Papa në spitalin Gemelli: natë e qetë, terapia vazhdon
R.SH. – Vatikan
Papa, ende i shtruar në spitalin Agostino Gemelli të Romës, ka kaluar një natë të qetë e sot, pasi hëngri mëngjesin, lexoi gazetat "siç bën zakonisht". Terapia vazhdon. Këtë deklaroi zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, për gjendjen e Françeskut, që ndodhet në Poliklinikën universitare nga dita e premte 14 shkurt, për trajtimin e një infeksioni të rrugëve të frymëmarrjes. Që dje, sipas notës zyrtare të Sallës së Shtypit, shëndeti i Papës është përmirësuar, pasi ai nuk ka më temperaturë dhe analizat janë më të mira. Nga faqja e tij në platformën X, vetë Ati i Shenjtë shkruan: “Ju falënderoj për dashurinë, lutjet dhe afërsinë me të cilën po më shoqëroni në këto ditë”.
Besimtarët u mblodhën para spitalit Gemelli në mesditë
Papa nuk e tha sot Engjëllin e Tënzot me besimtarët, si çdo të dielë, pasi sipas mjekëve, ka nevojë për “pushim absolut”, por teksti u botua e u përhap përmes mjeteve të informacionit. Megjithatë, rreth mesditës, shumë besimtarë u mblodhën para spitalit, duke shpresuar për ndonjë surprizë nga dritarja e katit të dhjetë. Të pranishëm, edhe gazetarët me kamerat e tyre. Të gjithë, të shqetësuar për shëndetin e Atit të Shenjtë, të cilit i kanë ardhur mesazhe e lutje nga të katër anët e botës. Së fundi, besimtarët u larguan me shpresën për ta parë Papën të duket sërish, kësaj radhe, nga dritarja e Pallatit Apostolik në Vatikan, e jo nga ajo e spitalit.