Papa Françesku kaloi një natë të qetë
R.SH. / Vatikan
Nata kaloi e qetë, Papa po pushon.
Lajmin e bëri të ditur Salla e Shtypit e Vatikanit në mëngjesin e sotëm, 1 mars, për gjendjen shëndetësore të Papës, i cili ndodhet i shtruar që prej datës 14 shkurt në Poliklinikën Gemelli.
Përditësimet nga buletini i mëparshëm
Në buletinin e publikuar mbrëmë bëhet e ditur se Papa Françesku paraqiti, në orët e para të pasdites, “një sulm të izoluar të bronkospazmës” që “përcaktoi një episod të vjellash me përkeqësim të papritur të gjendjes së frymëmarrjes”. Me aspirimin e menjëhershëm të tubave bronkialë, filloi ventilimin mekanik jo-invaziv "me përgjigje të mirë në shkëmbimin e gazit". Me sa dimë, vlerat e shkëmbimit të gazit u kthyen në ato të para krizës.
Gjithnjë “vigjilent dhe i orientuar” - shkruhet në buletinin mjekësor të mbrëmjes së djeshme, Papa bashkëpunoi në manovrat terapeutike. Do të duhen afërsisht 24-48 orë për të vlerësuar gjendjen klinike të Françeskut pas këtij sulmi të izoluar të bronkospazmës.