MAP

Audienca e përgjithshme e së mërkurës në sallën Pali VI (foto arkivi) Audienca e përgjithshme e së mërkurës në sallën Pali VI (foto arkivi)

Papa: Jezusi nuk frenohet nga skemat tona, të vihemi në gjurmët e tij

Publikohet katekizmi i audiencës së përgjithshme, që Françesku duhej ta kishte mbajtur sot, 5 mars, në Sallën Pali VI, anuluar për shkak të shtrimit të zgjatur në Poliklinikën Gemelli. Në tekst, Papa zhvillon një reflektim mbi gjetjen e Jezusit në Tempull dhe na nxit ta ndjekim Krishtin, i cili "nuk gjindet aq shumë në një vend, por në gjegjen e dashurisë të atësisë së ëmbël hyjnore, që “është jeta bijnore”.

R.SH. - Vatikan

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi sot, e mërkurë, katekizmin e Papës Françesku, përgatitur për audiencën e përgjithshme që do të mbahej sot, 5 mars, por që u anulua për shkak të qëndrimit të Papës në Poliklinikën Gemelli. Më poshtë, teksti i audiences se sotme i cili, i konceptuar si pjesë e ciklit jubilar të katekizmit, titulluar "Jezus Krishti shpresa jonë. Fëmijëria e Jezusit", propozon reflektimin mbi gjetjen e Jezusit në Tempull (Lk 2,49).

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjes!

Në këtë katekizëm të fundit kushtuar fëmijërisë së Jezusit, frymëzohemi nga episodi në të cilin, në moshën dymbëdhjetë vjeç, Jezusi ndenji në tempull, pa u treguar prindërve, Marisë e Jozefit, të cilët e kërkuan me ankth dhe e gjetën pas tri ditësh. Kjo histori na paraqet një dialog mjaft interesant ndërmjet Marisë dhe Jezusit, i cili na ndihmon të reflektojmë mbi rrugën e Nënës së Krishtit, rrugë që sigurisht nuk është e lehtë. Maria përfundoi një shtegtim shpirtëror, përgjatë të cilit përparoi në kuptimin e misterit të Birit të saj.

Të mendojmë për fazat e ndryshme të këtij udhëtimi

Në fillim të shtatzënisë, Maria viziton Elizabetën dhe qëndron me të për tre muaj, deri në lindjen e Gjonit të vogël, Gjon Pagëzuesit. Pastaj, kur ishte në muajin e nëntë, për shkak të regjistrimit, shkon me Jozefin në Betlehem, ku lindi Jezusin. Pas dyzet ditësh shkuan në Jeruzalem për të paraqitur fëmijën. E kështu çdo vit kthehen si shtegtarë në Tempull. Por kur Jezusi ishte ende fëmijë, Jozefi e Maria u strehuan në Egjipt për një kohë të gjatë, për ta mbrojtur Jezusin Foshnje nga Herodi, dhe vetëm pas vdekjes së mbretit, u rikthyen në Nazaret. Kur Jezusi i rritur fillon shërbimin, Maria është e pranishme dhe protagoniste në dasmën e Kanës së Galilesë; pastaj e ndjek “nga larg”, deri në shtegtimin e fundit në Jeruzalem, deri në mundimet udhës së kalvarit, deri në vdekjen e të Birit!

Pas Ngjalljess ë Jezusit, Maria mbetet në Jeruzalem si Nënë e dishepujve, duke mbështetur fenë e tyre, në pritje të zbritjes së Shpirtit Shenjt.

Gjatë gjithë këtij udhëtimi, Virgjëra është shtegtare e shpresës, në kuptimin e fortë që bëhet “e bija e të Birit”, dishepulle e tij e parë. Maria e solli në botë Jezusin, Shpresën e njerëzimit: e ushqeu, e rriti, e ndoqi, duke  u plazmuar e para nga Fjala e Hyjit – siç kujtoi Benedikti XVI – Maria “është vërtet në shtëpinë e saj, hyn e del lirisht. Flet e mendon me Fjalën e Hyjit […]. Kështu, veç të tjerave, zbulohet se mendimet e saj janë në harmoni me mendimet e Zotit e se ajo do gjithçka që do Zoti. […]. E përshkuar plotësisht nga Fjala e Zotit, ajo mund të bëhet nëna e Fjalës së mishëruar" (Encyclical Deus caritas est, 41). Megjithatë, ky bashkim i veçantë me Fjalën e Zotit nuk e  shpengon nga detyrat e saj.

Përvoja e humbjes së Jezusit dymbëdhjetëvjeçar gjatë shtegtimit vjetor në Jerusalem e frikëson Marinë deri në atë pikë, sa flet edhe në emër të Jozefit, ndërsa e qorton djalin e saj: “Bir, pse na e bëre këtë? “Ja, unë dhe  yt atë të kërkuam me ankth” (Lk 2,48). Maria dhe Jozefi provuan dhimbjen e prindërve që humbasin fëmijën: besuan se Jezusi ishte në karvanin e të afërmve, por duke mos e parë atë për një ditë të tërë, nisën kërkimin, që do t'i detyronte të ktheheshin mbrapa. E, duke u kthyer në tempull, zbulojnë se Ai, që në sytë e tyre deri pak kohë më parë ishte fëmijë për t'u mbrojtur, qe  rritur papritmas, aq sa tani ishte i aftë të merrte pjesë në diskutime mbi Shkrimet me mësuesit e Ligjit.

Përballë qortimit të nënës së tij, Jezusi përgjigjet me një thjeshtësi çarmatosëse: «Pse më kërkonit? A nuk e dinit se duhet të merrem me punët e Atit tim?" (Lk 2,49). Maria dhe Jozefi nuk e kuptojnë: misteri i Zotit të bërë fëmijë ia kalon mendjes së tyre. Prindërit duan ta mbrojnë atë fëmijë të jashtëzakonshëm nën krahët e dashurisë prindore; Jezusi, nga ana tjetër, dëshiron ta jetojë thirrjen e tij si Bir i Atit, i cili është në shërbimin e tij dhe jeton në thellësitë e Fjalës së tij.

Historitë e fëmijërisë sipas Lukës mbyllen, kështu, me fjalët e fundit të Marisë, të cilat të kujtojnë atësinë e Jozefit ndaj Jezusit, dhe me fjalët e para të Jezusit, të cilat të kujtojnë se kjo atësi buron nga ajo e Atit të tij qiellor,  të cilin e njeh padiskutueshëm si Atë.

 Të dashur vëllezër e motra, si Maria dhe Jozefi, përplot me shpresë, të vihemi edhe ne në gjurmët e Zotit, i cili nuk ndjek skemat tona e nuk gjendet vetëm në një vend, por në përgjigjen e dashurisë ndaj atësisë së ëmbël hyjnore, përgjigje dashurie, që është jeta bijnore.

05 mars 2025, 14:08