MAP

Papa flet në Festivalin e Sanremos 2025 Papa flet në Festivalin e Sanremos 2025

Papa në video, në Sanremo: muzika është mjet paqeje, luftërat shkatërrojnë fëmijët

Françesku në Teatrin Ariston, me një videomesazh për festivalin muzikor italian: "Muzika mund t'i ndihmojë popujt të jetojnë së bashku", pohon. Duke kujtuar Ditën Botërore të Fëmijëve, flet për të miturit e shumtë, që “derdhin lot dhe vuajnë për padrejtësitë e shumta në botë”. Papa shpreh dëshirën për "t’i parë ata, që urrehen, të shtrëngojnë duart, të përqafohen dhe të thonë me jetë, muzikë dhe këngë: paqja është e mundur!"

R.SH. – Vatikan

Në sallën e Teatrit Ariston ra heshtja e surprizave të mëdha kur mbrëmë, pak para orës 22, prezantuesi dhe drejtori artistik i Festivalit italian të Sanremos 2025, Carlo Conti, lajmëroi se, mes këngëtarëve konkurrues dhe të ftuarve të veçantë, kishte edhe një të ftuar të paparë deri atë çast, në atë skenë: Papën. Me një video të regjistruar në Shtëpinë e Shën Martës, Françesku i foli publikut të edicionit të 75-të të ngjarjes më të famshme muzikore italiane për të kujtuar rëndësinë e muzikës dhe mesazhin e saj. Një mesazh “për paqen”, si ai i kënduar menjëherë pas nga këngëtarja izraelite Noa dhe këngëtarja palestineze Mira Awad, në një duet në hebraisht, arabisht dhe anglisht, me tingujt e këngës së paharrueshme të John Lennon, “Imagine”.

“Muzika – tha Papa - është bukuri, muzika është mjet i paqes. Është gjuhë, që e flasin të gjithë popujt, në mënyra të ndryshme dhe prek zemrën e të gjithëve. Muzika mund t'i ndihmojë popujt të jetojnë së bashku”.

  (ANSA)

Kujtimi i Ditës Botërore të Fëmijëve

Papa i parë që foli në Sanremo, Jorge Mario Bergoglio, përmendi një kujtim personal, atë të nënës së tij Regjina Maria, e cila "më tregonte dhe më shpjegonte disa pjesë të operave lirike, duke më bërë të kuptoj ndjenjën e harmonisë dhe mesazhet, që mund të japë muzika". Një kujtim tjetër, ruajtur “në zemër”: Dita Botërore e Fëmijëve e kremtuar në maj 2024, në Stadiumin Olimpik të Romës, prezantuar – edhe ajo – nga Carlo Conti. “Çast i bukur”, theksoi Ati i Shenjtë, me praninë e mijëra fëmijëve nga e gjithë bota.

“Luftërat i shkatërrojnë fëmijët”

Françesku tërhoqi vëmendjen e Italisë dhe të botës mbi "fëmijët e shumtë, që nuk mund të këndojnë": fëmijë, që "nuk mund t’i këndojnë jetës, që derdhin lot e vuajnë për padrejtësitë e shumta në botë, për luftërat e shumta, për situatat e konfliktit".

“Luftërat i shkatërrojnë fëmijët. Të mos harrojmë kurrë se lufta është gjithmonë disfatë”.

  (ANSA)

Dëshira për t’i parë ata që urrehen, të shtrëngojnë duart

"Ajo që dëshiroj më shumë", ngriti zërin dje Papa, "është t’i shoh ata, që urrehen, të shtrëngojnë duart, të përqafohen dhe të thonë me jetë, muzikë dhe këngë: paqja është e mundur!" "Sot, ti po e bën këtë dhe po bën që ta thonë përmes muzikës", iu drejtua Françesku prezantuesit Carlo Conti.

Të impenjohemi për një botë më të drejtë dhe më vëllazërore

Të pranishmëve Ati i Shenjtë u la urimin: “Përpiquni të jetoni mbrëmje të bukura”. Përshëndeti “të gjithë ata, që janë të lidhur me televizion, ose mjete të tjera, si edhe ata që vuajnë”, duke shpresuar që “muzika e mirë të arrijë në zemrën e të gjithëve”.

“Muzika mund t'ia hapë zemrën harmonisë, gëzimit për të ndenjur së bashku, me gjuhë të përbashkët dhe mirëkuptim, duke na bërë të impenjohemi për një botë më të drejtë dhe më vëllazërore”.

Falënderimi i prezantuesit Carlo Conti

Fjalët e Papës Françesku u përshëndetën me duartrokitje të forta nga të pranishmit e publiku u ngrit në këmbë për një “standing ovation”. Carlo Conti e paraqiti videon, duke shpjeguar se i kishte shkruar Papës për ta informuar mbi pjesën e Festivalit kushtuar paqes, me duetin e Noa dhe Mira Awad. “Është njeri, që ne të gjithë e kemi për zemër e, shpesh, e ngre zërin, i bën thirrje botës për paqe. I shkrova nëse mund të na dërgonte një mendim të tijin për ta prezantuar këtë moment, por ai bëri diçka më shumë...”, vuri në dukje Carlo Conti, që e falënderoi dy herë Atin e Shenjtë, në përfundim të videos.

12 shkurt 2025, 09:10