MAP

2025.02.07 Membri della Rete "Talitha Kum", in occasione della Giornata Mondiale di Preghiera contro la Tratta di esseri umani

Papa: trafikimi i qenieve njerëzore është turp, të bashkohen forcat për ta luftuar

Françesku takohet me një delegacion nga rrjeti "Talitha Kum" në Shtëpinë e Shën Martës. I nxit anëtarët të impenjohen kundër shfrytëzimit "të poshtër" të miliona njerëzve. “Tregtimi i trupit, shfrytëzimi seksual, edhe i fëmijëve, puna e detyruar”, pohon Ati i Shenjtë, janë “shkelje shumë e rëndë e të drejtave themelore të njeriut”. Secili duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e vet në luftën kundër “kësaj forme krimi, që realizon fitime në kurriz të njerëzve më të brishtë”

R.SH. – Vatikan

Nuk mund të “jemi indiferentë” para “dramës” së trafikimit, e cila sot, në mbarë botën, “shkakton miliona viktima”, “nuk ndalet para asgjëje” dhe “gjen gjithmonë mënyra të reja për të hyrë në shoqëritë tona”. Kjo është thirrja e Papës Françesku në audiencën e sotme me delegacionin e rrjetit "Talitha Kum", takuar në Shtëpinë e Shën Martës, me rastin e Ditës së 11-të Botërore të Lutjes dhe të Reflektimit kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore - themeluar pikërisht nga Ati i Shenjtë në vitin 2015. Dita, për të cilën bashkëpunojnë “Talitha Kum”, rrjet ndërkombëtar murgeshash kundër trafikimit të qënieve njerëzore, si edhe Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme (UISG) e Bashkimi i Eproreve të Përgjithshme (USG), kremtohet nesër, më 8 shkurt, në përkujtimin liturgjik të Shën Jozefina Bakitës, “viktimë e kësaj plage të tmerrshme shoqërore”. Papa i ftoi të gjithë të bashkojnë forcat e të marrin përsipër përgjegjësitë në luftën kundër “kësaj forme krimi, që realizon fitime në kurriz të njerëzve më të brishtë”.

“Nuk mund të pranojmë që kaq shumë motra dhe vëllezër të shfrytëzohen kaq poshtërsisht. Tregtimi i trupit, shfrytëzimi seksual, madje, edhe i fëmijëve, puna e detyruar, janë turp dhe shkelje shumë e rëndë e të drejtave themelore të njeriut”.

Foto e Papës me delegacionin e "Talitha Kum"
Foto e Papës me delegacionin e "Talitha Kum"   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Të ndihmohen viktimat dhe të mbijetuarit

Historia e Shën Jozefina Bakitës, për Papën, tregon se "megjithë padrejtësitë dhe vuajtjet e pësuara, me hirin e Tënzot", është e mundur që njerëzit “të thyejnë zinxhirët, të bëhen sërish të lirë dhe të kthehen në lajmëtarë shprese për të tjerët, që janë në vështirësi". Ashtu siç bëjnë pjesëmarrësit në rrjetin ndërkombëtar “Talitha Kum”, të cilët kanë ardhur në Romë nga vende të ndryshme – edhe nga Shqipëria - për javën e formimit, të lutjes e të reflektimit, e cila filloi më 2 shkurt dhe përfundoi sot, pikërisht në kuadrin e Ditës Botërore kundër Trafikimit. Kujtojmë se Shqipëria merr pjesë në “Talitha Kum” përmes rrjetit “URAT”, në të cilin bashkëpunojnë një sërë shoqatash laike e kishtare. Pikërisht sot, në orën 14.00, rrjeti organizoi në kishën e Martirëve në Blinisht, një veprimtari në kuadrin e Ditës kundër trafikimit të njerëzve. Ndërkaq, në audiencën e sotme në Vatikan, Papa Françesku kërkoi impenjim për të ndihmuar ata, që kanë pësuar keqtrajtime dhe abuzime; i falënderoi "ambasadorët e rinj kundër trafikimit", duke i përgëzuar për "krijimtarinë dhe energjinë", me të cilën gjejnë "gjithmonë mënyra të reja për të ndërgjegjësuar e për të informuar".

“I inkurajoj të gjitha organizatat e këtij rrjeti dhe të gjithë individët, që janë pjesë e tij, të bashkojnë forcat, duke vënë në qendër viktimat dhe të mbijetuarit, duke dëgjuar historitë e tyre, duke u kujdesur për plagët e tyre dhe duke ua amplifikuar zërin. Kjo do të thotë të jeni ambasadorë të shpresës e shpresoj që, në këtë Jubile, shumë njerëz të tjerë të ndjekin shembullin tuaj”.

Papa, ndërsa lexon fjalën e tij
Papa, ndërsa lexon fjalën e tij   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)
07 shkurt 2025, 12:13