MAP

COLOMBIA-POLITICS-GENOCIDE-INDIGENOUS-RUBBER

Papa: mbrojtja e popujve autoktonë, jo vetëm çështje drejtësie, por garanci për të ardhmen

Mesazh i Françeskut me rastin e Forumit Global të Popujve Indigjenë në IFAD, në vijim në Romë më 10 dhe 11 shkurt, me temën “E drejta e popujve autoktonë për vetëvendosje: rrugë drejt sigurisë ushqimore dhe sovranitetit”. Papa denoncon "marrjen e tokës bujqësore nga firmat shumëkombëshe dhe shtetet" si "praktikë të dëmshme, që kërcënon të drejtën e bashkësive lokale për jetë dinjitoze"

R.SH. – Vatikan

Një thirrje e fuqishme për të mbrojtur të drejtat e popujve autoktonë: ky është mesazhi i Papës Françesku për pjesëmarrësit në Forumin Global të Popujve Indigjenë në IFAD (Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor), që po mbahet në Romë më 10 dhe 11 shkurt. Tema e këtij viti është “E drejta e popujve autoktonë për vetëvendosje: rrugë drejt sigurisë ushqimore dhe sovranitetit”. Mesazhin e Papës e lexoi imzot Fernando Chica Arellano, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në IFAD dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, që punojnë në fushën e bujqësisë e të ushqimit.

Të njihet vlera e popujve indigjenë

Në tekst, Papa uron që takimi të bëhet "hapësirë ​​e rëndësishme për debat, studim dhe reflektim mbi përparësitë, shqetësimet dhe aspiratat e ligjshme të bashkësive indigjene". Duke u ndalur në këtë temë, Françesku fton të “njihet vlera e popujve indigjenë”, si dhe “trashëgimia stërgjyshore e njohurive dhe praktikave të tyre, që e pasurojnë pozitivisht familjen e madhe njerëzore”. “E gjithë kjo nxjerr në pah një horizont shprese për kohën e sotme, me sfida të mëdha e të ndërlikuara, si edhe me shumë tensione”, vëren Ati i Shenjtë.

Kërcënimi për humbjen e tokës

“Mbrojtja e së drejtës për ruajtjen e kulturës dhe identitetit të popujve autoktonë përfshin domosdoshmërisht njohjen e vlerës së kontributit të tyre në shoqëri, ruajtjen e ekzistencës së tyre dhe të burimeve natyrore, që u nevojiten për të jetuar”, shkruan Papa, duke denoncuar kërcënimin serioz “të rrëmbimit të tokave bujqësore nga firmat shumëkombëshe, investitorët e mëdhenj dhe shtetet”: “Këto janë praktika të dëmshme, që minojnë të drejtën e bashkësive lokale për jetë dinjitoze”, thekson Françesku.

Garantimi i një ardhmërie të qëndrueshme

“Toka, uji dhe ushqimi nuk janë pasuri të thjeshta, por vetë baza e jetës dhe e marrëdhënieve të këtyre popujve me natyrën”, vijon Ati i Shenjtë në mesazh. Prandaj, “mbrojtja e këtyre të drejtave nuk është vetëm çështje drejtësie, por garanci për ardhmërinë e qëndrueshme të të gjithëve”. Pikërisht për këtë, Papa shpreson që krerët e kombeve të marrin "masat e duhura për t’u siguruar që familja njerëzore të ecë së bashku në kërkimin e së mirës së përbashkët, në mënyrë që askush të mos përjashtohet dhe askush të mos mbetet pas".

10 shkurt 2025, 14:00