Papa befason në Sheshin e Shën Pjetrit: “Gëzuar të Dielën e Larit dhe Javën Shenjte”
R.SH. / Vatikan
"Gëzuar të Dielën e Palmave e gëzuar edhe Javën e Shenjtë të Pashkëve!" Janë fjalët e Papës Françesku shqiptuar sot, 13 prill, nga shkallët e Sheshit të Shën Pjetrit, në Vatikan, në përfundim të Meshës të së Dielës së Palmave e të Larit. Më pas Papa qëndroi në shesh për rreth dhjetë minuta duke përshëndetur besimtarët.
Një tjetër surprizë nga Françesku, e mirëpritur prej turmës brohoritëse, si rreze dielli, pas pranisë së tij të dielën e kaluar në jubileun e të sëmurëve dhe botës të kujdesit shëndetësor si dhe daljes të paplanifikuar më 10 prill, për të shkuar në Bazilikën e Vatikanit.
Ndërsa dje Ati i Shenjtë ishte në Shën Marinë e Madhe për t'u lutur përpara ikonës së Zojës Mari Salus Populi Romani.
Sot, nga shkallët e Shën Pjetrit, përshëndeti 40,000 besimtarët e pranishëm në Shesh të Vatikanit. E pas përshëndetjes, u kthye në Bazilikë e u ndal në lutje tek varri i Shën Pjetrit Apostull, para varrit të Shën Piut X dhe monumentit kushtuar Benediktit XV.