MAP

Një punëtore shpërndan ushqim për dy të pastrehë Një punëtore shpërndan ushqim për dy të pastrehë

Papa: Jubileu, përvojë për t’u jetuar në të përditshmën

Në mesazhin drejtuar shtegtarëve të Dioqezës italiane të Rietit, ardhur në Romë për Vitin Shenjt të Shpresës, Papa i fton për të qenë "dëshmitarë të shpresës" në çdo skaj të jetës, duke kontribuar në ndërtimin e një bote më "vëllazërore e më solidare”

R.SH. / Vatikan

Dashuria e Zotit, “gurrë” gëzimi të vërtetë dhe pishtar, që të jep forcë në udhët e jetës, ishte në qendër të mesazhit që Papa Françesku u drejtoi më 29 mars, shtegtarëve të Dioqezës së Rietit, të cilët erdhën në Romë për Jubileun. Besimtarët që morën pjesë ishin mbi 1700: priftërinj, diakonë, rregulltarë por edhe laikë. Papa u drejtohet të gjithëve, duke nisur nga ipeshkvi i Dioqezës, Imzot Vito Piccinonna, me një mendim të veçantë për të sëmurët dhe të moshuarit, të cilët “i ofrojnë lutje e vuajtje për të mirën e Kishës”.

Dashuria e Zotit duhet kuptuar e mirëpritur

Françesku shpreson se kalimi përmes Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit do të forcojë fenë e çdo shtegtari, duke e ndihmuar ta kuptojë dhe ta mirëpresë "gjithnjë e më shumë" dashurinë hyjnore, zanafillë e "arsye e gëzimit të vërtetë". Sidomos njerëzve më të ligësht e më nevojtarë jemi të thirrur t’ua dëshmojmë këtë dashuri që, si flakë e gjallë i jep forcë udhës së jetës – shkruan Papa.

Vlerat e Jubileut të jetohen në jetën e përditshme

Ndjenja, vlera, nuk duhet të ndalen në Romë, por të rijetohen në mjedise të ndryshme të jetës së përditshme. Për të kontribuar në ndërtimin e një bote më vëllazërore dhe më solidare. Mesazhi përfundon me kërkesën e Françeskut “vazhdoni të luteni për mua”. Ua drejton shtegtarëve të panumërt, që kaluan me devocion të thellë Portën Shenjte, duke iu lutur për mbrojtje Virgjërës Mari dhe Shën Barbarës, Pajtore e Dioqezës së Rietit.

31 mars 2025, 11:48