Papa kremtoi Meshën në kapelën private, në Gemelli
R.SH. – Vatikan
Me shpatulla gati-gati të kthyera nga ne, që e sodisim, në një karrige me rrota, me një këmishë e një stolë të purpurt pas kremtimit të Meshës, ndërsa shikon kryqin në altarin e kapelës në katin e dhjetë ku shkon për t'u lutur çdo ditë, pasi kushtet e tij janë përmirësuar: kjo është fotografia e parë e Papës Françesku pas 14 shkurtit, kur u shtrua në Poliklinikën Gemelli. Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë e bëri të ditur mbrëmë. E kjo ishte edhe pamja e Papës këtë mëngjes, menjëherë pas meshës bashkë me priftërinj të tjerë në kapelën pranë dhomës së tij.
Shpresa për ta “parë" Papën
Prej ditësh disa gazetarë, por edhe njerëz të thjeshtë, pyesin për fotografitë e Papës. E fundit është bërë më shumë se një muaj më parë, kur në Shën Martë, një mëngjes para se të shtrohej në spital, Françesku priti anëtarët e Fondacionit Spanjoll Gaudium et Spes. Që atëherë, askush, përveç mjekëve dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, nuk pati rastin ta shohë Papën, ndërsa zëri i tij i lodhur, u dëgjua në audion e 6 marsit, të transmetuar gjatë rruzares në Sheshin e Shën Pjetrit, me të cilën bekoi besimtarët dhe falënderoi ata që u lutën për të në këtë kohë sëmundjeje. Pastaj vijoi të merrej me tekste të ndryshme të shkruara, duke përfshirë edhe katekizimin e Engjëllit dhe të audiencës së përgjithshëm të së mërkurës, si dhe mesazhe e telegrame.
Lutje, pushim mjekime
Dje në mëngjes, rreth 200 fëmijë nga UNICEF dhe organizata të ndryshme të Italisë që u dyndën në Sheshin Gemelli për të sjellë lule, balona dhe një "përkëdhelje simbolike" për Papën, ia ngulën gjatë gjithë kohës sytë dritareve të katit të dhjetë të Gemelli-t, duke shpresuar të shihnin 'diçka' ndonjë “gjë të bardhë, që nuk ishin vetëm perdet e lëkundura nga era. Ëndërronin të shikonin Papën, një gjest, një shenjë, një përshëndetje, një bekim....
Lutje, pushim, mjekim
Në mbrëmje arrin në njërin nga çastet më intime, shenja e re e 'pranisë së Françeskut’: lutja. Ajo lutje, që përshkon ditët e tij së bashku me pushimin dhe terapinë farmakologjike dhe fizioterapinë respiratore e motorike, vazhdoi edhe sot. Në veçanti, Salla e Shtypit njoftoi se Papa përfitoi nga fizioterapia motorike. Ndaj sot nuk kishte vizitorë, ndërsa rifilloi disa punë.
Situata mbetet stabile, siç është pohuar ditët e fundit, por ende në një tablo klinike që stafi mjekësor – siç raportohet në buletinet e fundit – e cilëson si “komplekse”. Të njëjtat komunikime mjekësore nisën të bëhen më të pakta ditët e fundit, pikërisht në dritën e situatës së qëndrueshme të Papës, por Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë përditëson ditë për ditë gazetarët (deri në 700 të akredituar që nga fillimi i shtrimit të Papës) për kushtet e Françeskut. “Një çast sprove”, siç shkroi në Lutjen e Engjëllit të kësaj të dieleje, bashkë me shumë “të brishtë, në këtë çast, të sëmurë si unë”.