Shën Gjon Pali II, një apostull ndërmjet Tokës e Qiellit, për t’ia hapur portat Krishtit
R.SH. / Vatikan
Në këtë Vit Shenjt të Shpresës 2025 mbushen 20 vjet nga vdekja e Gjon Palit II. Testamenti i tij shpirtëror hapet me fjalë, të cilat lidhen me "thirrjen e fundit" të Zotit: "Ruhuni, mbasi nuk e dini se në cilën ditë do të vijë Zoti juaj (Mt 24,42). “Nuk e di se kur do të vijë”, pati shkruar Papa Wojtyła, “por si çdo gjë tjetër, unë e lë këtë çast në duart e Nënës së Mësuesit tim Jezus: Totus Tuus”. Ajo ditë, si për të gjithë, erdhi edhe për atë burrë që u lind në vitin 1920, në Wadowice të Polonisë dhe që u lartua në fronin e Pjetrit më 16 tetor 1978. Papa Wojtyła vdiq më 2 prill 2005, në orën 21:37. Tre milionë shtegtarë erdhën në Romë për lamtumirën e fundit dhe për funeralin, të bashkuar nga një thirrje buçimtare: "Shenjt, menjëherë!". Kjo kërkesë e përzemërt popullore gjeti epilogun e shumëpritur më 27 prill 2014, të dielën e Mëshirës Hyjnore, ditën e shenjtërimit të Gjonit XXIII dhe Gjon Palit II.
Hapjani në dy kapakët portat Krishtit!
Papa Wojtyła vdiq 20 vjet më parë. Po apostullimi i tij nuk vdiq! Nga qielli, vijon të jetë gurrë e pashterrshme dashurie për njerëzimin. Nëse ai do të mund të dukej rishtas nga Pallati Apostolik, ndoshta gjatë lutjes Mariane tsë Engjëllit të Zotit, sigurisht që do t'i nxiste të krishterët që t'ia hapnin kufijtë dhe dyert e zemrave të tyre Jezusit. Duket se fjalët që shqiptoi më 22 tetor 1978, gjatë predikimit të parë të Papnisë, do të vijonin të tingëllonin me përkim absolut, veçanërisht në kohën tonë. Në këtë Jubile! Si ftesë për të kaluar pragun e Portës Shenjte, për t’i hapur Zotit dyert në të dy kanatat.
Vëllezër e motra! Mos kini frikë ta mirëprisni Krishtin dhe të pranoni pushtetin e tij! Ndihmojeni Papën e të gjithë ata, që duan t'i shërbejnë Krishtit dhe, me fuqinë e Krishtit, t'i shërbejnë njeriut e mbarë njerëzimit! Mos kini frikë! Hapjani, madje në dy kanatat portat Krishtit! Pushtetit të tij shëlbues hapjani kufijtë e shteteve, sistemet ekonomike e politike, fushat e gjera të kulturës, të qytetërimit e të zhvillimit. Mos kini frikë! Krishti e di "çka ka përbrenda njeriut". Vetëm ai e di!
Toka Shenjte ka nevojë për pajtim
Këto ditë janë hapur plagë të thella, që copëtojnë vise të ndryshme të Tokës. Lindja e Mesme vazhdon të tronditet nga tmerret dhe tragjeditë. Fjalimi i mbajtur më 12 shkurt 2004 nga Papa Gjon Pali II, drejtuar ministrit të atëhershëm të Autoritetit Palestinez, Ahmad Qurei, hapet me një reflektim që vijon ta sfidojë të gjithë familjen njerëzore. Sot: "Situata e trishtuar në Tokën e Shenjtë është shkaktare vuajtjeje për të gjithë. Askush nuk duhet t'i dorëzohet tundimit të çkurajimit, aq më pak të urrejtjes a të hakmarrjes. Toka Shenjte ka nevojë për pajtim: falje, jo hakmarrje; ura, jo mure. Kjo kërkon që të gjithë krerët në rajon të ndjekin, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, rrugën e dialogut dhe negociatave, që të prin drejt paqes së qëndrueshme".
Urimi për Ukrainën
Një tokë tjetër e shkatërruar nga lufta shtrihet në pjesën lindore të Evropës. Urimi, i shprehur në vitin 2001 nga Papa Gjon Pali II gjatë shtegtimit apostolik në Ukrainë, skicon rrugën e paqes, që bashkon Lindjen me Perëndimin dhe "vlera të ndryshme, ndonëse plotësuese".
Dëshira ime është që Ukraina të mund të integrohet plotësisht në një Evropë që përfshin të gjithë kontinentin, nga Atlantiku deri në Urale. Siç pata thënë në fund të atij viti 1989, me rol kaq të rëndësishëm në historinë e re të kontinentit, nuk mund të ketë "një Evropë paqësore, që rrezaton qytetërim, pa këtë osmozë dhe këtë pjesëmarrje të vlerave të ndryshme por plotësuese", tipike për popujt e Lindjes dhe të Perëndimit (Mësimet e Gjon Palit II, XII/2, 1989, f.
