MAP

Françesku në Palermo, në vitin 2015, në takimin me të rinjtë, gjatë vizitës baritore në Palermo (Vatican Media) Françesku në Palermo, në vitin 2015, në takimin me të rinjtë, gjatë vizitës baritore në Palermo (Vatican Media)

Papa: universiteti duhet të jetë gjithëpërfshirës

Mesazh i Papës për përurimin e vitit akademik të Universitetit të Palermos. Nëpërmjet studimit, të rinjtë duhet të thellohen në realitet, shkruan Françesku, dhe t’i kenë mirë parasysh pjesët e tij "të hequra ose të flakura", sepse "më shumë nga kufijtë" sesa nga "qendrat e pushtetit" kuptohen "pyetjet e mëdha të së tashmes dhe të së ardhmes". Inteligjenca njerëzore është "e pareduktueshme ndaj algoritmeve dhe proceseve logjike", ajo priret në thellësi, drejt "kërkimit të së mirës", e cila mund t

R.SH. / Vatikan

Në çdo universitet  ka “takim dhe shkëmbim brezash; përparim të kërkimit në fusha të ndryshme disiplinore; bashkëprani të ndjeshmërive të ndryshme kulturore, politike dhe fetare; ndërthurje të realitetit vendor dhe atij ndërkombëtar; zhvillim personal përmes sukseseve dhe dështimeve, talenteve dhe dobësive”, me pak fjalë, universiteti është “në diversitet, bashkësi e madhe”, ku takohen të kundërtat, diçka që “i mungon bashkëjetesës bashkëkohore, të plagosur nga një polarizim gjithnjë e më i theksuar i pikëpamjeve”.

Papa Françesku e shkroi këtë në mesazhin dërguar Kryeipeshkvit të Palermos, Imzot Corrado Lorefice, lexuar nga Don Carmelo Torcivia, drejtor i Zyrës Dioqezane për Universitetin dhe Kulturën, me rastin e përurimit të vitit akademik të Universitetit të kryeqytetit sicilian - i 219-ti që nga themelimi i tij - i cili u zhvillua pardje pasdite, 8 shkurt, në Sallën e Madhe të Campusit të Universitetit të Palermos. Studentëve, studiuesve dhe mësuesve Papa u besoi një fjalë "kundër trendit", "një qëndrim, që i dalloi kulturat e Mesdheut ndër shekuj: ngadalësinë "për të kuptuar", "për t’u rritur" dhe "për të ndryshuar".

Ka shpresë atje ku drejtësia bëhet hapësirë

“Të përfshish”, “të kuptosh”, “të mirëpresësh”, ta pezullosh gjykimin”: këto janë të gjitha tipare të universalitetit, tipike për universitetin - nënvizoi Papa - duke shtuar se “vetëm së bashku mund ta mbrojmë e ta shpjegojmë realitetin” dhe “të banojmë të”, pa harruar se për këtë mbetet akoma shumë për të bërë. Edhe nëse "frika ndikon edhe mbi njerëzit më të ditur dhe i tërbon zilinë, konkurrencën, frymën e hakmarrjes, të ngurtësisë", nevojitet "ndershmëri e fortë personale dhe institucionale" që "uniteti të fitojë mbi konfliktin, e mira e përbashkët mbi qëllimet personale dhe interesat private".

“Ka shpresë aty ku drejtësia lë vend” - kujtoi Papa, “e edhe të rinjtë mund të bëhen protagonistë, veçanërisht nëpërmjet studimit, që nuk i abstragon, por i zhyt në realitet”. Për Françeskun, "kontakti me realitetin është i rëndësishëm", veçanërisht "me pjesët e tij të hequra ose të hedhura", të tilla si "njerëzit që nuk do të hyjnë kurrë në universitet" ose "të gjitha lagjet dhe komponentët shoqërorë që janë bërë të padukshëm". Ne shpesh nuk e “vlerësojmë ekzistencën dhe këndvështrimin e gjithë kësaj”, ndërsa “më shumë nga skajet sesa nga qendrat e studimit dhe të pushtetit”, kuptojmë “pyetjet e mëdha të së tashmes dhe të së ardhmes”.

Livatino dhe Puglisi, simbolet e fillimeve të reja

Duhet "guxim për t’u vënë në shërbim të qytetit, duke dalë secili nga zonat e rehatisë personale dhe institucionale", në mënyrë që "njohuritë dhe metodologjitë" të mund të përzihen me njëra-tjetrën, e që të mund të ketë "sinteza të reja transdisiplinore" që të "tërheqin trurin", kujton Papa, duke vënë në dukje se po të ndodhë kjo "inteligjenca rindizet, studimi dhe jeta bashkëpunojnë, e reja shkon përpara e dëshpërimi hesht". Duke folur për vitin e ri akademik në Universitetin e Palermos, Françesku kujtoi "martirët Rosario Livatino dhe Don Pino Puglisi, së bashku me një numër të madh dëshmitarësh që e ndriçuan Sicilinë dhe kryeqytetin e saj "me shpresën e tyre", si "simbol i fillimeve të reja" për të cilat të gjithë "mund të kontribuojnë me talentin e vet".

Rëndësia e ngadalësisë

Por përballë "magjepsjes së teknologjisë", "zhytur në shpejtësi", me "inteligjencat artificiale" që "na joshin me performancën e tyre", Papa rekomandon ngadalësinë. "Rritja, nga ana tjetër, është proces i ngadalshëm dhe kurrë udhëtim linear" - vazhdoi Françesku - sepse "dështimet, ashtu si gabimet, janë themelore në kërkimin e së vërtetës" dhe "ndryshimi në fusha të ndryshme, kërkon gjithashtu ngadalësi". Këto janë “objektiva” nga të cilat nuk mund të lejojmë “të hiqet dorë”. “Inteligjenca njerëzore, e pakalueshme nga algoritmet dhe proceset logjike, është në rrezik”, përfundoi Papa, duke kujtuar se inteligjenca njerëzore thellë në vetvete, ka prirjen, të “kërkojë të mirën dhe askush nuk e ka monopolin e saj”.

09 shkurt 2025, 13:48