"Dëshironi të luani pak?": kampioni i tenisit Sinner takon Papën
R.SH. – Vatikan
“Topi, ja ku është. Nëse dëshironi të luani pak...”. "Po këtu thyejmë ndonjë gjë! Më mirë jo". Salla e vogël pas asaj të Palit VI, në Vatikan, fatmirësisht a jo, nuk u kthye në fushë tenisi, gjatë audiencës së Papës Leoni XIV me tenistin e famshëm italian Jannik Sinner, që u prit sot paradite së bashku me prindërit dhe me presidentin e FITP-së (Federata Italiane e Tenisit dhe e Padel), Angelo Binaghi, i cili i dha Papës një kartë nderi anëtarësimi.
Një çast i shkurtër përshëndetjeje dhe bisede, batutash e dhuratash (ndër të cilat një kopje e raketës së Sinner), me numrin NJË të tenisit në botë, i cili, aktualisht, është i impenjuar në Turneun Ndërkombëtar të Romës. Sinner - emri të cilit, nga anglishtja, do të thotë “Mëkatar”, gjë që ka shkaktuar komente nga më të ndryshmet e më simpatiket, duke e parë në audiencë me Papën - nënvizoi se ndihej “shumë i nderuar”, që takoi Leonin XIV, i cili nuk e ka fshehur kurrë pasionin e tij për tenisin.
Papa informohet për Turneun Ndërkombëtar të Romës
Ati i Shenjtë u tregua shumë i interesuar dhe i informuar rreth ndeshjeve, që po zhvillohen këto ditë në Turneun Ndërkombëtar të Romës, ku Sinner ka arritur në çerekfinale. "Si e ndieni veten në Romë?" e pyeti ai atletin e ri. "Tani jemi mirë në lojë. Në fillim të turneut ishte pak e vështirë, tani, me tre ndeshje, e kemi marrë pak ritmin". “Guxim!” u përgjigj Papa, duke i pyetur prindërit se çfarë gjuhe flasin në shtëpi, italisht apo gjermanisht, duke qenë ata nga Alto Adige, ku gjermanishtja është gjuhë zyrtare.
Batuta dhe të qeshura
Gjatë takimit, batuta dhe të qeshura, veçanërisht kur Sinner nxori raketën për t’ia dhënë Papës. Leoni XIV, duke parë raketën, që është kopje e asaj të tenistit të njohur, i tha menjëherë: “Në Wimbledon do të më lejonin të luaja”. Jo më pak se dy ditë më parë, Papa e përmendi Sinner-in gjatë audiencës me përfaqësuesit e shtypit botëror. Të hënën, një gazetar i propozoi një ndeshje tenisi për bamirësi, duke i thënë: “unë po sjell Agassi-n” (ish-tenist amerikan). E Ati i Shenjtë iu përgjigj: “Ide e mirë, vetëm mos më sill Sinner”, duke shprehur me shaka frikën nga një sfidë me kampionin e madh.
"Një Papë, tenist i vërtetë"
“Gjetëm një Papë, tenist të vërtetë, tenist të apasionuar, tenist praktikant, sidomos tenist i informuar për ç’po ndodh në turneun ndërkombëtar të BNL d’Italia në Romë. Ishte surprizë shumë e këndshme”, komentoi Binaghi për mediat e Vatikanit. E tregoi se Papa "e përgëzoi disa herë Jannik-un dhe gjithë të rinjtë e të rejat e tjera lojtare për mesazhin që përçojnë, veçanërisht jashtë fushës, me thjeshtësinë, me respektin e tyre për kundërshtarët. Është mesazh solidariteti, gjithëpërfshirjeje, miqësie, ata janë bartës të vërtetë të paqes dhe besoj se kjo është gjëja më e rëndësishme edhe për ne".
Ndeshjet në Peru dhe stërvitja në Romë
Ndoshta, pikërisht për këtë mesazh, Papa Prevost, tifoz edhe i ekipit të bejsbollit të Çikagos White Sox, ka thënë gjithnjë se tenisi është sporti i tij i zemrës. E tregonte vetë në një intervistë të dy viteve më parë, me rastin e krijimit të tij kardinal, për Urdhrin Augustinian, botuar në faqen zyrtare të Urdhrit: “E konsideroj veten amator”, thoshte kardinali i atëhershëm, por që kur u largua nga Peruja, vendi ku kreu shërbimin e tij misionar për rreth njëzet vjet, “kam pasur pak mundësi për të luajtur tenis, kështu që mezi pres të kthehem në fushë. Megjithëse, puna ime e re nuk më ka lënë shumë kohë të lirë për këtë, deri tani”.
Në Çiklajo, dioqeza peruviane ku ishte ipeshkëv, Prevost stërvitej me disa meshtarë, përfshirë sekretarin aktual Edgar Rimaycuna Inga, që të mos e humbiste "goditjen mbrapsht, pra, mbrojtjen e tij të mirë", siç kujtojnë ata, që e njohin. Në Romë, ndodhte që kardinali i atëhershëm luante të dielave në fushën e tenisit të Institutit Patristik Augustinianum, një hap larg Vatikanit, me pamje nga kupola e Shën Pjetrit.
Vetë Sinner shprehu mendimin e tij mbi pasionin e Papës në konferencën për shtyp, pas fitores kundër Jesper de Jong, në Turneun Ndërkombëtar të Romës: "Dëgjova se ai luante kur ishte i vogël dhe për ne tenistët është diçka e bukur që Papës i pëlqen sporti ynë".