Papa në Gemelli, përmirësim i lehtë i gjendjes shëndetësore
R.SH. – Vatikan
“Gjendja klinike e Atit të Shenjtë, pavarësisht se kritike, ka një përmirësim të lehtë. Edhe gjatë ditës së sotme nuk ka pasur episode krize në formë asme të frymëmarrjes; disa analiza laboratorike janë përmirësuar. Monitorimi për insufiçiencë renale të lehtë nuk përbën shqetësim”. Salla e Shtypit e Vatikanit e përditëson kështu, mbrëmjen e sotme, gjendjen shëndetësore të Papës Françesku, i shtruar në spitalin Gemelli të Romës që nga 14 shkurti.
“Vazhdon oksigjenoterapia, megjithëse me fluks e përqindje të reduktuar oksigjeni – thuhet më tej në notë. - Duke pasur parasysh kompleksitetin e kuadrit klinik, mjekët, duke u treguar të kujdesshëm, e mbajnë ende prognozën të rezervuar.
Paradite, mori Eukaristinë, ndërsa pasdite rifilloi aktivitetin e punën. Në mbrëmje, i telefonoi famullitarit të Gazës për t’i shprehur afërsinë e tij atërore. Papa Françesku e falënderon të gjithë popullin e Zotit, që këto ditë, është mbledhur në lutje për shëndetin e tij".