Ushtrime shpirtërore, me reflektime nga Papa Françesku
R.SH. / Vatikan
Tekst për ushtrime shpirtërore, individuale dhe komunitare, shoqëruar nga reflektimet e Jorge Mario Bergoglio-s, bazuar mbi ushtrimet e shpirtit të Shën Injacit të Lojolës. Është libri i Austen Ivereigh titulluar "Para së gjithash, t'i përkasim Zotit". Ushtrimet shpirtërore me Papën Françesku, bashkëbotuar nga Libreria Editrice Vaticana dhe ajo Paoline, në gjuhën italiane, është në librari që sot, e hënë, 24 shkurt 2025.
Vëllimi u botua në vitin e kaluar anglisht me titullin “First Belong to God". “Në tërheqje me Papën Françesku” (Botimet Messenger - Loyola Press), e u paraqit nga Papa Françesku me një parathënie, në të cilën autori shpjegon rëndësinë e ushtrimeve shpirtërore për udhën e fesë të çdo të krishteri. Publikojmë më poshtë tekstin e plotë të parathënies së Papës.
Papa Françesku
Ishte pikërisht përmes përvojës së tij jetësore që Shën Injaci i Lojolës e kuptoi me shumë qartësi se çdo i krishterë lufton një luftë, që përcakton jetën e tij. Luftë për të mundur tundimin e mbylljes, në mënyrë që dashuria e Zotit Atë të banojë ndër ne. Kur i lëmë vend Zotit, që na shpëton nga vetë-dashja jonë, ia hapim zemrën gjithë krijimit e çdo krijese. Bëhemi, kështu, kanale të jetës dhe të dashurisë së Atit Hyjnor. Vetëm atëherë e kuptojmë jetën: dhuratë nga Ati, i cili na do thellësisht dhe dëshiron që t'i përkasim Atij dhe njëri-tjetrit.
Kjo betejë tashmë është fituar për ne nga Jezusi: me vdekjen e tij të turpshme në kryq dhe ngjalljen e tij. Kështu Ati zbuloi, përfundimisht dhe përgjithmonë, se dashuria e tij është më e fortë se të gjitha fuqitë e kësaj bote. E megjithatë, mirëpritja dhe konkretizimi i kësaj fitoreje vazhdon të jetë luftë: ne vazhdojmë të tundohemi për t’ia mbyllur shpirtin hirit, të jetojmë siç do bota, me iluzionin se jemi sovranë e se na mjafton vetvetja. Të gjitha krizat që kërcënojnë jetën dhe na mundojnë në botë, nga kriza ekologjike te luftërat, te padrejtësitë ndaj të varfërve dhe të pambrojturve, i kanë rrënjët në mospranimin për t'i përkitur Zotit dhe të tjerëve.
Kisha na ndihmon në shumë mënyra për ta luftuar këtë tundim. Traditat dhe mësimet e saj, praktikat e lutjes dhe të Sakramentit të rrëfimit dhe kremtimi i rregullt i Eukaristisë janë "kanale hiri", të cilat na mësojnë për të marrë dhuratat që Zoti Atë dëshiron të derdhë mbi ne.
Ndërmjet këtyre traditave janë Tërheqjet shpirtërore dhe, ndërmjet tyre, Ushtrimet Shpirtërore të Shën Injacit të Lojolës. Për shkak të presioneve dhe sforcimeve të vazhdueshme të një shoqërie konkuruese, tërheqja "rimbushni bateritë tuaja" është bërë gjithnjë e më popullore. Por një tërheqje e krishterë është shumë e ndryshme nga një pushim "çlodhës". Në qendër të vëmendjes nuk jemi ne, por Hyji, Bariu i Mirë, i cili, në vend që të na trajtojë si makineri, u përgjigjet nevojave tona më të thella, duke na trajtuar si bij të dashur.
Tërheqja shpirtërore është një kohë kur Krijuesi u flet drejtpërdrejt krijesave të tij, duke ndezur flakë shpirtrat tanë "me dashurinë dhe lavdërimin e vet", në mënyrë që ne t'i shërbejmë më mirë në të ardhmen", siç thotë Shën Injaci (Ushtrime shpirtërore, 15). Dashuria dhe shërbimi: këto janë dy temat e shkëlqyera të Ushtrimeve Shpirtërore. Jezusi vjen tek ne, duke i këputur zinxhirët tanë në mënyrë që të mund të ecim me Të, ashtu si dishepujt dhe shokët e Tij.
