MAP

VATICAN-RELIGION-POPE

Papa Françesku vazhdon të përmirësohet gradualisht. Takon kard. Parolin

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë deklaroi për gazetarët se Papa Françesku vazhdon të përmirësohet gradualisht në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, siç e tregon edhe dalja e tij e papritur në Sheshin e Shën Pjetrit, të dielën e kaluar. Gjithsesi, është ende shpejt të flitet për pjesëmarrjen e tij në ritet e Javës Shenjte

R.SH. – Vatikan

         Papa Françesku vazhdon ta marrë veten nga pneumonia, në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Vijon terapitë e caktuara nga mjekët dhe përmirësohet gradualisht, pavarësisht se infeksioni në mushkëri mbetet, por në masë më të vogël. Ky është njoftimi i sotëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë për gazetarët, vetëm dy ditë pasi Bergoglio shkoi papritmas në Sheshin e Shën Pjetrit, kësaj së diele, gjatë meshës së Jubileut të të sëmurëve. Ishte hera e parë, që nga dalja e tij nga spitali, më 23 mars.

Në fund të meshës, siç e kujtojnë tashmë të gjithë, ai përshëndeti e bekoi besimtarët, duke u uruar ditën e diel dhe duke i falënderuar për lutjet. Vendimi për të shkuar në shesh u mor në përkim me këshillat e mjekëve, por sigurisht që lindi nga një “dëshirë e Papës” për të “marrë pjesë në këtë çast afërsie me shtegtarët e sëmurë”.

Salla e Shtypit të Vatikanit konfirmon përmirësimin e vazhdueshëm të Papës

Gjendja e Papës Françesku, vërehet në deklaratën e Sallës së Shtypit, mbetet e qëndrueshme, me përmirësime të lehta e të mëtejshme në frymëmarrje, në lëvizje dhe në zë, të cilat, theksohet, ishin të dukshme që kur ai doli në shesh të dielën. Ati i Shenjtë vazhdon trajtimin farmakologjik dhe fizioterapinë për lëvizjen e frymëmarrjen. Mbetet nevoja për oksigjen, por në doza më të vogla.

Gjatë ditës, Papa vazhdon ta marrë atë si zakonisht, ndërsa natën përdor oksigjenimin me fluks të lartë me kanula hundore, sipas nevojës. Françesku është në gjendje të mirë shpirtërore dhe vazhdon punën, pohon Salla e Shtypit, duke nënvizuar se i mbërrijnë dokumente të ndryshme nga Dikasteret e Vatikanit dhe flet me telefon sipas nevojës.

Të hënën, Papa priti Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, në Shtëpinë e Shën Martës. Gjithashtu, bën të ditur Salla e Shtypit, vazhdon të kremtojë meshën e përditshme në kapelën e katit të dytë të banesës dhe flet vazhdimisht me famullinë e Familjes Shenjte në Rripin e Gazës.

Ende herët për të ditur pjesëmarrjen e Papës në Javën e Madhe

Audienca e përgjithshme e ditës së nesërme - e mërkurë, 9 prill - nuk do të mbahet, por teksti që Papa ka përgatitur për këtë rast do t'u jepet gazetarëve e do të botohet, ashtu siç është bërë edhe në javët e mëparshme. Salla e Shtypit vë në dukje se është ende tepër herët për të folur mbi pjesëmarrjen e Françeskut në liturgjitë e Javës së Madhe të Pashkëve. “Do të vlerësohet hap pas hapi”, por njoftime të tjera do të jepen në vijim. Ndërkaq, takimi i radhës me gazetarët për shëndetin e Atit të Shenjtë do të mbahet të premten, më 11 prill.

08 prill 2025, 13:12