MAP

2025.05.19 Sua Santità Bartolomeo I, Patriarca Ecumenico di Costantinopoli

Bartolomeu takon Leonin XIV: "Ai dëshiron të vijë në Nike"

Patriku Ekumenik i Kostandinopojës u prit në audiencë dje nga Papa, me të cilin theksoi rëndësinë e promovimit dhe të thellimit të dialogut teologjik ndërmjet Kishave Ortodokse dhe Katolike, si edhe impenjimin për paqen dhe ambientin. Në orët e para të pasdites, Bartolomeu I shkoi në bazilikën e Zojës së Madhe për t'u lutur te varri i "mikut të dashur", Françeskut: "I kërkova lutjen e tij nga qielli për të gjithë ne dhe për pasardhësin e tij"

R.SH. – Vatikan

Dje paradite (19 maj), në audiencë me Papën Leoni XIV për dialogun e parë privat, shkëmbimin e dhuratave, premtimin e impenjimit të përbashkët për paqen dhe ambientin, si edhe për të shprehur dëshirën e takimit në Nike për 1700-vjetorin e Koncilit. Ndërsa pasdite, në bazilikën e Zojës së Madhe, për t’i bërë homazhe – me këngë, lutje dhe një buqetë me trëndafila të bardhë – Françeskut, Papës që gjithnjë e quajti “vëlla i dashur” e me të cilin shkonte në udhëtime e ndante çaste të rëndësishme të shërbesës së ndërsjellë. Kjo ishte dita e djeshme për Patrikun Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I, i cili ndodhet në Romë, ku, të dielën paradite, mori pjesë në meshën për fillimin e shërbesës së Papës Leoni XIV në Sheshin e Shën Pjetrit. Ati i Shenjtë e priti në audiencë dje paradite në Pallatin Apostolik, në Vatikan.

  (@Vatican Media)

Audienca në Vatikan

Një takim “i përzemërt”, siç njoftohet në një deklaratë të Patrikanës Ekumenike, gjatë të cilit Bartolomeu “e uroi personalisht Papën e ri për zgjedhjen e tij dhe nënvizoi, ndër të tjera, rëndësinë e vazhdimit të promovimit dhe të thellimit të dialogut teologjik ndërmjet dy Kishave, asaj Ortodokse dhe asaj Katolike Romake”. Gjithashtu, vuri në dukje nevojën e bashkëpunimit edhe për “çështje me interes shoqëror, siç janë rivendosja dhe ruajtja e paqes në botë, mbështetja për të vuajturit dhe mbrojtja e ambientit natyror”.

Dialogu dhe bashkëpunimi

Papa Leoni XIV i shprehu mirënjohje Patrikut për praninë e tij në meshën për fillimin e shërbesës së Shën Pjetrit dhe – vijon nota - "nënvizoi rëndësinë e nxitjes së dialogut dhe të bashkëpunimit ndërmjet të krishterëve". Siç bëri edhe në audiencën e tij të parë me përfaqësuesit e shtypit botëror, Ati i Shenjtë “shprehu dëshirën e fuqishme për të shkuar në Turqi, brenda vitit aktual, në një datë për t’u caktuar, që të përkujtojë së bashku me Patrikun, 1700-vjetorin e Koncilit të parë Ekumenik të Nikesë”.

Gjatë shkëmbimit të dhuratave, Patriku Bartolomeu I i dhuroi Papës Leoni një ikonë të Virgjërës Mari Odigitria, të pikturuar posaçërisht për këtë rast në Malin Athos, temjan të përgatitur nga murgjit e Athosit, si edhe librat e tij. Ati i Shenjtë i dhuroi një përfaqësim artistik të Pagëzimit.

Patriku Bartolomeu I te varri i Papës Françesku

Dëshira për të shkuar në Nike

«Pashë me kënaqësi të madhe se mund të vazhdojmë në të njëjtën rrugë të Kishave tona për gjithë Krishterimin, për paqen në botë», komentoi vetë Patriku Ekumenik jashtë bazilikës së Zojës së Madhe, ku shkoi pasdite për të bërë homazhe në varrin e Papës Françesku. Pasardhësi i tij Leoni XIV, pohoi Bartolomeu, “më siguroi se dëshiron të vijë në Turqi” për 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë”, dëshirë e shprehur shpesh nga Françesku, i cili nuk mundi të shkojë. Nuk është caktuar ndonjë datë konkrete, sqaroi Patriku ortodoks, por periudha e mundshme është nëntori, kur kremtohet festa e Shën Andreut.

Në lutje te "miku i dashur" Françesku

Duke kujtuar “mikun e dashur dhe të respektueshëm, Papën Françesku, me të cilin bashkëpunuam për të mirën e Kishës dhe të njerëzimit gjatë papnisë së tij”, Bartolomeu I shpjegoi se la trëndafila të bardhë mbi varr, si edhe i kërkoi “lutje nga qielli për të gjithë ne dhe për pasardhësin e tij”.

20 maj 2025, 10:02