Papa: arti nuk është luks, por “nevojë”, që e shndërron dhimbjen në shpresë
R.SH. – Vatikan
"Nevoja" për artin, për atë lloj arti, që s’e lë të qetë shpirtin, por i ofron diçka, që Papa e quan “paqja e shqetësimit", pa u ndarë "nga drama e ekzistencës". Ky është thelbi i homelisë, që Ati i Shenjtë kishte përgatitur për Meshën e sotme në Vatikan, në Jubileun e artistëve dhe të botës së kulturës, me të cilën u kërkon atyre ta bëjnë realitet këtë lloj arti, të jenë “rojtarë të së bukurës” së fshehur në palët e historisë, “ta ndihmojnë njerëzimin të mos humbë orientimin”. Papa Françesku nuk mundi të marrë pjesë, për shkak të shtrimit të tij në spitalin Gemelli, por homelinë e lexoi prefekti i Dikasterit vatikanas për Kulturën dhe Edukimin, kardinali José Tolentino de Mendonça, i cili kryesoi Meshën.
“Mendimi ynë i parë shkon te Papa Françesku – e nisi fjalën e tij prelati. - Lutemi për shëndetin e tij, falenderojmë për vizionin dhe mbështetjen, që na jep gjithmonë”. Më pas, homelia, me komentin mbi Lumnitë ungjillore, të shpallura në Ungjillin e sotëm nga Luka. Fjalë, që "përmbysin logjikën e botës", duke na ftuar "ta shohim realitetin me sy të rinj", duke parë në të bukurinë, “edhe në brishtësi e vuajtje”.
Zbulimi i mirësisë së fshehur në histori
Artistët, të pranishëm mes rreth 4000 besimtarëve të mbledhur në Bazilikën e Vatikanit, janë bartësit e parë të këtij vizioni, kaq “revolucionar”.
“Misioni juaj – shkruan Ati i Shenjtë - nuk është vetëm të krijoni bukuri, por të zbuloni të vërtetën, të mirën dhe bukurinë e fshehur në palët e historisë, t'u jepni zë atyre që nuk e kanë, ta shndërroni dhimbjen në shpresë”.
"Shtegtarë apo endacakë?"
Krizat në botë janë të shumta: ekonomike, shoqërore, por mbi të gjitha, nënvizohet në homeli, janë kriza shpirtërore, etje për t’i dhënë kuptim realitetit. Jemi "shtegtarë a endacakë", pyet Papa, udhëtarë, që shkojnë drejt një horizonti të përcaktuar apo njerëz, që kanë humbur rrugën, duke u endur andej e këndej?
“Artisti është ai, ose ajo, që ka për detyrë ta ndihmojë njerëzimin të mos e humbasë drejtimin, të mos e humbasë horizontin e shpresës”.
Takimi me “bukurinë që na tejkalon”
Kjo shpresë, vijon Papa, nuk duhet të varfërohet nga qëndrimet sipërfaqësore e as të reduktohet në "strehë të rehatshme", por duhet të jetë "zjarr, që djeg e shndrit", takim "me misterin", me "bukurinë që na tejkalon", "dhimbje, që na shtron pyetje", "e vërtetë, që na tërheq vëmendjen". E duke shfrytëzuar vargjet e poetit jezuit Gerard Manley Hopkins, Ati i Shenjtë thekson misionin e përbashkët të artistëve për të "zbuluar madhështinë e fshehur" të Zotit në botë, duke e bërë atë të perceptueshme për sytë dhe zemrat.
Arti nuk është i tepërt
Në një epokë kur po ngrihen mure të reja dhe kur dallimet bëhen pretekst për ndarje, arti mund të duket i tepërt, pasi ndokush mund të mendojë se ka "gjëra më urgjente, më konkrete, më të nevojshme".
“Arti nuk është luks - vë në dukje Papa - por nevojë e shpirtit. Nuk është ikje [nga realiteti], por përgjegjësi, ftesë për veprim, kujtesë, britmë. Të edukosh bukurinë do të thotë të edukosh shpresën. E shpresa nuk ndahet kurrë nga drama e ekzistencës: përshkon luftën e përditshme, vështirësitë e jetës, sfidat e kohës sonë”.
"Shpresa nuk është iluzion"
Së fundi, vizioni i artistëve, vëren Ati i Shenjtë, duhet të jetë profetik, aktiv në përhapjen e “logjikës” së Lumnive. “Mos pushoni kurrë së kërkuari, së pyeturi, së rrezikuari”: kjo, ftesa e Papës.
“E, mbajeni mend: shpresa nuk është iluzion; bukuria nuk është utopi; dhurata që keni nuk është e rastësishme, është thirrje. Përgjigjuni me bujari, me pasion, me dashuri”.