Fran?esku: falja, ila?i m? i mir? p?r t? sh?ruar familjet n? kriz?
R.SH. – Vatikan
"Familje të përsosura nuk ekzistojnë". Nga kjo premisë niset Papa në videomesazhin me të cilin – si çdo muaj – paraqet ndjetin e lutjes për marsin e sapofilluar, që i kushtohet “familjeve në krizë”. Natyrisht, videoja e publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës është regjistruar para shtrimit të tij në spital. Në çdo familje, vëren Ati i Shenjtë në të, ka probleme dhe gëzime, plagët mund të shërohen. Me falje.
Përmes faljes, plagët shërohen
Papa i fton të gjithë besimtarët katolikë që gjatë këtij muaji të luten "që familjet e ndara të gjejnë në falje shërimin e plagëve, duke rizbuluar edhe në ndryshimet ndërmjet tyre pasurinë e ndërsjellë".
“Në një familje - vë në dukje Papa - çdo njeri ka vlerë, sepse ai, ose ajo, është i ndryshëm nga të tjerët, çdo person është unik. Por dallimet mund edhe të shkaktojnë konflikte e plagë të dhimbshme. Ilaçi më i mirë për të mjekuar dhimbjen e një familjeje të plagosur është falja”.
Falja na çliron nga trishtimi dhe inati
“Të falësh”, shpjegon më tej Ati i Shenjtë, “do të thotë t’i japësh tjetrit një mundësi më shumë”. Papa kujton se Zoti e bën vazhdimisht këtë me ne.
“Durimi i Zotit është pa fund: ai na fal, na ngre sërish në këmbë, na jep mundësinë t’ia fillojmë nga e para. Falja e përtërin gjithmonë familjen, na bën të shohim përpara me shpresë. Edhe kur nuk është i mundur “fundi i lumtur”, që do të dëshironim, hiri i Tënzot na jep forcë për të falur dhe sjell paqe, sepse na çliron nga trishtimi dhe, sidomos, nga inati”.
Falja në Nxitjen Apostolike “Amoris Laetitia”
Kisha Katolike e ka theksuar gjithnjë nevojën që familjet të pranojnë dallimet ndërmjet anëtarëve të tyre, t'i vlerësojnë ato, t’ia hapin zemrën njëri-tjetrit e të falin, duke kërkuar ndihmë në çaste krize. Në Nxitjen Apostolike “Amoris Laetitia”, për shembull, vihet në dukje se krizat martesore kapërcehen si duhet, kur bashkëshortët dinë të përdorin hirin e pajtimit: të dish si të falësh dhe ta ndiesh faljen e tjetrit është përvojë themelore në jetën familjare. Kur kapërcen një krizë, nënvizohet në Nxitjen e Papës Françesku, çifti mëson “të jetë i lumtur në një mënyrë tjetër, duke u nisur nga mundësitë, që hap etapa e re”.