MAP

Papa Françesku me motrat e Nënë Terezës, Misionare të Bamirësisë Papa Françesku me motrat e Nënë Terezës, Misionare të Bamirësisë

Papa: misionarë të shpresës në një botë me simptoma serioze krize të humanizmit

Publikohet mesazhi i Papës për Ditën e 99-të Botërore Misionare, që kremtohet më 19 tetor, me të cilin Françesku i kërkon Kishës të vijojë ungjillëzimin, pavarësisht nga persekutimet dhe nga "gabimet e veta, për shkak të dobësive të disa anëtarëve të saj". E fton të përdorë afërsinë, veçanërisht aty ku zhvillimi teknologjik ekzalton individualizmin. E nxit t’i lejojë të përjashtuarit t’i mësojnë si jetohet me shpresë

R.SH. – Vatikan

Në një botë që, në shoqëritë më të përparuara, shfaq "simptoma serioze të një krize njerëzore", Ungjilli, i jetuar në bashkësi, mund të na rikthejë "një njerëzim të integruar, të shëndetshëm, të shëlbuar"; bashkësitë e krishtera mund të jenë shenjë e këtij “njerëzimi të ri”. Ky është thelbi i Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e 99-Botërore Misionare, me temë "Misionarët e shpresës ndërmjet njerëzve". Dita kremtohet më 19 tetorin e këtij viti, por mesazhi papnor u publikua sot (6 shkurt).

Pavarësisht nga persekutimet, papërsosmëritë dhe gabimet, Kisha është misionare

Françesku përmend enciklikën “Fratelli tutti” për ta nxitur Kishën Katolike të jetojë një sezon të ri ungjillëzimi, nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt, "dërguar për të ringjallur shpresën në një botë, mbi të cilën sillen re të zeza". Jezusi "u bë Misionari hyjnor i shpresës", shkruan Papa, "modeli më i epërm i atyre, që gjatë shekujve e çojnë përpara misionin e marrë nga Zoti, edhe në sprova ekstreme", duke “u përkulur mbi çdo njeri, që është i varfër, i vuajtur, i dëshpëruar dhe i shtypur nga e keqja". Duke i inkurajuar gjithë të pagëzuarit, dishepuj-misionarë të Krishtit, që ta bëjnë shpresën e tij të shndrisë çdo cep të tokës, Françesku shton:

“Kisha, bashkësi e dishepujve-misionarë të Krishtit, është zgjatje e këtij misioni, duke e ofruar jetën për të gjithë, në mesin e njerëzve. Edhe nëse i duhet të përballet, nga njëra anë, me përndjekje, mundime e vështirësi dhe, nga ana tjetër, me papërsosmëritë dhe rëniet e veta, për shkak të dobësive të disa anëtarëve të saj, ajo nxitet vazhdimisht nga dashuria e Krishtit për të vazhduar, e bashkuar me Të, këtë udhëtim misionar dhe për të dëgjuar, si Ai dhe me Të, britmën e njerëzimit, madje, rënkimin e çdo krijese, në pritje të shëlbimit përfundimtar”.

  (Xaverian Missionaries Khlong Toey)

Jemi të ndërlidhur, por pa marrëdhënie të vërteta

Papa denoncon “ndjenjën e përhapur të konfuzionit, vetminë dhe braktisjen e të moshuarve, vështirësitë në gjetjen e vullnetit për të ndihmuar ata që na jetojnë pranë”, veçanërisht në shoqëritë më të “zhvilluara” nga pikëpamja teknologjike. Një prirje që sjell mungesën e afërsisë, vëren Françesku:

“Të gjithë jemi të ndërlidhur, por pa marrëdhënie të vërteta. Rendimenti dhe kapja pas gjërave e ambicieve na shtyjnë të përqendrohemi vetëm tek vetja, të paaftë për altruizëm. Ungjilli, i jetuar në bashkësi, mund të na rikthejë një njerëzim të integruar, të shëndetshëm, të shëlbuar. Prandaj, përsëris ftesën për të kryer veprimet e përmendura në Bulën e Shpalljes së Jubileut, duke treguar vëmendje të veçantë për më të varfërit dhe më të dobëtit, për të sëmurët, të moshuarit dhe për të përjashtuarit nga një shoqëri materialiste dhe konsumiste. E këtë, ta bëjmë sipas stilit të Zotit: me afërsi, dhembshuri dhe butësi, duke u kujdesur për marrëdhëniet personale me vëllezërit dhe motrat, në situatën e tyre konkrete. Shpesh, ata vetë do të na mësojnë të jetojmë me shpresë”.

Lutja është veprimi i parë misionar, kujtimi i Van Thuan

“Para urgjencës së misionit të shpresës sot – shkruhet më tej në mesazhin papnor – dishepujt e Krishtit janë të thirrur të formohen të parët për t’u bërë artizanë të shpresës dhe restauratorë të një njerëzimi, shpesh të përhumbur e të pakënaqur”. Papa këshillon t’i kushtohet vëmendje të veçantë "përshpirtërisë së Pashkëve", nga e cila merret forca e nevojshme për ungjillëzim. Sepse, thekson Françesku, të krishterët janë popull i rilindur, “njerëz të pranverës”. E këtu, kujton figurën e kardinalit vietnamez François-Xavier Nguyễn Văn Thuận, Shërbëtor i Zotit, që e mbajti gjallë shpresën gjatë burgimit të gjatë, falë mbështetjes shpirtërore të lutjes këmbëngulëse dhe të Eukaristisë.

“Të mos harrojmë se lutja është veprimi i parë misionar dhe njëkohësisht, edhe “forca e parë e shpresës””.

Misionarja
Misionarja

Përkatësia në Kishë nuk është realitet i fituar njëherë e përgjithmonë

Papa përfundon duke theksuar rëndësinë e lutjes me Psalmet, të cilat, kujton ai, na edukojnë të shpresojmë edhe në fatkeqësi, t’i dallojmë shenjat e shpresës dhe të kemi dëshirë të vazhdueshme për mision. Ati i Shenjtë nënvizon se në shoqërinë moderne, “përkatësia në Kishë nuk është kurrë një realitet i fituar njëherë e përgjithmonë”. Prandaj, bën një ftesë kolektive:

“Ngul këmbë edhe një herë në sinodalitetin misionar të Kishës, si edhe në shërbimin e Veprave Papnore Misionare për promovimin e përgjegjësisë misionare të të pagëzuarve dhe për mbështetjen e Kishave të reja të veçanta. E ju bëj thirrje të gjithëve - fëmijë, të rinj, të rritur, të moshuar - të merrni pjesë aktivisht në misionin e përbashkët ungjillëzues, me dëshminë e jetës suaj dhe me lutje, me sakrificat dhe me bujarinë tuaj”.

06 shkurt 2025, 12:12