Papa Françesku: përdorimi i teknologjive të reja të mos zëvendësojë marrëdhëniet njerëzore
R.SH. – Vatikan
Ndjeti i lutjes së Papës Françesku për muajin prill u kushtohet teknologjive të reja: Ati i Shenjtë kërkon lutje "që përdorimi i teknologjive të reja të mos zëvendësojë marrëdhëniet njerëzore, të respektojë dinjitetin e njerëzve dhe të ndihmojë në zgjidhjen e krizave të kohës sonë". Eshtë temë me aktualitet të madh, që na shqetëson të gjithëve, veçanërisht, për shkak të përhapjes së gjerë të rrjeteve sociale dhe të zhvillimit të shpejtë të Inteligjencës Artificiale.
Teknologjia në shërbim të njerëzve
Në videon, që shoqëron ndjetin e lutjes, realizuar nga Global Prayer Network me ndihmën – këtë muaj – të “Coronation media” dhe në bashkëpunim me Dikasterin vatikanas për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, Papa Françesku thekson se “teknologjia është fryt i inteligjencës, që na ka dhënë Zoti”. Por, nëse nuk përdoret si duhet, mund të ketë pasoja negative. Ndër to, Ati i Shenjtë përmend izolimin dhe mungesën e marrëdhënieve të vërteta: “Nëse kalojmë më shumë kohë me celularët sesa me njerëzit, diçka nuk shkon”. Një tjetër rrezik i rëndësishëm përfaqësohet nga bullizmi dhe urrejtja kibernetike në rrjetet sociale: “Ekrani na bën të harrojmë se pas tij ka njerëz të vërtetë, që marrin frymë, qeshin dhe qajnë”. Gjithashtu, Papa paralajmëron se "nga teknologjia... nuk mund të përfitojnë vetëm disa, ndërsa të tjerët përjashtohen", përndryshe, pabarazitë ekonomike, sociale, arsimore, në punë dhe të llojeve të tjera do të vazhdojnë të shtohen.
Për të shmangur këto rreziqe, Ati i Shenjtë na fton ta vëmë teknologjinë në shërbim të njeriut, duke e përdorur për t’i bashkuar njerëzit, për t’i ndihmuar nevojtarët, për të përmirësuar jetën e të sëmurëve dhe të paaftëve, për të promovuar kulturën e takimit dhe për të mbrojtur planetin. Është e rëndësishme që teknologjitë të mos na largojnë nga të tjerët dhe nga realiteti. Për këtë arsye, në videomesazhin e tij, Papa na kërkon të shikojmë “më pak në ekrane” dhe “më shumë sy më sy”. Vetëm kështu do të kuptojmë "çfarë ka vërtet rëndësi: faktin se jemi vëllezër e motra, bij të të njëjtit Atë”.
Ndikimi i teknologjisë në jetën tonë
Më këtë ndjet lutjeje, Papa Françesku dëshiron të na kujtojë se përdorimi i përgjegjshëm i teknologjisë kërkon ta vësh atë në shërbim të njeriut dhe të Krijimit. Nëse përdoret në këtë mënyrë, ajo bëhet mjet për t'i dhënë lavdi Zotit, pasi aftësitë dhe krijimtaria jonë vijnë nga Ai i Lumi. Gjithashtu, përdorimi etik i teknologjive të reja kontribuon në mbrojtjen e ambientit, në respektimin e dinjitetit të njeriut dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës. Ndër përparimet që sjell, mund të përmenden lehtësia për të pasur një gamë të gjerë mjetesh për arsimimin dhe edukimin në internet; përdorimi i telemjekësisë, me aplikacione të caktuara për shëndetin dhe diagnostikimin; përmirësimi i komunikimit dhe mbajtja e kontakteve me të gjithë botën, përfshirë punën në ekip në distancë; lehtësimi i riciklimit dhe kontributi për energjitë e rinovueshme… Teknologjitë e reja mund të jenë mjete të fuqishme për zgjidhjen e krizave globale si varfëria apo pasojat e ndryshimeve klimatike.
Por, ashtu siç kërkon Papa Françesku në ndjetin e lutjes së muajit prill, përdorimi i tyre ka nevojë për një ndërgjegjësim etik, që të shihen me sy kritik e të merren parasysh pasojat në jetë e në shoqëri. Për këtë, të gjithë besimtarët e krishterë duhet të kontribuojnë që ato të përdorën me përgjegjësi, duke favorizuar zhvillimin e gjithanshëm të të gjithëve, sidomos të më nevojtarëve.