MAP

Fakulteti Teologjik i Triveneto - nga faqja e internetit FTTR Fakulteti Teologjik i Triveneto - nga faqja e internetit FTTR

Papa për fakultetin e teologjisë së Trivenetos: ecni drejt së Vërtetës dhe së Mirës

Në mesazhin dërguar rektorit, Papa falënderon familjen akademike “për misionin e rëndësishëm arsimor të kryer deri tani”, veçanërisht “në favor të brezave të rinj të territorit”

R.SH. – Vatikan

"Të jeni gjithnjë e më shumë një vend formimi, jo vetëm përmes studimit dhe thellimit në teologji, por edhe përmes dëshmisë së krishterë të secilit": ky është urimi i Papës Françesku në mesazhin, dërguar sot (18 shkurt) dekanit të Fakultetit Teologjik të Triveneto-s, don Maurizio Girolami, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të ateneut. Ati i Shenjtë nxit “të përballen me guxim sfidat e reja, në mënyrë që t’i përçohet frytshëm e vërteta e Ungjillit njeriut bashkëkohor”.

Mision i rëndësishëm edukativ

Papa falënderon të gjithë familjen akademike "për misionin e rëndësishëm edukativ, kryer deri tani", sidomos "në favor të brezave të rinj të territorit" dhe e inkurajon "të ngulmojë në bashkëpunimin me misionin e Kishës për të përhapur mesazhin e Krishtit në botë, besnike ndaj traditës së mirëfilltë, por mendjehapur për të kuptuar shenjat e kohës". Ati i Shenjtë u kushton një mendim të veçantë mësuesve që “të dinë t’i ndihmojnë të rinjtë ta realizojnë vetveten mbi bazën e së vërtetës, mirësisë dhe bukurisë, që e kanë burimin te Zoti”.

Fjala e Patriarkut të Venedikut

Përurimi i vitit akademik 2024-2025 i Fakultetit Teologjik të Triveneto-s, që u kremtua sot, më 18 shkurt, në Padova, përkoi me fillimin e veprimtarive për 20-vjetorin e themelimit të tij në vitin 2005, me iniciativën e ipeshkvijve të vendit. Fjalën e rastit e mbajti Patriarku i Venedikut, imzot Francesco Moraglia, Kancelar i Madh i Fakultetit, që reflektoi mbi temën “Cila kulturë për Evropën? Arsyet për shpresë në një kohë çorientimi: interpretimi i së tashmes, planifikimi i së ardhmes”. Imzot Moraglia u bazua në një fjalim të shkruar në vitin 1984 nga Václav Havel, presidenti i ardhshëm i Republikës Çeke pas komunizmit, dramaturg dhe poet, që vuri në dukje tjetërsimin kulturor bashkëkohor, «si shkëputjen e njeriut modern nga ‘bota natyrore’”, por edhe ardhjen e një teknologjie e të një shkence, që mund ta neutralizojë përvojën e gjallë njerëzore, duke “e lënë vetë jetën në dorën e shterpësisë së abstraksioneve protokollare”.

E deri në denoncimin se regjimet totalitare të asaj kohe ishin shprehje e këtij tjetërsimi nga bota reale e përvojës njerëzore. Këto arsyetime, vërejti Patriarku i Venedikut, janë aktuale edhe sot, kur flitet për Inteligjencën Artificiale, kur vërehet shterpësia ku kanë përfunduar marrëdhëniet njerëzore, kur procedurat dhe veprimtaritë njerëzore dehumanizohen, “duke filluar nga jeta politike në marrëdhëniet e punës, nga formimi universitar në fushën e shëndetit publik”.

Shoqëria ngre lart “parimin e subjektivitetit dhe e absolutizon atë gjithnjë e më shumë, duke përfunduar me zëvendësimin e parimit, që ka në qendër njeriun” e krijuar nga Zoti, i cili vendos në çdo zemër aftësinë për t’u orientuar drejt së Vërtetës e së Mirës. Për këtë arsye, Kancelari i Madh i ftoi pedagogët e studentët ta shohin “me empati njeriun, siç kërkon mendimi i Krishtit, që i jep shpirt qenies dhe bëhet edhe mendimi ynë”.

18 shkurt 2025, 13:35