Zëri i Papës kumbon në Sheshin e Shën Pjetrit: faleminderit për lutjet tuaja
Para fillimit të lutjes së Rruzares së përditshme në Sheshin e Vatikanit, transmetohet një audio me urime nga Ati i Shenjtë Françesku, i shtruar në Gemelli, në shenjë mirënjohjeje për mesazhet e vazhdueshme:
“Ju falënderoj nga zemra për lutjet tuaja kushtuar shëndetit tim. Zoti ju bekoftë e Zoja ju ruajtë”.
Pas njëzet e një ditë shqetësimi, zbrazëtie, dritaresh të mbyllura dhe lutjesh të pandërprera të mbrëmjes, zëri i Papës Françesku rijehon për herë të parë në Sheshin e Shën Pjetrit. Rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, para lutjes së Rruzares së njëmbëdhjetë, një regjistrim audio prej më pak se 30 sekondash në spanjisht, realizuar nga Françesku në Poliklinikën Gemelli transmetohet përmes sistemit të adresave publike për qindra besimtarët e mbledhur në shesh. Sonte këtij "lajmi të bukur" të mesazhit vokal që Françesku donte të ndante me botën, i prin kardinali Ángel Fernández Artime, pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike.
Një shenjë mirënjohjeje nga Papa "i prekur prej mesazheve të shumta të dashurisë që i dërgohen çdo ditë dhe mirënjohës për lutjet e popullit të Zotit". "Dhuratë e bukur" - pohoi kardinali Artime, - "për ne që jemi këtu dhe për mbarë botën: kaq shumë katolikë dhe të krishterë, gra dhe burra vullnetmirë, që janë pranë tij dhe luten për të".
Dëgjojeni zërin e Papës Françesku gjatë Rruzares në Sheshin e Shën Pjetrit
Mesazhi i Françeskut
Kështu, zëri i Papës përhapet në hapësirë dhe kohë. Ai është pa frymë, frymëmarrja e tij është e rëndë, rrokjet shqiptohen ngadalë në spanjisht, por është Papa Françesku. Një duartrokitje shpërthen nga fundi i rreshtave. Papa ‘kthehet’ në shtëpinë e tij dhe nga kati i dhjetë i atij që nuk është kthyer në rezidencën e tij që prej 14 shkurtit, duke hedhur poshtë thashethemet dhe shqetësimet për gjendjen e kohëve të fundit, ai dëshiron të bëhet i pranishëm në mes njerëzve që për gati dy javë mblidhen çdo mbrëmje nën qiellin e zi të Romës dhe në përqafimin e gjysmëciklit të Berninit për t’u lutur për Të, për shërimin e Tij.
Lutja e popullit
Vështrimet fiksohen në kolonat e altoparlantëve audio e, menjëherë më pas, në ekranet gjigante, ndoshta me shpresën se do të mund ta shohin Papën, madje, edhe ta dëgjojnë!
Papa, Papa Françesku… Zëri i tij….
Duart shtrëngohen... Në rreshtin e parë është një flamur polak. E edhe shumë motra rregulltare, murgesha, meshtarë, si dhe një grup të rinjsh. Turma njerëzish vijojnë ende të grumbullohen, ndërsa Schola Cantorum këndon himnin e Shën Marisë Virgjër. Pas audios së Papës, nuk është e lehtë të rifillosh lutjen e përditshme të mbrëmjes. Kardinali Artime pret fundin e duartrokitjeve për të rinisur lutjen e Rruzares me Misteret e Dritës .
Papa ia besoi Marisë
“Jemi mbledhur në lutje me Marinë, Nënën e Kishës dhe të Këshillit të Mirë, për shëndetin e Atit të Shenjtë Françesku” - kujton kardinali salezian Artime. Pas tij, siç ka ndodhur në njëmbëdhjetë mbrëmjet e fundit, sytë e turmës ngulen mbi ikonën e shën Marisë, Nënë e Kishës, e cila duket sikur shikon mbi turmën e kardinajve, ipeshkvijve, meshtarëve dhe rregulltarëve të Kuries Romake dhe të Dioqezës së Romës, të rradhitur në Sheshin para Bazilikës së Shën Pjetrit me turmën e njerëzve të moshave dhe kombësive të ndryshme, të bashkuar si një popull i vetëm.
Kard. Artime i drejton shën Marisë lutjen që “asnjë pengesë të mos na bëjë të devijojmë nga rruga, e cila të çon në shëlbim”. Asambleja e besimtarëve thotë lutjen e lashtë Oremus pro Pontifice nostro. Lutjet për Papën "tonë", Françeskun. Atë Papë, që është më shumë se njëzet ditë i larguar, por që sot, shpirtërisht, i pranishëm ndër zemra!