Në Gemelli Papa ka fjetur mirë gjithë natën
R.SH. / Vatikan
“Papa ka fjetur mirë gjithë natën”. Kështu lexojmë në një komunikim për gazetarët mëngjesin e sotëm, 3 mars, nga zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë në lidhje me gjendjen shëndetësore të Papës, i cili ndodhet i shtruar në Poliklinikën Gemelli në Romë që prej datës 14 shkurt.
Dje vonë pasdite, zyra e shtypit e Vatikanit bëri të ditur se Françesku është në gjendje klinike “të qëndrueshme” dhe se kuadri klinik është kompleks dhe për këtë arsye “prognoza mbetet e rezervuar”. Në informacionet për mediat u shpjegua se Papa nuk ka temperaturë dhe “nuk ka kërkuar ajrim mekanik joinvaziv, por vetëm terapi oksigjenimi me fluks të lartë”. Më tej, mësohet se “nuk ka pasoja të drejtpërdrejta nga kriza e izoluar e bronkospazmës të së premtes së kaluar” dhe se “megjithatë gjendja mbetet kritike”.