Papa priftërinjve ortodoksë: Besojma e Nikesë bashkon të gjithë të krishterët
R.SH. – Vatikan
"Copëza" të ndara, në rrugën drejt unitetit, nën "rrëfimin e të vetmes fe, "simbol" vërtetë i aftë për të mbledhur komunitetet e ndryshme të krishtera, për t'u ruajtur si "një thesar në vazo balte". Është një thirrje për bashkim, ajo që Papa Françesku u drejton priftërinjve dhe murgjve të rinj të Kishave Ortodokse Lindore në një vizitë studimore në Romë, të cilët sot, 6 shkurt, i priti në audiencë.
Nikea, teatri i unitetit të krishterë
Prania e komuniteteve armene, kopte, etiopiane, eritreane dhe malankarane në Sallën Koncistorit në Vatikan merr një kuptim edhe më të thellë në kontekstin e kremtimeve me rastin e1700 vjetorit të Koncilit Kishtar të Nikesë, "i cili shpalli simbolin e fesë së përbashkët për të gjithë të krishterët".
Plotësia e fesë së përbashkët
Në kuptimin e tij teologjik, "simboli" a “besojma” e fesë shpreh harmoninë e të vërtetave të ndryshme të krishtera. Në aspektin kishtar, kujton kuptimin e saj origjinal: "gjysma e një pjese të thyer në dysh për t'u paraqitur si shenjë njohjeje". Sot, të krishterët thirren të identifikohen nëpërmjet besimit të tyre, "i cili gjen unitetin e tij të plotë vetëm së bashku me të tjerët".
"Ne besojmë"
"Simboli" shpirtëror më në fund mishërohet në Kredon, i cili në formulimin e tij origjinal përdorte formën e komunitetit "ne besojmë". Bashkimi me Zotin kalon domosdoshmërisht përmes unitetit mes nesh të krishterëve, që shpallim të njëjtën fe. Nëse djalli ndan, Simboli i fesë bashkon! Sa e bukur do të ishte që, sa herë që shpallim Kredon, të ndiheshim të bashkuar me të krishterët e të gjitha traditave.