Angazhimi për paqen dhe çarmatimin
Jini zejtarë dhe rojtarë të paqes! Në Papninë e Gjon Palit II, kjo thirrje u dëgjua gjatë shumë fjalimeve, takimeve, thirrjeve dhe reflektimeve. U lidh ngusht edhe me çaste të historisë të prekura nga tensione e konflikte. Fjalë që dëgjohen edhe këtë herë, kur planet e riarmatimit në Evropë vazhdojnë të hartohen gjithnjë e më me hollësira. Gjatë vizitës së tij në “Memorialin e Paqes” në Hiroshima, më 25 shkurt 1981, Papa Vojtila fillimisht iu drejtua krerëve të shteteve dhe qeverive, në gjermanisht një herë e, më pas, të rinjve në rusisht:
Të punojmë për paqen në drejtësi; e të marrim një vendim solemn tani që lufta nuk do të lejohet kurrë më ose nuk do të shihet si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve; t'u premtojmë njerëzve tanë se do të punojmë pa u lodhur për çarmatimin dhe heqjen e të gjitha armëve bërthamore; ta zëvendësojmë dhunën dhe urrejtjen me besimin dhe shqetësimin... Të rinjve të botës u them: të krijojmë së bashku një ardhmëri të re vëllazërimi dhe solidariteti; të shkojmë drejt vëllezërve dhe motrave tona nevojtare, ta shuajmë urinë, t'u japim strehim të pastrehëve, të çlirojmë të shtypurit, të sjellim drejtësinë ku dëgjohet vetëm zëri i armëve. Zemrat tuaja të reja kanë kapacitet të jashtëzakonshëm për të mirën dhe dashurinë: vërini ato në shërbim të njerëzve të tjerë, si ju.
Një shkëmb në fe
Edhe në ligështinë e tij, Gjon Pali II tregoi forcë të jashtëzakonshme. Forcë, që gurron nga Feja! Më 2 prill 2006, në përvjetorin e parë të vdekjes së Papës Wojtyła, ai çast u rijetua me një lutje mbrëmësore mariane. Të nesërmen, Papa Benedikti XVI kryesoi Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit e, gjatë predikimit, kujtoi karakterin “thellësisht meshtarak të gjithë jetës së tij".
E pra, Papa i ndjerë, të cilin Zoti e kishte pajisur me dhanti të shumta njerëzore dhe shpirtërore, duke kaluar nëpër kryqin e punës dhe sëmundjes apostolike, dukej gjithnjë e më shumë si "shkëmb" në fe. Ata që patën rastin ta takonin nga afër, mundën të preknin thuajse me duart e tyre besimin e tij të sinqertë dhe të vendosur i cili, nëse i bënte përshtypje rrethit të bashkëpunëtorëve të tij, nuk mungoi të përhapte, gjatë Papnisë së gjatë, ndikimin dobiprurës në të gjithë Kishën, me një kreshendo që arriti kulmin në muajt dhe ditët e fundit të jetës së tij. Një fe e bindur, e fortë dhe e mirëfilltë, pa frikë e kompromise, që preku zemrat e shumë njerëzve, falë edhe shtegtimeve të shumta apostolike në të katër anët e botës, e veçanërisht falë atij “shtegtimi” të fundit, që ishte agonia dhe vdekja e tij.
Papa i familjes
Ka ditë, që janë të skalitura në historinë e Kishës. Më 27 prill 2014, Papa Françesku kryesoi Meshën Shenjte për shenjtërimin e Gjonit XXIII dhe të Gjon Palit II. Me atë rast, duke kujtuar paraardhësit e tij, na nxiti të jetojmë “thelbin e Ungjillit, pra dashurinë, mëshirën, në thjeshtësi e në vëllazëri”.
Gjoni XXIII dhe Gjon Pali II bashkëpunuan me Shpirtin Shenjt për ta rivendosur dhe për ta rinuar Kishën sipas fizionomisë së saj origjinale, fizionomisë që shenjtorët i dhanë gjatë shekujve. Të mos harrojmë se janë shenjtorët ata që e mbajnë Kishën dhe e bëjnë të rritet. Në mbledhjen e Koncilit të Dytë të Vatikanit, Shën Gjoni XXIII iu nënshtrua përvujtërisht Shpirtit Shenjt Zot, e la veten të udhëhiqej dhe qe për Kishën bari, drejtues i drejtuar, që i printe Shpirti. Ky ishte shërbimi i tij i madh ndaj Kishës; e kjo, arsyeja pse më pëlqen ta mendoj atë si Papa që iu bind plotësisht Shpirtit Shenjt. Në këtë shërbim për Popullin e Zotit, Shën Gjon Pali II ishte Papa i familjes. Kështu pra tha një herë ai vetë: se do të kishte dashur të kujtohej si Papa i familjes.
Vetëm Krishti ka fjalë jete të pasosur
Papa i familjes e shikon nga qielli gjithë familjen njerëzore. Prej këtu, nga Toka, na duket se dëgjojmë ende fjalët e Tij gjatë Meshës për fillimin e Papnisë:
"Sot, aq shpesh, njeriu nuk e di se çfarë bluan brenda, në thellësi të shpirtit të tij, në zemrën e tij. Kështu që shpesh është i pasigurt për kuptimin e jetës mbi këtë dhe. Kapërthehet nga dyshimi, që shndërrohet në dëshpërim. Më lejoni, ju lutem, e ju përgjërohem me pëvujtëri e besim – lejojeni Krishtin t’i flasë njeriut. Vetëm ai ka fjalë jete, po! Jete të pasosur!”.
Ky i Shën Gjon Palit II është apostullim ndërmjet Qiellit e Tokës. Edhe sot shumë zemra hapen për Ungjillin dhe për fjalët e jetës së pamort, sepse të ngrohura nga dëshmia e tij!