Papa në gjendje stabile, radiografia konfirmon përmirësimet e ditëve të fundit
R.SH. / Vatikan
“Kushtet klinike të Atit të Shenjtë, në kompleksitetin e kuadrit të përgjithshëm, kanë mbetur të pandryshueshme. Radiografia e gjoksit e kryer dje vërtetoi radiologjikisht përmirësimet e shënuara në ditët e mëparshme. Ati i Shenjtë vazhdon të kryejë terapi me oksigjen me fluks të lartë gjatë ditës dhe ajrim mekanik joinvaziv gjatë pushimit të natës.
Sot paradite, pasi ndoqi ushtrimet shpirtërore në lidhje me sallën Pali VI, në Vatikan, ai mori Eukaristinë, iu përkushtua lutjes dhe më pas fizioterapisë motorike. Pasdite, pasi iu bashkua Ushtrimeve Shpirtërore të Kuries Romake, përmes video lidhjes, vazhdoi lutjen, pushimin dhe vazhdoi fizioterapinë e frymëmarrjes”.
Kështu bëhet e ditur buletini i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë në mbrëmjen e sotme, e mërkurë 11 mars, në lidhje me gjendjen shëndetësore të Papa Françeskut, i shtruar që prej datës 14 shkurt në Poliklinikën Gemelli në Romë.
Lidhur me lajmet e publikuara sot për një udhëtim papnor në Nikea në maj, Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë sqaroi se ky udhëtim është duke u studiuar por nuk është shpallur asnjëherë. Zyra e shtypit kujton gjithashtu se Papa ka shprehur, në të kaluarën, dëshirën e tij për të shkuar në Nikea me rastin e 1700-vjetorit të Koncilit Ekumenik të Kishës dhe nënvizon se udhëtimi është duke u studiuar, por nuk është shpallur kurrë zyrtarisht.
Ka shumë gjasa që nesër në mbrëmje të mos ketë buletin të ri mjekësor, por Zyra e Shtypit do të japë disa informacione të përgjithshme për gazetarët.