Papa, në një vizitë të papritur në Shën Pjetër për t'u lutur te varri i Piut X
R.SH. – Vatikan
Ishte pothuajse ora 13.00 në Bazilikën e Shën Pjetrit kur disa gra ngritën zërin: "Ka ardhur Papa! Ka ardhur Papa!" Pas surprizës së të dielës së kaluar, kur 20 mijë besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit për Jubileun e të Sëmurëve, papritmas, panë Papën të mbërrinte me karrocën e tij me rrota, edhe këtë pasdite (10 prill), Françesku deshi të largohej për disa minuta nga Shtëpia e Shën Martës, ku vazhdon ta marrë veten nga sëmundja, duke kaluar Portën e Lutjes, që nga brenda Vatikanit të çon drejtpërdrejt në Bazilikë. Më pak se dhjetë minuta për t'u lutur në varrin e Papës Piu X, me të cilin gjithmonë ka thënë se është shumë i lidhur. Edhe të dielën e sapokaluar, Ati i Shenjtë shkoi të lutej gjithnjë në varrin e tij.
Rreth njëqind vetë përshëndetën Papën
Mjaftuan disa minuta e lajmi u përhap ndër rreth njëqind njerëzit, që po vizitonin Shën Pjetrin, të cilët, me respektin që e kërkonte rasti, u mblodhën për të përshëndetur Papën. Mes tyre, edhe disa restauruese, që po bënin punimet e brendshme të caktuara nga Fabrika e Shën Pjetrit e që i shtrënguan dorën Atit të Shenjtë, i cili bekoi edhe disa fëmijë e shtegtarët, që kanë ardhur në Romë për Jubileun.
"Shumë emocione, m’u turbullua shikimi nga lotët dhe nuk munda të bëja as një fotografi", pohoi për mediat e Vatikanit kanoniku i Shën Pjetrit, imzot Valerio Di Palma. Ishte kthyer në sakristi rreth orës 12.50, dhjetë minuta më vonë doli i tërhequr nga zhurma dhe pa karrocën me rrota të Papës, shtyrë nga asistenti i tij shëndetësor personal, Massimiliano Strappetti. Rreth e rrotull, xhandarë që përpiqeshin të ruanin rendin.
Bekime dhe përshëndetje
"Papa kaloi nga Porta e Lutjes, më pas, shkoi në Altarin e Katedrës dhe, së fundi, në varrin e Shën Piut X për t'u lutur. Pastaj, përshëndeti disa njerëz, me aq sa mundi", shpjegon imzot Di Palma. Asnjë fjalë nga Françesku, por vetëm gjeste. Gjeste afërsie e dashurie për ata, që i dolën përpara e, madje, u vunë edhe në rresht me shpresën për të qenë qoftë edhe një çast afër me Ipeshkvin e Romës në këtë kohë, gjatë së cilës, daljet e tij në publik janë tejet të rralla, për shkak të sëmundjes: "Të gjithë vrapuan kur e morën vesh se Papa kishte ardhur papritur".
Françesku u duk para njerëzve me këmbët e mbuluara nga një batanije dhe me kanulat e oksigjenit në hundë: "Kjo na emocionoi duke e parë kështu 'me rroba civile', krejt thjeshtë. U përlotën të gjithë, edhe rojet e sigurisë". Disa fëmijë shkuan pranë Papës, një zonjë i kërkoi bekimin në lot. Pse lotët? "Sepse është shenjë se po e merr veten, vërtet po vuan, por është afër. Më bënë përshtypje sytë: të mëdhenj, të kthjellët. Ai vështrim depërtues dhe i vëmendshëm. Nuk tha asgjë: përshëndeste e bekonte. Unë i thashë: "Shenjtëria juaj, mezi presim që të ktheheni këtu, përsëri. Më buzëqeshi".