MAP

Një moment nga prezantimi i librit "I çmenduri i Zotit në fund të botës" Një moment nga prezantimi i librit "I çmenduri i Zotit në fund të botës"

Një libër “i çmendur” mbi thelbin e krishterimit

U paraqit në Romë romani i Javier Cercas me titull “I çmenduri i Zotit, në fund të botës”. Në vëllim, biseda e Papës me autorin, i cili e quan veten ateist dhe racionalist e sillet rreth pyetjes për premtimin e jetës së amshuar. "Me ringjalljen e Krishtit - i shpjegon Papa gjatë përgjigjes shkrimtarit spanjoll - u mboll fara e ringjalljes së gjithë njerëzimit".

R.SH. / Vatikan

Një ateist, antiklerikal laicist militant, racionalist kokëfortë, rigoroz i pabesë. Këto janë tiparet me të cilat paraqitet shkrimtari spanjoll Javier Cercas në fillimin e romanit të tij të ri me titull I çmenduri i Zotit në fund të botës”, botuar në Itali nga shtëpia botuese Guanda, përkthyer në më shumë se tridhjetë gjuhë. Libri, në të cilin autori përshkruan shtegtimin e tij në Mongoli nga 31 gushti deri më 4 shtator 2023, së bashku me Papën Françesku, u paraqit si pjesë e takimit të dytë të Festivalit Anteprime di Letterature Internazionale di Roma, program i organizuar nga këshilltari për kulturën, Massimiliano Smeriglio.

Françesku, "i çmenduri i Zotit"

Gjatë veprimtarisë kulturore, tashmë në edicionin e njëzet e katërt, u kujtua se romani i ri i Cercas, i dalë në librari më 1 prill, u botua njëkohësisht në Itali, Spanjë dhe vendet e Amerikës Latine. Duke dialoguar me gazetarët Aldo Cazzullo dhe Sabina Minardi, shkrimtari Javier Cercas foli për gjenezën e kësaj vepre, lindur me propozimin e Dikasterit të Vatikanit për Komunikimint. Libri, i përshkuar nga nostalgjia në rritje për Zotin, ka një pikëmbështetje: bisedën intime, kokë më kokë të autorit me Papën, i cili quhet "i çmenduri i Zotit". Shprehje që i pëlqente edhe Shën Françeskut, emër i zgjedhur nga Jorge Bergoglio pas uljes së tij në fronin e Pjetrit.

"Papa Françesku shkon në Mongoli, për të gjetur një të ardhme të re dhe për ta parë botën ashtu siç është nga i vetmi vend ku, sipas mendimit të tij, mund të shihet: nga periferia, nga fundi i botës. Françesku shkon në Mongoli për të vazhduar të jetë Françesku”(fragment i marrë nga libri “I çmenduri i Zotit në fund të botës”)

Ndjesia e humorit

Shkrimtari Javier Cercas e paraqiti veprën e tij para platesë së mbushur plot me njerëz, në Teatrin Studio Borgna të Auditoriumit: "Ky libër është unik dhe i çmendur, gjë që më bën të ndihem i privilegjuar. Është mister, sepse ka një enigmë. Ka shumë 'personazhe' të pranishëm në roman". Ndërmjet tyre, disa përfaqësues të Dikasterit për Komunikimin, të cilët "më propozuan ta përshkruaj në liri absolute shtegtimin e Papës në Mongoli. Sfida e madhe ishte të punoja pa paragjykime". "Për mua - vijon shkrimtari spanjoll - ishte e gjitha e papritur. E gjithçka ishte ndryshe, nga sa prisja. Romani është libër humoristik. Vetë Papës i pëlqen humori". "Papa Françesku - kujtoi - ka qenë gjithnjë befasues për të gjithë botën. Është papë antiklerikalist, kundër klerikalizmit, kundër idesë së klerit për besimtarët. Libri përshkohet nga pyetja themelore e krishterimit: ajo e jetës së amshuar. Askush nuk ia kishte bërë Papës". "Pas këtij libri - shpjegoi me ironi gjatë paraqitjes Javier Cercas - nuk mund të them nëse e rigjeta përsëri fenë, përndryshe nuk do të mund të shes asnjë kopje të romanit... Në qendër të librit është i çmenduri i Zotit, Papa. Një protagonist tjetër jam unë, i çmenduri pa Zot. Realiteti më dha një mrekulli për epilogun e romanit".

 Një roman për ringjalljen

Gazetari italian Aldo Cazzullo, mik i Cercas-it, edhe ai i shndërruar në personazh gjatë rrëfimit, shpjegon se “libri i shkrimtarit spanjoll përfundon mjeshtërisht në një faqe të thatë, pasi është rrotulluar rreth personazheve të ndryshëm”. Ky libër - komentoi  - është biografi e Papës, roman për ringjalljen e korpit. Edhe "reflektim për kohën në të cilën vdesin prindërit". E akoma, portreti, shtoi Aldo Cazzullo, i një Pape njëkohësisht "njeri i jashtëzakonshëm dhe i zakonshëm".

Gazetarja Sabina Minardi, teksa shfletonte disa faqe të librit kujtoi se i kushtohej “acarimit të Papës me idhujtarinë”, dashurisë së tij për “Të fejuarit”, për poezinë. Në roman shohim se si Françesku ka një ndjenjë të mprehtë për të ardhmen, historinë, kujtesën.

Një enigmë

Për Vatican News, shkrimtari Havier Cercas nënvizon se libri është “enigmë” që vërtitet rreth një pyetjeje, asaj për premtimin e jetës së amshuar.

A është tashmë këtu amshimi?

Shfletimi i romanit "I çmenduri i Zotit në fund të botës" është shtegtim plot humor, me një përmasë intime e personale, që e sfidon me fund zemrën e çdo njeriu. Në librin e tij Javier Cercas, i cili rrëfen se nisi të shkruaj, sepse humbi besimin, pretendon se është "i çmendur pa Zotin, që e ndjek të çmendurin për Zotin deri në fund të botës". Shpjegon se hipi në avionin e nisur për në Mongoli për t'i bërë Papës Françesku një pyetje krejt të veçantë:

"Dua t'i them atij se nëna ime është nëntëdhjetë e dy vjeç, se ajo beson në Zot dhe është e bindur se, kur të vdesë, do të takojë përsëri babanë tim".

Pyetja vendimtare ka të bëjë me premtimin e jetës së amshuar dhe, në fund, i drejtohet Papës, në një deklaratë:

"Atëherë mund t'i them nënës sime se kur të vdesë, do ta shohë përsëri tim atë". “Reagimi i Papës - lexojmë në librin “I çmenduri i Zotit në fund të botës” – është i rrufeshëm: ai nuk ngurron as një sekondë, as një të dhjetën e sekondës, as një të mijtën e të mijtës së sekondës...”.

Përgjigjet e Papës, gjithashtu të filmuara, i dëgjon nëna Javier Cercas. Reagimi i tij përshkruhet mirë në vëllim.

"Fytyra e nënës sime është labirint i padeshifrueshëm rrudhash; nuk duket e lumtur: duket e habitur nga shtrirja ose natyra e asaj që sapo ka dëgjuar, ndoshta e paaftë për ta bluar me trurin e shterrur, gjithnjë e më të ngrënë nga teja e nga sëmundja".

04 prill 2025, 12:03