Papa Françesku dhe kryerabini i Romës shkëmbejnë urimet e Pashkëve
R.SH. – Vatikan
Në një mesazh drejtuar kryerabinit të Romës, Riccardo Di Segni, të Enjten e madhe, Papa Françesku përshëndet bashkësinë hebraike tëkryeqytetit italian, që përgatitet për të kremtuar Pesach, Pashkën hebraike të vitit 5785.
“Me afrimin e festës së Pesach-ut, - i shkruan Papa kryerabinit - dëshiroj t'ju dërgoj përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe më vëllazërore për ju dhe për bashkësinë e dashur hebraike të Romës. Kjo festë kujton se i Gjithëpushtetshmi e çliroi popullin e vet të dashur nga skllavëria dhe e udhëhoqi drejt Tokës së Premtuar. Zoti i amshuar dhe i mëshirshëm qoftë me ju sot dhe e shoqëroftë bashkësinë tuaj me bekime të shumta. Në mirësinë e Tij të pafund, Ai iu mbrojtë gjithmonë.”
Ati i Shenjtë e përfundon mesazhin me një kërkesë personale: "Ju kërkoj të vazhdoni të luteni për mua, ndërsa ju siguroj për lutjen time. Dhashtë i Tejetlarti që ta shtojmë gjithnjë e më shumë miqësinë. Chag sameach".
Në përgjigjen e tij, kryerabini Di Segni ia kthen Papës urimet për Pashkët e krishtera. "Meqenëse kremtimet përkatëse të Pashkëve përkojnë", shkruan ai, "dëshiroj t’u dërgoj përshëndetjet e mia më të ngrohta, me një mendim të veçantë për shëndetin tuaj, që ai të vazhdojë të përmirësohet. Zoti i bekoftë bashkësitë tona dhe e forcoftë miqësinë tonë, edhe në kohët e vështira me të cilat po përballemi aktualisht".