MAP

Giubileo, in un mese gi� 1 milione di pellegrini in Porta Santa

Françesku: përballë vështirësive të botës, të ngulmojmë në lutje

Përshëndetja e Papës për shtegtarët e dioqezave të Grosseto-s dhe të Pitigliano-Sovana-Orbetello-s, në Romë për të përjetuar Jubileun: "Kalimi nga Porta Shenjte iu dhashtë mundësinë për t’u përtërirë të gjithë në fe, që të ecim së bashku, barinj të Kishës dhe grigjë"

R.SH. – Vatikan

“Përballë vështirësive, që shohim në botë dhe ndiejmë në zemra, ju këshilloj të ngulni këmbë në lutje, duke dëshmuar çdo ditë atë shpresë, që na bën kripa e tokës”. Kjo është ftesa e Papës Françesku për besimtarët e dioqezave të Grosseto-s dhe të Pitigliano-Sovana-Orbetello-s, të cilët kanë ardhur në Romë për të përjetuar Jubileun së bashku me ipeshkvin e ri, imzot Bernardino Giordano.

“Kalimi i Portës Shenjte u dhashtë të gjithëve mundësinë për t’u përtërirë në fe, që të ecim së bashku, barinj të Kishës e grigjë”, shkruan Ati i Shenjtë në një mesazh të shkurtër, në të cilin përshëndet shtegtarët dhe u drejton një mendim të veçantë të sëmurëve dhe të moshuarve. “Ta jetojmë këtë kohë sprove, duke kundruar Jezu Krishtin Zot në kryq, burim ngushëllimi e shëlbimi”, nënvizon Papa.

Së fundi, ua beson të gjithë shtegtarët ndërmjetësimit të Virgjërës Mari dhe Shenjtorëve të tyre Pajtorë, duke kërkuar, si gjithmonë, lutje për veten: "Mos harroni të luteni për mua". Këto, fjalët që mbyllin mesazhin.

09 prill 2025, 11:30