MAP

Françesku: falja, ilaçi më i mirë për të shëruar familjet në krizë

Në mesazhin me ndjetin e lutjes për muajin mars, të regjistruar para shtrimit të tij në spitalin Gemelli, Papa kujton se "falja e përtërin gjithmonë familjen, e bën të ecë përpara me shpresë". Edhe kur nuk është i mundur "fundi i lumtur", që do të dëshironim, thekson Françesku, hiri i Tënzot e paqton zemrën dhe e çliron nga trishtimi dhe inati

R.SH. – Vatikan

 "Familje të përsosura nuk ekzistojnë". Nga kjo premisë niset Papa në videomesazhin me të cilin – si çdo muaj – paraqet ndjetin e lutjes për marsin e sapofilluar, që i kushtohet “familjeve në krizë”. Natyrisht, videoja e publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës është regjistruar para shtrimit të tij në spital. Në çdo familje, vëren Ati i Shenjtë në të, ka probleme dhe gëzime, plagët mund të shërohen. Me falje.

Përmes faljes, plagët shërohen

Papa i fton të gjithë besimtarët katolikë që gjatë këtij muaji të luten "që familjet e ndara të gjejnë në falje shërimin e plagëve, duke rizbuluar edhe në ndryshimet ndërmjet tyre pasurinë e ndërsjellë".

“Në një familje - vë në dukje Papa - çdo njeri ka vlerë, sepse ai, ose ajo, është i ndryshëm nga të tjerët, çdo person është unik. Por dallimet mund edhe të shkaktojnë konflikte e plagë të dhimbshme. Ilaçi më i mirë për të mjekuar dhimbjen e një familjeje të plagosur është falja”.

Falja na çliron nga trishtimi dhe inati

“Të falësh”, shpjegon më tej Ati i Shenjtë, “do të thotë t’i japësh tjetrit një mundësi më shumë”. Papa kujton se Zoti e bën vazhdimisht këtë me ne.

“Durimi i Zotit është pa fund: ai na fal, na ngre sërish në këmbë, na jep mundësinë t’ia fillojmë nga e para. Falja e përtërin gjithmonë familjen, na bën të shohim përpara me shpresë. Edhe kur nuk është i mundur “fundi i lumtur”, që do të dëshironim, hiri i Tënzot na jep forcë për të falur dhe sjell paqe, sepse na çliron nga trishtimi dhe, sidomos, nga inati”.

Falja në Nxitjen Apostolike “Amoris Laetitia”

Kisha Katolike e ka theksuar gjithnjë nevojën që familjet të pranojnë dallimet ndërmjet anëtarëve të tyre, t'i vlerësojnë ato, t’ia hapin zemrën njëri-tjetrit e të falin, duke kërkuar ndihmë në çaste krize. Në Nxitjen Apostolike “Amoris Laetitia”, për shembull, vihet në dukje se krizat martesore kapërcehen si duhet, kur bashkëshortët dinë të përdorin hirin e pajtimit: të dish si të falësh dhe ta ndiesh faljen e tjetrit është përvojë themelore në jetën familjare. Kur kapërcen një krizë, nënvizohet në Nxitjen e Papës Françesku, çifti mëson “të jetë i lumtur në një mënyrë tjetër, duke u nisur nga mundësitë, që hap etapa e re”.

04 mars 2025, 16:04