Papa në arkivol: gjuha e thjeshtësisë
R.SH. - Vatikan
Një pamje e përvujtërisë së skajshme, e krijesës njerëzore që lëshohet në krahët e mëshirshëm të Zotit. Një person, që deshi të ishte si gjithë të tjerët, duke refuzuar çdo madhështi e duke arritur në takimin me të Amshuarin, i pasur veç me zemrën e tij, me natyrën e tij njerëzore…
Që nga mëngjesi i sotëm, trupi i Papës Françesku u vendos në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës,nò Vatikan, vendi që Bergoglio pati vendosur të ishte streha e tij. Aty do të jetë deri nesër, në orën 9 të mëngjesit, kur do të zhvendoset në Bazilikën e Shën Pjetrit. Ashtu siç e pati kërkuar shprehimisht, trupi i Papës është vendosur në arkivol, ku do të prehet përgjithmonë. Është arkivol druri, i veshur përbrenda me zink dhe jo më me tri shtresa, siç ndodhi deri tek Papa Benedikti XVI.
Tupi i Papës Françesku, në arkivol, është i veshur me petkun e kuq liturgjik, në duar ka rruzaren, në kokë mitrën, simbole liturgjike të Ipeshkvit të Romës. Mitra është kapela e zgjatur, e përdorur nga ipeshkvijtë - Papa është ipeshkvi i Romës - gjatë kremtimeve liturgjike. Ajo shpreh dinjitetin dhe autoritetin ipeshkvnor. Fjala, që rrjedh nga greqishtja, fillimisht ishte fashë, shirit për kokën e edhe çallmë. Petku i Meshës shpreh dëshirën për t'u paraqitur para Atit Hyjnor i veshur për këtë rast. Kazula, e kuqe, veshur nga Françesku, është tipike për liturgjinë meshtarake. Emri të kujton pamjen e një "shtëpie të vogël", sepse, ashtu si shtëpi e rehatshme, e mbulon plotësisht atë që e vesh. Përfaqëson riveshjen e asamblesë kremtuese me Krishtin, duke nënvizuar rolin e meshtarit. Ngjyra e kazulës ndryshon sipas kohëve liturgjike. Ngjyra e kuqe të kujton mundimet e Jezu Krishtit, gjakun e derdhur prej Tij dhe të martirëve, që ndjekin shembullin e Tij, e sigurisht, zjarrin e Shpirtit Shenjt Zot. E kuqja është ngjyra e së Dielës së Larit, e së Premtes së Madhe të Pashkëve dhe e festës së Shpritit Shenj, Rrëshajëve, e kremtimeve që lidhen me apostujt dhe, e përsërisim, e dëshmitarëve të Ungjillit të vrarë nga urrejtja për fenë.
Së fundi, Papa mban në duar rruzaren, simbol i një jete kaluar në lutje e edhe i shpresës, premtimit që bëhet siguria e jetës së amshuar.
Shtegtimi i fundmë i Papës më pas do të jetë drejt Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, që Françesku e zgjodhi për t’u varrosur.
Pasi të kryhet funerali, pati shkruar Papa në librin “Pasardhësi”, “dua të më çojnë atje. Kam qenë gjithnjë shumë i devoçëm i Shën Marisë së Madhe, edhe para se të bëhesha Papë. Tashmë gjithçka është gati. Pak përtej shtatores së Marisë Mbretëreshë e Paqes, një derë të çon në dhomën që përdoret për të ruajtur shandanët. Kur e pashë, mendova se ishte vendi i duhur. Është përgatitur tashmë për varrim, këtë ma kanë konfirmuar”.