Papa në Gemelli, krizë e izoluar bronkospazme. Filloi ventilimi mekanik
R.SH. – Vatikan
“Pasditen e sotme, pas një paraditeje të kaluar duke alternuar fizioterapinë e frymëmarrjes me lutjen në kapelë, Ati i Shenjtë ka pasur një krizë të izoluar bronkospazme, që ka shkaktuar një episod të vjellash me rrezik mbytjeje dhe një përkeqësim të shpejtë të frymëmarrjes. Atit të Shenjtë i është bërë menjëherë një aspirim në bronke dhe është filluar ajrimi mekanik jo invaziv, me reagim të mirë përsa i përket shkëmbimit gazor. Ati i Shenjtë ka qenë gjithë kohën i vetëdijshëm dhe orientohej mirw, duke bashkëpunuar me manovrat terapeutike.
Prognoza mbetet e rezervuar. Në mëngjes ka marrë Kungimin”.
Kështu bëhet e ditur në buletinin e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, publikuar mbrëmjen e sotme, 28 shkurt. Papa Françesku mbetet ende i shtruar në Poliklinikën Gemelli të Romës, ku ndodhet që nga 14 shkurti.
Tani, do të duhen 24-48 orë për të vlerësuar gjendjen klinike të Papës, pas kësaj krize të izoluar bronkospazme. Mësohet se falë ventilimit (ajrimit) mekanik jo-invaziv, vlerat e shkëmbimit gazor janë kthyer në ato para krizës.