MAP

Papa u takua me krerët dhe personelin e Gemellit dhe të Drejtorisë së Shëndetësisë së SCV

Rreth 70 vetë, nga krerët e lartë dhe personeli i Poliklinikës, i Universitetit Katolik dhe Drejtorisë së Shëndetit e Higjienës së Qytetit të Vatikanit (SCV), u pritën sot paradite, për rreth 20 minuta, nga Françesku, në dhomat prapa Sallës Pali VI. Papa i falënderoi për kujdesin dhe ndihmën që i dhanë dhe i siguroi për lutjet e tij. E pastaj, edhe përshëndetjet e tij individuale.

R.SH. / Vatikan

“Sot paradite, në dhomat prapa Sallës Pali VI, në Vatikan, Papa Françesku u takua me drejtuesit dhe personelin e Fondacionit Poliklinik “A. Gemelli”, si dhe të Universitetit Katolik dhe të Drejtorisë së Shëndetit dhe Higjienës të Shtetit të Vatikanit, gjithsej rreth 70 vetë, të cilët e ndihmuan gjatë ditëve të shtrimit muajin e kaluar”. Ngjarjen e bëri të ditur Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

“Pas disa fjalëve të përshëndetjes Presidentit të Këshillit Drejtues të Fondacionit Gemelli, Daniele Franco, dhe urimeve më të mira për Pashkët e rimëkëmbjen e shëndetit të tij, Papa - vijon komunikimi i ofruar nga Selia e Shenjtë - i falenderoi të gjithë, duke siguruar lutjet e tij për secilin e duke i kërkuar edhe për vete: Faleminderit për shërbimin në spital, vazhdoni kështu, shumë mirë, përfundoi. Ati i Shenjtë Françesku përshndeti e falënderoi, më pas, individualisht të pranishmit, duke nisur nga Rektorja e Universitetit, Elena Beccalli. Takimi zgjati rreth 20 minuta”.

16 prill 2025, 13:32