Papa universitarëve të Opus Dei, ecni me entuziazëm në fe
R.SH. / Vatikan
Është nxitje e gjallë "të ecësh entuziazt në fe, i zellshëm në bamirësi, këmbëngulës në shpresë". Nxitje, që Papa Françesku, në një mesazh në spanjisht, ua drejtoi pjesëmarrësve të Kongresit Ndërkombëtar të UNIV. Takimi, që filloi sot, e shtunë, 12 prill, do të vijojë deri më 20, të dielën e Pashkëve, në Romë. Nismë kjo që - kujton Papa - bie në Vitin Shenjt kushtuar shpresës dhe njëqindvjetorit të shugurimit meshtarak të Shën Josemaría Escrivá, themelues i Opus Dei. “Arsye - shkruan - për të falënderuar Zotin”.
“Bashkohem me gëzimin tuaj - vijon teksti - dhe ju shoqëroj me lutjen time, duke i kërkuar Zotit që kjo kohë shtegtimi dhe takimi vëllazëror t'ju shtyjë t'ua çoni të gjithëve Ungjillin e Jezu Krishtit të vdekur dhe të ringjallur, si shpallje e shpresës që përmbush premtimet, të prin drejt lavdisë dhe, i themeluar mbi dashurinë, nuk të zhgënjen kurrë". Së fundi, bekimi i Papës dhe ftesa për t'u lutur për të.
UNIV është takim ndërkombëtar i studentëve të rinj të universitetit, i lindur në vitin 1968 nga një ide e Shën Josemaría Escrivá, i cili ëndërronte organizimin e shkëmbimit të pikëpamjeve ndërmjet studentëve të rinj të universitetit nga pesë kontinentet. Djemtë e UnivForum dhe vajzat e Univ Inspire marrin pjesë për një javë në takime stërvitore, çaste lutjeje, mundësi për të qenë bashkë dhe për të marrë pjesë në kremtimet liturgjike të Javës së Madhe, në Shën Pjetër.
Tema e zgjedhur për këtë Jubile Shprese është “Citizens of our World” (Qytetarë të botës sonë), ndërsa pjesëmarrës janë më shumë se 2000 vetë nga 25 kombe dhe 32 universitete të ndryshme. Ndërmjet takimeve të larmishme, studentët do të kenë edhe sesionin e tyre akademik në Universitetin Papnor të Sh’na Krygjës, të martën, më 15, ndërsa të mërkurën, më 16, do të jetë radha e vajzave.