maj 2025, 14:36