Lutjet dhe ngushëllimet e Papës për viktimat e përmbytjes në Argjentinë
R.SH. – Vatikan
Nga Poliklinika Gemelli, ku ndodhet i shtruar që prej 14 shkurtit, Papa shpreh pikëllimin për përmbytjen katastrofike në qytetin argjentinas Bahia Blanca, 650 km nga Buenos Ajresi, vendlindja e tij. Në një telegram për imzot Alfonso Azpiroz Costa, kryeipeshkëv i Bahía Blanca, Papa nënvizon “trishtimin” për fatkeqësinë natyrore, që "ka shkaktuar kaq shumë viktima dhe dëme materiale". Sipas të dhënave të fundit, 16 vetë kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë zhdukur. Ndërmjet tyre, dy motra të vogla, 1 dhe 5 vjeç.
Afërsi dhe lutje
Më pas, Françesku vë në dukje “afërsinë e tij shpirtërore me të gjithë popullsinë, duke iu lutur Zotit t'u japë ngushëllim atyre, që vuajnë në këto momente dhimbjeje dhe pasigurie”. Papa i lutet Hyjit t’i ndihmojë ata, që "angazhohen në kërkimin e të zhdukurve dhe në procesin e mundimshëm të rindërtimit të zonave të shkatërruara". Ia beson Zojës së Mëshirës të gjithë të prekurit nga kjo katastrofë dhe dërgon bekimin e tij apostolik.
Dëme dhe viktima
Përmbytja shkatërroi qytetet Bahia Blanca dhe Cerri. Autoritetet lokale kanë organizuar operacionet e shpëtimit, të vështirësuara nga përmbytja pothuajse e plotë të dyja qendrave, për shkak të rreth 400 milimetrave shiu, që ranë në pak orë, ndërmjet së premtes dhe së shtunës. Kjo sasi, zakonisht, bie në një vit të tërë. Që nga dita e diel, zjarrfikësit, Mbrojtja Civile, forcat e policisë dhe forcat e armatosura janë vënë në kërkim të tre personave të zhdukur, ndërmjet të cilëve edhe motrat e vogla Delfina dhe Pilar Hecker, që janë parë për herë të fundit pranë lagunës së Cerri-t. Është ende e pamundur të vlerësohen dëmet. Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, shpalli tri ditë zie kombëtare.