MAP

POPE-AUDIENCE/

Papa: në Kreshmë, të jemi "endës të unitetit", të ecim së bashku me shpresë

Të ecësh në jetë “pa e shkelur tjetrin”, pa lënë mbrapa e pa përjashtuar askënd: kjo është një nga thirrjet në mesazhin e Françeskut për Kreshmë, me titull “Të ecim së bashku me shpresë”. Në tekst, Papa u bën thirrje besimtarëve t’i shoqërojnë, t’i ndihmojnë dhe t’i mirëpresin vëllezërit dhe motrat, që ndodhen në "mjerim e dhunë", në udhëtimin e përbashkët "drejt shtëpisë së Atit"

R.SH. – Vatikan

Gjatë këtyre Kreshmëve, ta kapërcejmë “tundimin për t'u tërhequr në vetëvete e për t'u kujdesur vetëm për nevojat tona”, përkundrazi, të jemi “udhëtarë më të mirë” në rrugën e jetës, duke i shoqëruar njerëzit në “situata mjerimi dhe dhune”. Në Mesazhin e tij për Kreshmët e këtij viti, të titulluar “Të ecim së bashku me shpresë”, nënshkruar më 6 shkurt 2025 në Shën Gjonin në Lateran dhe publikuar sot, Papa Françesku u kërkon besimtarëve të impenjohen konkretisht me ata njerëz, që vuajnë fizikisht e shpirtërisht. Ati i Shenjtë i inkurajon të krishterët të mos i harrojnë motrat dhe vëllezërit e tyre të përjashtuar nga shoqëria dhe të jenë "endës uniteti" në këtë botë të karakterizuar nga tensione dhe ndarje.

Të jemi të vetëdijshëm për realitetin e të tjerëve

Në këtë Jubile, gjatë të cilit udhëtimi kthehet në shtegtim, Papa përmend rrugën e popullit të Izraelit drejt tokës së premtuar, siç rrëfehet në Librin e Daljes, duke theksuar se "nuk mund ta kujtojmë eksodin biblik, pa menduar për sa e sa vëllezër dhe motra, që, sot, ikin nga varfëria e dhuna dhe shkojnë në kërkim të një jete më të mirë për vetveten".

Françesku, gjithnjë, me vështrim drejt më të brishtëve, i inkurajon të krishterët të ushtrohen mirë gjatë kësaj kohe të përgatitjes për Pashkë, pra, të mos jenë indiferentë para "realitetit konkret të ndonjë migranti a shtegtari", të reflektojnë nëse reagimi para tyre i lë pa lëvizur, në "zonën e rehatit" apo kërkojnë "udhë çlirimi nga mëkati e nga mungesa e dinjitetit". Të verifikojmë “në jetën tonë, në familjet tona, në vendet ku punojmë, në famulli apo bashkësi rregulltare” – vijon Papa në mesazh – nëse jemi “të aftë të ecim me të tjerët, të dëgjojmë, të kapërcejmë tundimin për t’u mbyllur në vetvete dhe për t’u kujdesur vetëm për nevojat tona”.

Ipeshkvi i Romës na inkurajon në këto Kreshmë të zbulojmë "ç’kërkon Zoti prej nesh për të qenë udhëtarë më të mirë drejt shtëpisë së Atit".

Të jemi “endës uniteti” në këtë rrugëtim

“Të krishterët thirren të udhëtojnë së bashku, asnjëherë si udhëtarë të vetmuar. Shpirti Shenjt na shtyn të dalim nga vetja për të shkuar drejt Zotit dhe drejt vëllezërve”, ngul këmbë Papa.

“Të ecësh së bashku – shkruan Papa në mesazh - do të thotë të jemi endës të unitetit, duke u nisur nga dinjiteti i përbashkët i bijve të Zotit; do të thotë të ecim krah për krah, pa e nëpërkëmbur dhe pa e shtypur tjetrin, pa pasur zili a hipokrizi, pa e lënë askënd pas e pa e bërë të ndihet i përjashtuar. Të shkojmë në të njëjtin drejtim, drejt të njëjtit horizont, duke e dëgjuar njëri-tjetrin me dashuri dhe durim”.

Françesku ia drejton këtë ftesë sidomos anëtarëve të Kishës: “Ta pyesim veten, përpara Zotit, nëse jemi në gjendje të punojmë së bashku si ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë dhe laikë, në shërbim të Mbretërisë së Hyjit; nëse kemi qëndrim mikpritës, me gjeste konkrete, për ata, që na afrohen dhe për ata, që na rrinë larg; nëse i bëjmë njerëzit të ndihen pjesë e bashkësisë apo i mënjanojmë”.

Shpresa që na udhëheq

Së fundi, në mesazhin e tij, Papa u kërkon besimtarëve ta bëjnë këtë rrugëtim, me shpresën e "besimit në Zotin dhe në premtimin e tij të madh, jetën e amshuar", duke pasur parasysh temën e Jubileut 2025, "Shtegtarë të Shpresës". E, si gjithnjë, përfundon me pyetjet e tij, që nxisin për reflektim personal:

“Duhet ta pyesim veten: a jam i bindur se Zoti m’i fal mëkatet? Apo sillem sikur mund ta shpëtoj unë vetveten? A e dëshiroj me zjarr shëlbimin dhe a kërkoj ndihmën e Hyjit për ta fituar atë? A e jetoj konkretisht shpresën, që më ndihmon të interpretoj ngjarjet e historisë dhe më shtyn të impenjohem për drejtësi, vëllazërim, kujdes ndaj shtëpisë sonë të përbashkët, duke u siguruar që askush të mos mbetet pas?”

Shpresa “qoftë për ne horizonti i rrugëtimit të Kreshmëve”, shkruan Ati i Shenjtë. “Jezu Krishti, dashuria dhe shpresa jonë, u ringjall dhe jeton e mbretëron me lavdi. Vdekja është shndërruar në fitore dhe këtu qëndron feja dhe shpresa e madhe e të krishterëve: në ringjalljen e Krishtit!”

25 shkurt 2025, 13:22