Françesku shtegtarëve sllovakë: kur i thua "po" Zotit, hap horizonte paqeje
R.SH. / Vatikan
“Do të desha të isha i pranishëm ndërmjet jush për ta ndarë bashkë këtë çast feje e bashkimi”. Papa Françesku e shprehu kështu keqardhjen që nuk mundi të marrë pjesë në shtegtimin kombëtar jubilar sllovak, në një mesazh lexuar gjatë meshës në Bazilikën e Vatikanit nga Imzot Bernard Bober, kryeipeshkëv i Košice dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Sllovake. Ndërmjet 4300 shtegtarëve të pranishëm është edhe presidenti sllovak Peter Pellegrini, së bashku me ministra të tjerë, si dhe nunci apostolik në Sllovaki, imzot Nicola Girasoli.
Shtegtarë, gjatë gjithë jetës sonë
“Shtegtimi juaj - shkruan Papa - është shenjë konkrete e dëshirës për të ripërtërirë fenë, për të forcuar lidhjen me Pasardhësin e Pjetrit dhe për ta dëshmuar me gëzim shpresën që nuk zhgënjen”. Shpresë, që lindi nga Krishti dhe që Jubileu na fton ta ndjekim sepse “na fton të bëhemi shtegtarë gjatë gjithë jetës” në një shtegtim drejt amshimit, të përbërë nga etapa që përfshijnë udhëtimin për në Romë, me kalimin e Portave Shenjte dhe ndalesat tek varret e Apostujve dhe të Martirëve.
“Për ju, motra dhe vëllezër sllovakë, është shtegtim - kujton Françesku – pjesë e traditës së pasur të krishterë të tokës suaj, të pllenuar nga dëshmia e shenjtorëve Kirili e Metodi dhe e shumë shenjtorëve të tjerë, të cilët prej më se një mijë vjetësh e vadisin me Ungjillin e Krishtit”.
Një “po” e sinqertë
Papa kujton se "feja është thesar, që duhet ndarë me gëzim". Edhe nëse jetojmë në kohë të vështira, është ende "mundësi për t’u rritur në fe e në braktisjen në krahët e Zotit".
Ndaj “po”ja jonë e thjeshtë dhe e sinqertë, si ajo e Marisë, mund të bëhet mjet në duart e Zotit, për të arritur diçka të madhe. “Pohimi - shkruan Papa - sot mund të na lejojë të hapim horizonte të reja besimi, shprese dhe paqeje, për ne dhe për ata me të cilët Zoti na bashkon”. Më pas ftesa për të dëgjuar, me stil sinodal, Shpirtin Shenjt “pa u trembur nga e reja, por duke dalluar në të nismën e Zotit, që na befason gjithmonë”.
“Virgjëra Mari, Pajtore e Sllovakisë, të cilën ju e nderoni - përfundoi Françesku - posaçërisht si ‘Zoja e shtatë dhimbjeve’ e që, pikërisht për shkak të bashkimit të saj me mundimet e të Birit, është Nëna e Shpresës, ju priftë dhe ju ruajtë”.