MAP

Palestinezë të shpërngulur Palestinezë të shpërngulur

Papa: të lutemi për vendet në luftë e t’i kujtojmë të shpërngulurit e Palestinës

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Françesku përsëriti thirrjen për territoret që vuajnë nga konfliktet, duke i kujtuar posaçërisht "të zhvendosurit e Palestinës". Papa kërkoi lutje edhe për priftërinjtë e rregulltarët që kryejnë shërbesën e tyre në Ukrainë, në Lindjen e Mesme dhe në RD të Kongos: prania e tyre "është provë, që tregon se Zoti i kujton"

R.SH. - Vatikan

Në audiencën e sotme të  përgjithshme, 5 shkurt, në Sallën Pali VI, Papa Françesku i kujtoi rishtas vendet e prekura nga konfliktet dhe pasojat e tyre. Pavarësisht nga të ftohurit, që e pengoi për leximin e katekizmit e që iu besua Atë Pierluigi Giroli-t, zyrtar i Sekretarisë së Shtetit, Papa deshi ta shqiptonte vetë thirrjen për "vendet që vuajnë nga lufta":

“Ukrainën e torturuar, Izraelin, Palestinën. Shumë vende që po vuajnë atje. T’i kujtojmë të shpërngulurit e Palestinës dhe të lutemi për ta”.

Lutjet për meshtarët në vendet e varfra ose të luftës

Edhe në përshëndetjen për shtegtarët polakë, Papa kujtoi territoret e rrënuara nga varfëria e nga dhuna dhe i inkurajoi “të luten për meshtarët, që kryejnë shërbesën e tyre në vendet e varfra dhe të shkatërruara nga lufta”, veçanërisht - kujtoi - “në Ukrainë, në Lindjen e Mesme dhe në Republikën Demokratike të Kongos”.

“Për shumëkënd, kjo prani është provë  që tregon se Zoti i kujton gjithmonë”.

05 shkurt 2025, 12:44