Kur mendoj për frytet e Ushtrimeve, shoh Jezusin duke i thënë sakatit në pellgun e Betsaidës: "Çohu, merre shtrojen tënde dhe ec!" (Gjoni 5,8). Është urdhër që duhet zbatuar e, në të njëjtën kohë, ftesa e tij më e ëmbël dhe më e dashur.
Ai njeri ishte i paralizuar në korp! Shikohej si dështak në një botë rivalësh dhe konkurrentësh. Plot inat dhe hidhërim për atë që ndjente se i kishin mohuar, mbeti i ngujuar në logjikën e vetvetes, i bindur se gjithçka varej nga ai dhe forca e tij. Duke qenë se të tjerët ishin më të fortë dhe më të shpejtë se ai, ra në humnerën e dëshpërimit. Por pikërisht aty Jezusi e takoi me mëshirën e tij dhe e ftoi të dalë nga vetja. Pasi u hap përballë pushtetit shërues të Jezusit paraliza e tij, e brendshme dhe e jashtme, u shërua. Ai qe në gjendje të ngrihej dhe të ecte, duke lavdëruar Zotin dhe duke punuar për Mbretërinë e Tij, i çliruar nga miti i vetë-mjaftueshmërisë dhe duke mësuar çdo ditë e më shumë për t'u varur nga hiri i Tij. Në këtë mënyrë njeriu bëhet dishepull i aftë për të përballuar më mirë jo vetëm sfidat e kësaj bote, por për ta sfiduar edhe vetë botën duke vepruar sipas logjikës së dhurimit dhe dashurisë.
Si Papë, desha të inkurajoja për ta kuptuar “së pari” përkatësinë tonë ndaj Zotit, e më pas, edhe ndaj krijimit dhe vëllezërve e motrave tona, veçanërisht atyre që na thërrasin me zë të lartë. Kjo është arsyeja pse doja të kisha parasysh dy krizat e mëdha të kohës sonë: vjetrimin e shtëpisë sonë të përbashkët dhe migrimet e lëvizjet masive të njerëzve. Të dyja janë simptoma të "krizës së mospërkatësisë" të përshkruara në këto faqe. Për të njëjtën arsye, doja ta inkurajoja Kishën të rizbulonte dhuratën e traditës së saj të sinodalitetit, sepse kur i hapet Shpirtit, që flet në popullin e Zotit, e gjithë Kisha ngrihet dhe ecën duke lavdëruar Hyjin dhe duke ndihmuar në realizimin e Mbretërisë së tij.
Jam i lumtur të shoh se si këto tema janë të pranishme para së gjithash në përkatësinë së pari ndaj Zotit" e të lidhura me soditjet e Shën Injacit që më formuan gjatë viteve. Austen Ivereigh bëri një shërbim të madh duke bashkuar meditimet e tërheqjes që predikova shumë dekada më parë, me mësimet e mia si Papë. Në këtë mënyrë, u krijon të gjithëve mundësinë të ndriçojnë dhe të ndriçohen nga Ushtrimet Shpirtërore të Shën Injacit.
Nuk është çasti për të hapur e për të mbyllur dyert. E shoh qartë se Zoti po na thërret të dalim nga vetja, të ngrihemi dhe të ecim. Ai na kërkon të mos largohemi nga dhimbjet dhe klithmat e kohës sonë, por të hyjmë në to, duke hapur kanalet e hirit të tij. Secili prej nesh është ai kanal për virtyt të pagëzimit tonë. Ka të bëjë me hapjen dhe mbajtjen hapur.
Këto tetë ditë, gjatë të cilave do të shijoni dashurinë e Tij, ju ndihmofshin për të dëgjuar thirrjen e Zotit e për t'u bërë gurrë jete, shprese dhe hiri për të tjerët, duke zbuluar kështu gëzimin e vërtetë të jetës suaj. Uroj t’i gjeni Dijetarët, për të cilët na flet Shën Injaci, atë “më shumë” që na thërret t’i zbulojmë thellësitë e dashurisë së Zotit në dhuratën më të madhe të vetvetes sonë.
E, ju lutem, sa herë ta kujtoni, mos harroni të luteni për mua, që unë të mund t’i ndihmoj të gjithë t'i përkasim gjithnjë së pari Zotit.
Qyteti i Vatikanit, 12 tetor 2023
Festa e Marisë së Pilar