MAP

Akademia Papnore Kishtare Akademia Papnore Kishtare

Papa reformon shkollën që formon "ambasadorët" e Vatikanit

Publikohet kirografi me të cilin Françesku azhurnon programin e formimit të Akademisë Kishtare Papnore, një institucion shekullor, që përgatit diplomatë për Selinë e Shenjtë. Qëllimi është t'u sigurohet meshtarëve të rinj përgatitje e plotë dhe e përshtatshme për misionin diplomatik. Akademia, që është institut i arsimit të lartë, do të japë diploma akademike, me një kurrikulum, që integron kompetencat ligjore, historike, politike, ekonomike dhe gjuhësore

R.SH. – Vatikan

Një formim “i plotë” dhe “i përshtatshëm” për të kryer misionin diplomatik në kombe të ndryshme, për të përballuar sfidat e një bote që ndryshon vazhdimisht, veçanërisht në fushën e teknologjisë, për të mos humbur, krahas shërbimit në nunciaturë, shërbimin meshtarak të aftë për afërsi, dëgjim, dëshmi, dialog. Me një kirograf të titulluar "Shërbesa Pjetrine", nënshkruar më 25 mars e publikuar sot, më 15 prill, Papa Françesku azhurnon programin e formimit për studentët e Akademisë Kishtare Papnore, farkëtari e diplomacisë së Selisë së Shenjtë - e njohur edhe si "shkolla e nuncëve" - e cila në mbi 300 vjet "ka formuar breza meshtarësh, të cilët e kanë vënë thirrjen e tyre në dispozicion të shërbesës pjetrine, duke punuar pranë Përfaqësive Papnore dhe në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit”.

Reforma e Papës është menduar posaçërisht për studentët e Akademisë, më shumë se për vetë institucionin. Përmes ndryshimeve dhe rregullimeve të vogla synon të forcojë ushtrimin e "dhuratës së meshtarisë" për ata, që thirren në "shërbimin e vazhdueshëm për të çuar ndër popuj e Kisha afërsinë e Papës". Objektivi, nënvizohet në një njoftim për shtyp të Selisë së Shenjtë, "është t'u sigurojë studentëve - meshtarë të rinj nga dioqezat anembanë botës - një përgatitje të plotë dhe të përshtatshme për misionin diplomatik", që do t’u besohet.

Institut i Arsimit të Lartë Akademik

"Itinerari formativ i përcaktuar për përfaqësuesit e ardhshëm papnorë kombinon aftësitë teorike me një metodë pune dhe një stil jetese, që garanton kuptimin e thellë të dinamikës së ndërlikuar të marrëdhënieve ndërkombëtare", shpjegon nota e Selisë së Shenjtë. Ndër risitë kryesore të Kirografit, vihet në dukje konfigurimi i Akademisë si “institut i formimit të lartë akademik në sektorin e Shkencave Diplomatike”. Ky vendim “është pjesë e një vizioni më të gjerë rikualifikimi të studimeve kishtare sipas parametrave ndërkombëtarë të arsimit të lartë”.

Me këtë reformë Akademia “do të japë grada akademike të ciklit të dytë dhe të tretë në shkencat diplomatike”. Gjithashtu, do të ofrojë një kurrikulum formimi, që integron kompetencat ligjore, historike, politike, ekonomike dhe gjuhësore, me një bazë të mirëfilltë shkencore.

Disiplinat kishtare dhe ungjillëzimi

Edhe më konkretisht, shpjegon dokumenti papnor, “programet e mësimdhënies do të kenë një lidhje të ngushtë me disiplinat kishtare, me metodën e punës së Kuries Romake, me nevojat e Kishave lokale dhe më gjerë me punën e ungjillëzimit, veprimin e Kishës dhe marrëdhëniet e saj me kulturën dhe shoqërinë njerëzore”. Sipas Papës Françesku, këto janë elementet “përbërëse të veprimit diplomatik të Selisë Apostolike dhe të aftësisë së saj për të vepruar, për të ndërmjetësuar, për të kapërcyer barrierat, që të përvijohen kështu shtigje konkrete dialogu dhe bisedimesh për të garantuar paqen, lirinë e fesë për çdo besimtar dhe rendin ndërmjet kombeve”.

15 prill 2025, 11:36